Lukaku, për 100 milionë euro te Manchester United

Tani është zyrtare. Romelu Lukaku do të luajë sezonin e ardhshëm për Manchester United. Pavarësisht tentativës së fundit të dëshpëruar të Chelseat që rinisi tratativat, Djajtë e Kuq lajmëruan nëpërmjet Twiterit akordin me Everton për transferimin e 24-vjeçarit belg në “Old Trafford”. Në arkat e klubit nga Liverpuli do të shkojnë në këmbim rreth 85 milionë euro. Lukaku do të bëhet kështu lojtari i dytë më i shtrenjtë në historinë e United pas blerjes së Pogba vitin e kaluar. Vetë Pogba që ndodhet me pushime bashkë me Lukakun, e priti zyrtarizimin me publikimin e një videoje ku të dy shfaqen duke ballëzuar.
Në lajmërimin zyrtar, gjithsesi United specifikon se gjithçka mbyllet me kalimin e vizitave mjekësore të sulmuesit që ishte një ndër objektivat kryesorë të Chelseat të Antonio Conte-s. Manchester United dogji konkurencën e rivalëve londinezë me një lëvizje surprizë, duke paguar 85 mln euro, por edhe 15 mln euro të tjera në formë bonusesh, duke qenë se gjatë gjithë kohës ishte folur vetëm për mundësinë e afrimit të Alvaro Morata-s.
Mourinho ka gjetur në këtë mënyrë sulmuesin e tij të ri, pas mungesës së rinovimit me Zlatan Ibrahimoviç. Në të kaluarën Mourinho kur ishte trajner i Chelseat në 2014 dha miratimin për shitjen e Lukakut për 35 milionë euro. Te Everton, Lukaku gjatë kësaj periudhe ka shënuar 53 gola në Premier League dhe 71 në të gjitha kompeticionet. Sezonin e kaluar ai shënoi 26 gola në gjithë kompeticionet, duke u renditur i dyti në historinë e Everton pas Gary Lineker, që kishte shënuar 40 gola në sezonin 1985-1986. Që nga debutimi i tij me Belgjikën në 2010 ish-futbollisti i Anderlehtit ka shënuar 20 gola në 57 prezenca me përfaqësuesen e vendit të tij.

Artikulli paraprakThe Economist: Autokratët dhe fitorja e rrallë në Shqipëri
Artikulli tjetërShqipëria rrugë tranziti për produktet e falsifikuara