KE: Në Shqipëri, papunësia në rritje, ekonomia e ngadaltë

Komisioni Europian ka publikuar raportin e tremujorit të dytë për vendet kandidate dhe potenciale kandidate në Bashkimin Europian. Raporti thekson se rimëkëmbja ekonomike në Ballkanin Perëndimor ka vazhduar gjatë tremujorit të parë të vitit 2017, edhe pse me një ritëm më të moderuar, duke u ngadalësuar në pothuajse të gjitha vendet, por sidomos në Serbi, e cila është ekonomia më e madhe në rajon. Megjithatë, investimet dhe konsumi privat vijuan të mbështesin rritjen në rajon. Pozicionet e jashtme kanë mbetur të dobëta, teksa deficiti i llogarisë korente u zgjerua në shumicën e vendeve. Zgjerimi ekonomik çoi në krijimin e mëtejshëm të vendeve të punës dhe normat e papunësisë kanë vazhduar të ulen në shumicën e vendeve, por ato mbeten të larta në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Pavarësisht progresit të mëtejshëm në konsolidimin fiskal, nivelet e borxhit publik, ende të larta, në shumicën e vendeve të rajonit mbeten një shkak për shqetësim. Raporti thekson se në mënyrë specifike, Shqipëria dhe Serbia po regjistrojnë ende normat më të larta të kredive të këqija në rajon, në 17.4% dhe 16.8% përkatësisht, të ndjekura nga Bosnja dhe Hercegovina (11.5%) dhe Mali i Zi (9.9%).

Rajoni po ngadalësohet

Dinamika e rritjes u ngadalësua në pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në tremujorin e parë të vitit 2017, krahasuar me tre muajt e mëparshëm. Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë është vendi i vetëm ku GDP reale ka mbetur në vend me bazë vjetore, si rrjedhojë e aktivitetit të dobët të investimeve dhe të eksporteve, që kontribuan negativisht në rritjen ekonomike. Në Serbi, rritja vjetore e PBB-së u ngadalësua dukshëm në 1.2% (nga 2.5% në tremujorin e mëparshëm), teksa veprimtaria e investimeve dhe sektori i energjisë janë prekur rëndë nga moti jashtëzakonisht i ftohtë. Kryesisht, rritja është nxitur nga konsumi familjar dhe eksporteve. Rritja vjetore e PBB-së u ngadalësua pak në Shqipëri, e cila u ndihmua nga performanca e fortë e eksportit dhe investimeve. Në Mal të Zi, rritja e konsumit privat u përshpejtua fuqishëm. Në kundërshtim me vendet e tjera, rritja e prodhimit në Kosovë u përshpejtua në 3.8% të PBB-së nga 3% në tremujorin e mëparshëm, orientuar kryesisht nga konsumi dhe investimet private. Në përgjithësi, në tremujorin e parë të vitit 2017, GDP në rajonin e Ballkanit Perëndimor u zgjerua me 1.8%, nga një normë mesatare e rritjes prej 2.7% në tremujorin e mëparshëm.

Rritja e punësimit u ngadalësua në Shqipëri

Mes një situate ende sfiduese të tregut të punës në Ballkanin Perëndimor, rimëkëmbja e vazhdueshme ekonomike ka çuar në rritje të mëtejshme në nivelet e punësimit, edhe pse ritmi i krijimit të vendeve të punës u ngadalësua në disa vende. Në tremujorin e parë të vitit 2017, rritja vjetore e punësimit është ngadalësuar ndjeshëm krahasuar me tremujorin e kaluar në Shqipëri (nga 5.5% në 2.8%) dhe Serbi (nga 5.8% në 3.2%). Në anën tjetër, rritja e vendeve të punës u përshpejtua në Mal të Zi dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, duke kontribuar në një normë mesatare të rritjes të punës në Ballkanin Perëndimor në 3% me bazë vjetore në tremujorin e parë të vitit 2017. Për të njëjtën periudhë, rritja në nivelet e punësimit ka kontribuar në uljen e shkallës së papunësisë në shumicën e vendeve të rajonit, në raport me një vit më parë. Rënia ishte veçanërisht e rëndësishme (më shumë se 2 pikë përqindje) në Serbi dhe Shqipëri.

Në Shqipëri, kriza politike ka ngadalësuar rritjen

Të dhënat e disponueshme sugjerojnë se ka pasur një ngadalësim të rritjes ekonomike në tremujorin e dytë dhe kjo ka të ngjarë të ketë reflektuar situatën e paqartë politike në prag të zgjedhjeve, si dhe kushtet e pafavorshme të motit. Prodhimi në Shqipëri u rrit me 3.9% me bazë vjetore, në terma realë në tremujorin e parë të vitit 2017, pas një zgjerimi prej 3.4% më 2016. Rritja e PBB ishte relativisht me bazë të gjerë në tremujorin e parë, por veçanërisht e ndikuar nga performanca e mirë e eksporteve. Eksportet e mallrave kanë vazhduar rikuperimin, i cili kishte filluar në tremujorin e mëparshëm, duke kërcyer me 27.8% me bazë vjetore, eksportet e shërbimeve janë rritur me ritme më të moderuara prej 8.3%. Konsumi familjar u ngadalësua në një normë relativisht modeste të rritjes prej 1.9% me bazë vjetore. Rritja e konsumit qeveritar, nga ana tjetër, arriti në 7.8% që pjesërisht reflekton rritje të pagave me 10% në një pjesë të madhe të sektorit publik në mars. Formimi bruto i kapitalit fiks u përshpejtua në 10.9% me bazë vjetore, të cilat në masë të madhe pasqyronin investimet e vazhdueshme të huaja direkte në sektorin e energjisë, përkatësisht Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) dhe projektit hidroenergjetik Statkraft i Devollit.

Shqiptarët që u kthyen, OKB: 20% e nga Gjermania

Agjencia e Migrimit të Kombeve të Bashkuara raporton se, gjatë 2016 ka ndihmuar plot 100 mijë refugjatë që të rikthehen në shtëpitë e tyre vullnetarisht. Thuajse një e pesta e tyre, rreth 18 mijë persona u rikthyen pikërisht në Shqipëri, duke i bërë shqiptarët të parët ndër ata që më 2016 u kthyen vullnetarisht në vendin e tyre. Pas shqiptarëve vijnë irakianët, rreth 12.700 dhe afganët, rreth 7000 individë. Misioni i Kombeve të Bashkuara për të rikthyer vullnetarisht emigrantët në shtëpitë e tyre ka një rëndësi jetike, pasi është një situatë ku të gjithë fitojnë, si vendet pritëse, ashtu edhe ato të origjinës, pasi ka më pak kosto dhe ndihmon në një proces riintegrimi të përshpejtuar. Numri i emigrantëve të rikthyer, pra rreth 100 mijë në vitin 2016 është 41% më i lartë se në vitin 2015. Një e treta e totalit rezultojnë emra dhe një e katërta fëmijë. 83% e tyre janë kthyer nga një prej vendeve të eurozonës, plus Zvicrën, ndërkohë që vendi ku rikthimet janë më të larta është Europa Lindore dhe Juglindore. 54 mijë emigrantë u kthyen vetëm nga Gjermania, ndërkohë që në vend të dytë është Greqia. Të dhënat zyrtare të Eurostat tregojnë se, më 2016, rreth 43 mijë shqiptarë aplikuan për azil në Europë. Në këtë mënyrë, norma e kthimit vullnetar rezulton mjaft e lartë, rreth 42% e totalit të atyre që kanë aplikuar për azil.

Artikulli paraprakErdogan nuk pranon të heqë gjendjen e jashtëzakonshme
Artikulli tjetër300 milionë euro taksa në vit për mjedisin me plehra