Mbillen 116 mijë e 685 pemë në Bashkinë Kamëz

Bashkëpunimi i Bashkisë me BKT, shtohet numri i pemëve të mbjella në qytetin e Kamzës dhe konkretisht përgjatë rrugës “Bujar Lako” në Zall-Mner. Mbjellja e pemëve në këtë rrugë u bë e mundur nga Banka Kombëtare Tregtare si pjesë e kontributit në kuadër të nismës së Bashkisë “Jepi jetë Kamzës – dhuro një pemë”

Kontributi për mjedisin, BKT bën të mundur mbjelljen e 40 pemëve dekorative në rrugën “Bujar Lako” në Zall-Mner. Arrin në 116 mijë e 685 numri i pemëve të mbjella në Bashkinë Kamëz.
Vijon bashkëpunimi i Bashkisë Kamëz me institucione të ndryshme, në dobi të mjedisit të qytetit. Kështu, kryetari i Bashkisë, z. Xhelal Mziu, dhe drejtori i Grupit të Bankingut Individual në Bankën Kombëtare Tregtare, z. Fatih Karli, mbollën sot 40 pemë përgjatë rrugës “Bujar Lako” në Zall-Mner. Mbjellja e pemëve në këtë rrugë u bë e mundur nga Banka Kombëtare Tregtare si pjesë e kontributit në kuadër të nismës së Bashkisë “Jepi jetë Kamzës – dhuro një pemë”.
Kryebashkiaku Mziu e priti z. Fatih Karli edhe në ambientet e zyrës në Bashki. Gjatë takimit biseda mes tyre u përqendrua në bashkëpunimin mes dy institucioneve, fryt i të cilit ishte kontributi i mbjelljes së pemëve në rrugën “Bujar Lako”. Gjithashtu, gjatë takimit z. Mziu e njohu drejtorin e Grupit të Bankingut Individual në BKT me zhvillimet në qytetin dhe Bashkinë e Kamzës. Z. Mziu theksoi si avantazhe të Kamzës pozicionin gjeografik, moshën e re të popullsisë, si dhe politikat fiskale të Bashkisë, të cilat favorizojnë biznesin në këtë qytet. Në këtë aspekt, kreu i Bashkisë pohoi se jo vetëm kompani shqiptare, por edhe ato të huaja zgjedhin që të sjellin aktivitetin e tyre në qytetin e Kamzës.
Investimi në drejtim të mbrojtjes dhe përmirësimit të mjedisit është një nga vizionet e zhvillimit progresiv të Bashkisë së Kamzës. Intensiteti i mbjelljes së pemëve dekorative është rritur duke përfituar kohën me favorizimin e saj, që lejon vazhdimin e këtij procesi. Përmirësimi i ambientit dhe mjedisit në tërësi për qytetin e Kamzës është një objektiv i arritur tashmë dhe një prej qëllimeve të vëna për mbrojtjen e vazhdueshme të jetës njerëzore, banorë dhe vizitorë në qytetin e Kamzës. Arritja e mbjelljes së 116 mijë e 685 pemëve ka një vlerë krahasuese për sa i përket përmirësimit të mjedisit në Kamëz. Për këtë qëllim, me nismë të kryebashkiakut Xhelal Mziu janë angazhuar të gjitha strukturat e Bashkisë Kamëz dhe ndërmarrjet në varësi për të realizuar objektivat e caktuar qysh në fillim vitit, duke tejkaluar çdo parametër të planifikuar. Kësaj nisme i janë bashkuar edhe qytetarë dhe biznese që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Kamëz, siç është edhe rasti i Bankës Kombëtare Tregtare.
Ndryshimi i qytetit me investime themelore të kryera në infrastrukturë, ujësjellës e kanalizime, shkon paralelisht në harmoni edhe me investimin në fushën e mjedisit. Kryebashkiaku Mziu ka theksuar se do të operohet në çdo shërbim, por veçanërisht në ruajtjen dhe përmirësimin e vazhdueshëm të mjedisit në Kamëz.

Artikulli paraprak160 kg kokainë nga Shqipëria në Itali, arrestohen 3 shqiptarë në Romë, ja cilët janë
Artikulli tjetërDenoncimi i Berishës: Rendi në duart e hajdutëve që bashkëpunojnë me çunat e krimit