Vija e kuqe e Brukselit

Bledi KASMI

Dy Reporterët e Bashkimit Europian, Kukan e Fleckenstein kanë rrëzuar dje projektin e afaristëve politikë të Reformës në Drejtësi për blerje të votave të deputetëve. Brukseli ka vendosur mbrëmë “vijën e kuqe” për Ramën, e ndryshme nga “vija e kuqe” e Ramës për opozitën.
Paralajmërimi është i kthjellët. Nëse reforma do të miratohet pa konsensusin e opozitës dhe me trafikim të votave në Parlament, atëherë ajo nuk do të ketë legjitimitet në Bashkimin Europian.
Deklarata i jep një goditje të fortë Ramës dhe të gjithë atyre që inkurajuan një proces të tillë mafioz duke ngritur shumë pikëpyetje mbi rolin dhe interesat që shkelën mbi parimet dhe vlerat e shenjta mbi të cilat është ngritur dhe funksionon demokracia sot në Perëndim.
Ka shumë për të analizuar në këtë deklaratë të dy reporterëve të Parlamentit Europian. Ajo është një zë ndryshe nga ato që kemi dëgjuar gjatë javëve të fundit. Dikush është rrëzuar me turp. Është njollosur me damkën e një mashtruesi dhe ka humbur çdo kredibilitet. Ky individ mund të jetë vetvetja që u shërben në mënyrë të verbër  për arsye personale interesave të një individi në krye të qeverisë, por ai nuk mund të jetë më institucioni.
Demokracia në këtë vend ka pasur një çmim shumë të lartë. Më dhjetra mijëra të varur në litar, të ekzekutuar, burgosur apo internuar në gulakët e diktaturës. Kush do të guxonte të shkelte mbi gjakun e tyre duke na imponuar një “drejtësi popullore” që do të prodhonte një regjim po aq bastard politik sa ai që rrëzuam?
Kush mendoi se opozita do të tërhiqej përpara presioneve  të allish-verisheve të pista, tani e ka kuptuar se ka gabuar. Opozita ka dalë më e fortë se kurrë nga ky proces i vështirë dhe shqiptarët kanë kuptuar se tek kjo opozitë kanë garantët e lirive të tyre.
Misioni nuk mund të quhet i përfunduar përsa kohë ne ende nuk e kemi një Reformë në Drejtësi me standardet e Komisionit të Venecias. Përpjekja e Ramës për ta djegur këtë shans nga frika e një drejtësie të pakapur dhe nga ngritja e një Byroje të Hetimit larg duarve të Saje Qorrit, e kanë bërë që të nxitohet dje për të groposur dhe për të varrosur në Parlament, Reformën. Në të vërtetë, varrosja e Reformës do të jetë edhe varrosja politike e Ramës.

Artikulli paraprakNdërtues urash në një Evropë të përçarë
Artikulli tjetërFaqja e parë