Marca: Deri në fund!

Në javën e parafundit të La Ligës spanjolle Reali i Madridit ka mposhtur me rezultatin 3-2 Valencian në “Santiago Bernabeu”, duke i bërë presion deri në fund Barcelonës në Luftën për titull kampion.
E përditshmja spanjolle “Marca” kishte hapur ditën e djeshme me foton e Ronaldos dhe mbishkrimin “Deri në fund”. Një javë para fundit, Reali ndodhet vetëm 1 pikë pas Barcelonës, ndërsa është finalist i Champions League, ku do të luajë përballë Atletikos.
Titulli kampion në Spanjë do të vendoset në sprintin final. 90 minutat e fundit të La Liga-s do të jenë vendimtare për të përcaktuar nëse festa do të jetë e Barcelonës apo Realit. Kjo për faktin se me disfatën 2-1 në fushën e Levantes, Atletico e Madridit doli përfundimisht nga gara për titullin.
Një perlë e Lionel Mesit nga goditje standarde në minutën e 8-të, i hapi rrugën fitores 5-0 të katalanëve në derbin me Espanyol. Një rrjetë që ia lehtësoi punën skuadrës së Luis Enrique, me Luis Suarez që me dy gola mbylli virtulisht sfidën. El Pistolero dyfishoi shifrat në të 52-ën, ndërsa 9 minuta më pas realizoi edhe golin e tretë të Barcelonës. Megjithë fitoren në kasafortë, “blaugranat” vijuan të sulmonin, duke shënuar golin e katërt me Rafinha-n, ndërsa kohë për festë kishte edhe për yllin brazilian, Neymar, 7 minuta përpara fundit të lojës.
Barça me 88 pikë, ndiqet tashmë në renditje nga Reali i Madridit, me një pikë më pak. Skuadra e Zinedine Zidane fitoi 3-2 përballë Valencias dhe shpreson deri në fund te hapi flas i rivalëve. Cristiano Ronaldo zhbllokoi sfidën në “Santiago Bernabeu” pas 26 minutave lojë. Pas tij për Realin shënoi edhe Karim Benzema në të 42-ën, por Valencia nuk u dorëzua. Miqtë shkurtuan diferencën me Rodrigo-n në të 55-ën, që u aktivizua nga stoli ku ishte ndëshkuar edhe me karton të verdhë. Ronaldo riktheu qetësinë te madrilenët vetëm pak çaste më pas, me golin e dytë personal dhe të tretin për merengues. Por, Reali vuajti deri në fund për të fituar. Valencia shënoi sërish me Andre Gomes në të 81-ën, ndërsa provoi pa sukses të barazonte, pavarësisht inferioritetit numerik, prej kartonit të dytë të verdhë për Rodrigon.
Zhgënjim për Atleticon e Madridit që në mënyrë të pabesueshme u mposht 2-1 në fushën e Levantes dhe i dha lamtumirë shpresave për titullin. Me këtë disfatë, ekipi i dytë i Madridit është 3 pikë larg Barcelonës, me katalanët që kanë avantazhin e përballjeve direkte. Rrjeta e Casadesus në të 30-ën, barazoi avantazhin e shpejtë të Atletico-s me Fernando Torres, ndërsa Giuseppe Rossi me golin e minutës së 90-të i dha fitoren Levantes. “Colchoneros” të Diego Simeone tashmë do t’i përqendrojnë forcat vetëm te finalja e Champions, ku i pret derbi me Realin e Madridit.

Artikulli paraprakIbrahimoviç bën Milanin të ëndërrojë
Artikulli tjetërMançini kërkon garanci që të qëndrojë