Kosovë, qeveria aprovon marrëveshjet financiare prej 158 milionë eurosh

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të rregullt ka miratuar dje 3 marrëveshjet financiare në vlerë prej 158 milionë eurosh, të cilat janë negociuar paraprakisht me qeverinë e Francës, qeverinë e Hungarisë, qeverinë e Austrisë, si dhe ka miratuar garancinë shtetërore me BERZH-in për linjën e dytë kreditore për Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës në vlerë prej 24 milionë eurosh.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti në prezantimin e këtyre marrëveshjeve para kabinetit qeveritar, në lidhje me projektligjin për marrëveshjen financiare me qeverinë e Austrisë, bëri të ditur se, “Çështja kryesore e trajtuar në këtë projektligj është ratifikimi i marrëveshjes për bashkëpunim financiar në mes të qeverisë së Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe qeverisë së Republikës së Austrisë e përfaqësuar nga Ministria Federale e Financave, marrëveshje kjo e cila i mundëson qeverisë së Republikës së Kosovës marrje të huasë nga qeveria austriake në vlerë deri në 30,000,000.00 € për investime në projekte të ndryshme kapitale”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, në programin e saj 2015-2018 ka paraparë investime në sektorin e ujërave, si për përpunimin e ujërave të zeza gjithashtu edhe në investimin në përmirësim të furnizimit me ujë të pijes. Sektorë të tjerë që marrëveshja do të përfshijë janë edhe ai i shëndetësisë, edukimit, bujqësisë etj. Investimet në sektorët e lartpërmendur kontribuojnë në implementimin e programit të qeverisë. Me këtë marrëveshje, qeveria austriake i jep mundësi qeverisë së Republikës së Kosovës të marrë hua në vlerë deri në 30,000,000.00 €, prej të cilave veç se janë dedikuar 5 milionë për projektin e Ministrisë së Arsimit – E-Edukimi, si dhe 2.6 milionë për projektin e Ministrisë së Shëndetësisë – Kardiologjia, që do të thotë se kanë mbetur edhe 22.4 milionë euro për t’u investuar”, shtoi ministri Hoti.
Ministri Avdullah Hoti në lidhje me projektligjin për ratifikimin e protokollit financiar në mes të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Republikës franceze dhe të marrëveshjes për hua për zbatimin e këtij protokolli ndërmjet Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesit të qeverisë franceze – NATIXIS, bëri të ditur se “Më 5 korrik të vitit të kaluar kemi nënshkruar protokollin financiar për bashkëpunim ndërshtetëror me qeverinë franceze. Në këtë marrëveshje është parashikuar nënshkrimi i marrëveshjes për hua për financimin e projektit të trajtimit të ujërave të zeza në Komunën e Prishtinë, Fushë-Kosovës dhe Obiliqit. Më 19 janar të vitit aktual kemi nënshkruar edhe marrëveshjen për hua me çrast i kemi kompletuar marrëveshjet e nevojshme për fillimin e përgatitjeve për realizim të projektit në fjalë. Kjo marrëveshje ka një vlerë totale 66 milionë euro, normë efektive të interesit vjetorë 0.036%, prejse periudhë 5 vite, si dhe një periudhë të kthimit 25 vite”.

Artikulli paraprakKosovë, 23 milionë euro investime në bujqësi, fermerët të pakënaqur
Artikulli tjetërBluzat e bardha braktisin Shqipërinë