Kosovë, konfuzione rreth numrit të njohjeve

 

Publikimet në media, fillimisht në ato serbe, se Republika e Surinamit “ka tërhequr njohjen” ndaj Kosovës, si dhe përgjigja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, se ajo nuk ka marrë ndonjë njoftim zyrtar për ndonjë tërheqje eventuale të njohjes nga Surinami, ka nxitur sërish konfuzion lidhur me numrin e saktë të njohjeve formale që ka marrë Kosova.
Në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë së Kosovës figurojnë 114 njohje, përfshirë edhe Republikën e Surinamit.
I paqartë mbetet numri i këtyre njohjeve edhe për anëtarët e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës.
Nënkryetarja e këtij komisioni, Time Kadrijaj, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo brenda koalicionit qeverisës, duke folur për Radion “Evropa e Lirë”, shpjegon se edhe në mandatin e kaluar të legjislativit është kërkuar nga ekzekutivi i mëparshëm që numri i njohjeve të Kosovës të bëhet publik.
Sipas saj, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë të drejtë të kërkojnë një përgjigje rreth numrit të saktë të njohjeve nga ministri i Punëve të Brendshme. Por, tash për tash, siç thotë ajo, numri i njohjeve besohet të jetë ai që është në listën e njohjeve të publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme të vendit.
“Ne nuk mund të themi se na ka njohur një shtet nëse nuk na ka njohur. Kjo (lista e njohjeve) na u ka servir dhe e dimë se gjithçka është bërë publike. Megjithatë, mund të kërkojmë edhe zyrtarisht që ta dimë saktë se sa është numri i njohjeve, në mënyrë që ta kemi parasysh që me cilat vende duhet të aranzhojmë e të zhvillojmë takime dhe të lobojmë për njohje të reja të Kosovës”, është shprehur deputetja Kadrijaj.
Anëtari tjetër i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Dukagjin Gorani, deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo opozitare, thotë për Radion “Evropa e Lirë”, se dëshira e madhe që Kosova të ketë sa më shumë njohje, ka prodhuar një situatë të paqartësisë formale dhe teknike.
“Pra, ekziston një bindje që numri i njohjeve nuk i nënkupton vetëm shtetet që e kanë formalizuar njohjen, por edhe shtetet që kanë qenë në proces të formalizimit ose që eventualisht e kanë shprehur mundësinë e njohjes në të ardhmen. Mirëpo, prej dëshirës së madhe, si duket, e ndoshta edhe papërgjegjësisë, Ministria e Jashtme e Kosovës (në mandatet e deritashme), pra ministrat e caktuar, gjatë gjithë kohës nuk e kanë qartësuar përfundimisht se cilat njohje janë të formalizuara dhe cilat janë në proces”, thekson deputeti Gorani.

Artikulli paraprakRama jep edhe armët me koncesion
Artikulli tjetërAsnjë rritje pagash e pensionesh për 2018