160 kg kokainë nga Shqipëria në Itali, arrestohen 3 shqiptarë në Romë, ja cilët janë

Policia financiare italiane e qytetit të Romës ka ekzekutuar në orët e para të mëngjesit të sotëm operacionin “Biznes familjar” i cili ka çuar në shkatërrimin e një organizate kriminale shqiptaro-italiane që trafikonte lëndë narkotike mes Shqipërisë-Italisë dhe Belgjikës.
Në pranga janë vënë 7 persona; shqiptarët Aleks Boci 38 vjeç, Florian Prendi 31 vjeç, Edmir Hatijia 41 vjeç, Elidon Shpërdhjea 38 vjeç si dhe 3 shtetas italianë.
Bosi kryesor i kësaj organizate trafikantësh ishte shqiptari Aleks Boci i cili me ndihmën e disa shqiptarëve rezidentë në Belgjikë organizonte trafikun e drogës nga Amerika e Jugut në veri të Europës e më pas në Romë.
Lënda narkotike trafikohej përmes portit të Anversës ku kjo organizatë kriminale kishte mundur të krijonte një “dalje të sigurt” doganore përmes bashkëpunëtorëve të tyre.
Pasi mbërrinte në Romë lënda narkotike administrohej nga dy trafikantët italianë Claudio Cesarini e Daniele Ferri të njohur nga policia italiane e që merreshin me shitjen me shumicë të saj.

Hetimet e operacionit kanë dokumentuar rreth 160 kg kokainë të trafikuar në 8 rrugë importimi të saj dhe vetëm 9 kg prej tyre janë mundur të sekuestrohen.
Hetimet kanë dokumentuar gjithashtu një përfitmi prej 1 milionë e 600 mijë euro të kësaj organizate kriminale, prej të cilave janë vënë nën sekuestrim rreth 430 mijë euro.
Sipas hetimeve të investigatorëve italianë, një sasi e drogës ishte e destinuar për bosin mafioz të Ndraghetas Davide Perronace.
Hetimet e operacionit “Biznes familjar” kanë nisur pas operacionit “Romana” ekzekutuar nga policia italiane në 10 tetor të vitit 2017, e që çoi në arrestimin e 18 personave në rajonet e Calabria, Lazio, Piemonte, Lombardia, Veneto e Sardegna, të cilët bashkëpunonin me klanin Alvaro të mafias kalabreze Ndrangheta.
Operacioni i sotëm është kryer në bashkëpunim me policinë shqiptare.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërMbillen 116 mijë e 685 pemë në Bashkinë Kamëz