Kosovë, 23 milionë euro investime në bujqësi, fermerët të pakënaqur

Ministria e Bujqësisë në Kosovë prezantoi programin për investime në bujqësi për këtë vit. Në prezantimin, të cilin e bëri ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi pati edhe shumë pakënaqësi nga fermerët, të cilët ishin prezentë në këtë prezantim. Investimet e ministrisë përmes këtij programi, për të cilin këtë vit janë planifikuar 23 milionë euro, s’do të orientohen në të gjithë nënsektorët e bujqësisë. Shumica e fermerëve u ankuan se përballen me makineri dhe pajisje teknologjike të vjetruara. Kështu për këtë arsye atyre iu pamundësohet aplikimi për të kultivuar kultura të ndryshme bujqësore pasi kanë mungesa të sistemeve moderne. Ata po ashtu janë ankuar edhe se nuk po iu kompensohen dëmet nga fatkeqësitë natyrore. Njëri nga fermerët është ankuar në lidhje me zvogëlimin e përqindjes së traktorëve pasi që sipas tij traktori është “baba i bujqësisë”. “Sa keni mujt me menaxhu mekanizimin bujqësor që kanë menaxhu fermerët dhe pse m’u zvogëlu përqindja e traktorëve 20 për qind. Kur e dimë që traktori është ‘baba’ i bujqësisë, nuk duhen pajisjet e tjera pa të”, tha fermeri nga Podujeva. Ministri Memli Krasniqi duke folur në këtë prezantim tha se sektori i bujqësisë ka shënuar rritje. Ai u zotua se do të ketë investime në modernizim të makinerisë dhe pajisjeve teknike. Njëri nga fermerët është ankuar po ashtu në lidhje me dëmet që iu shkaktohen nga fatkeqësitë natyrore. Fermeri ka pyetur konkretisht zyrtarët e ministrisë se, a është ndarë ndonjë fond në lidhje me dëmet nga ngricat e pranverës në sipërfaqe të pemëve. Këtij fermeri i është përgjigjur Shqipe Dema duke thënë se ministria ka ndarë mjete për dëmet nga fatkeqësitë natyrore, por që ato janë keqpërdorur nga komunat. Fermeri Adem Sylejmani kërkoi zgjidhje për fidanët e mbetur nëpër toka si rezultat i importeve nga jashtë. Ministri Krasniqi tha se synimi është që të shtohen sipërfaqet e tokës së punuar në mënyrë që të rritet produktiviteti. Kjo në mënyrë që të zëvendësohen importet e larta dhe për të krijuar mundësi të eksportit në rajon. Ndryshe, në programin e sivjetshëm për zhvillimin rural, përmes granteve investive do të përkrahet masa 101 ku hyjnë investimet në asetet fizike në ekonomitë bujqësore. Pastaj masa 103, ku hyjnë investimet në asetet fizike në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore, masa 302 për diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e bizneseve, si dhe masa për ujitjen e tokave bujqësore. Thirrjet për aplikim për grante në këto fusha janë shpallur dhe afati i aplikimit është nga data 6 shkurt deri më 20 mars të këtij viti. Të gjitha dokumentet përcjellëse, programi, udhëzuesit dhe dokumentet e tjera mund të merren në uebfaqet e MBPZHR-së dhe AZHB-së.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërKosovë, qeveria aprovon marrëveshjet financiare prej 158 milionë eurosh