Mançini kërkon garanci që të qëndrojë

Shtohen gjithnjë e më shumë dyshimet në lidhje me të ardhmen e Roberto Mançinit në bankinën e Interit. Trajneri italian ka mbetur i zhgënjyer më shumë nga strategjitë në merkato të klubit sesa nga dështimi në arritjen e objektivit të Interit për të hyrë në zonën e Ligës së Kampioneve.
Për sezonin e ardhshëm, Mançini që ka një kontratë me zikaltrit deri në vitin 2017, do të kërkojë nga drejtuesit e klubit investimet e duhura për ta afruar Interin akoma më shumë me skuadrat më të mira në Serinë A. Kërkesa e tij e parë është mbajtja e 5 futbollistëve që përbëjnë boshtin e skuadrës që janë Miranda, Kondogbia, Brozoviç, Perisiç dhe Icardi.
Pjesa tjetër e futbollistëve janë të gjithë të shitshëm, duke nisur nga Handanoviç për të vijuar me Medel, Jovetiç dhe Murillo, me këtë të fundit që konsiderohet si i sakrifikuari i vërtetë i Interit për të shtuar të ardhurat në klub. Nëse Mançinit nuk i plotësohet kjo kërkesë, atëherë trajneri mund të largohet.
Në këtë pikë, sipas të përditshmes “Corriere dello Sport”, dy janë alternativat për të zëvendësuar Mançinin. Opsioni i parë është Leonardo, për të cilin ky do të ishte një rikthim te zikaltrit pas aventurës në sezonin 2010/2011, në të cilin Interi u rendit i dyti dhe fitoi Kupën e Italisë. Ndërsa alternativa e dytë është ajo e Sinisa Mihajloviç, i cili pas aventurës jo pozitive te Milani do të kërkojë të rikthehet në rolin e tij dhe një lëvizje në anën tjetër të Milanos do të ishtë një shuplakë e fortë për kuqezinjtë.

Artikulli paraprakMarca: Deri në fund!
Artikulli tjetërFabregas i thotë “Jo” milionave nga Kina