Kur bie drejtësia nis vetëgjyqësia

Bledi KASMI

Nën presionin e të fortëve në krye të qeverisë, Gjykata e Apelit u nënshtrua dje dhe liroi drejtorin e Policisë nga masa e pezullimit, ndërsa Roshi u kthye në shtëpi.
Vendimi pason një javë të plotë të sulmeve të koordinuara politikisht të Ramës dhe Tahirit ndaj pushtetit gjyqësor, duke arritur deri aty sa gjyqtarët që hetojnë për abuzime pushtetin të konsiderohen si “vrasës me pagesë”.
A mund të funksionojë një Gjykatë apo një Prokurori në kushte të tilla?
Edhe ata diplomatë që po enden dyerve të politikës me zemërgjerësinë për të kërkuar kompromis për Reformën në Drejtësi heshtën kur dëgjonin deklaratat kërcënuese të kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm ndaj drejtësisë, duke kompromentuar jo pak pozicionin e dyshimtë të javëve të fundit, nëse janë në anën e drejtësisë për të hetuar pushtetin apo të pushtetit që të nënshtrojë Drejtësinë?
Dy vendimet e Gjykatave ditën e djeshme janë një ogur i keq jo vetëm për drejtësinë, por edhe për politikën dhe shoqërinë. Mesazhi që bota e errët e krimit dhe korrupsionit ka marrë është se ata mund ta kenë drejtësinë në anën e tyre, nëse sillen si Kryeministri dhe ministri i Brendshëm.
Politika pas këtij skenari është gjithmonë dhe më larg kompromisit për Reformën në Drejtësi, sepse kriza e besimit mes opozitës dhe pushtetit kur kërcënohen gjyqtarë dhe prokurorë jo vetëm që nuk zbutet, por merr trajtat e një përballje në kushte të tjera dhe me mjete të tjera politike.
Rama liroi Hakiun dhe Enver Rroshin për t’i thënë opinionit, opozitës, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian se, Drejtësia në këtë vend është ai, se drejtësia janë kërcënimet, presionet, shantazhet apo edhe paralajmërimet për ekzekutime të prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Shqiptarët dhe opozita nuk munden  që ta pranojnë këtë model. Ky është model i të fortit që del mbi arsyen, mbi ligjin dhe sistemin dhe që sfidon, duke kërkuar të ngjashmin e tij në terren për ta sfiduar në të njëjtën mënyrë.
Ky është modeli që e bën të paprekshëm pushtetarin edhe kur ai cenon liritë më elementare të individit. Këtë model e kemi njohur mirë për gati gjysëm shekulli dhe nuk pranojmë sot të na kthejnë atje me imponim, cilido qoftë cmimi që duhet paguar në mbrojtje të lirive të fituara.
Kushdo duhet të dijë, se kur bie drejtësia nis vetëgjyqësia që është kaos dhe anarki.

Artikulli paraprakShefi i drogës në Tiranë ndërton pa leje në Vaqarr
Artikulli tjetërFaqja e parë