300 milionë euro taksa në vit për mjedisin me plehra

Një format i ri raportimi nga Instituti i Statistikave i kryer në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga Sistemi Europian i Llogarive Ekonomike zbuloi se shqiptarët paguajnë rreth 300 milionë euro ose 2.8 për qind të PBB-së së vet në formën e “taksave mjedisore”, një shifër kjo krahasimisht më e lartë se sa mesatarja e Bashkimit Europian. Sipas “BIRN”, pavarësisht kësaj, Shqipëria mbetet vendi më i mbushur me plehra urbane dhe me sistemin më të keq të menaxhimit të mbetjeve në kontinent. Instituti i Statistikave publikoi të mërkurën për herë të parë të dhënat mbi Taksat e Mjedisit, një raport që bazohet mbi të dhënat e Ministrisë së Financave për të ardhurat e qeverisë nga taksa të ndryshme. Qëllimi i publikimit është përmbushja e një detyrimi tjetër në fushën e statistikave në kuadër të përgatitjes së Shqipërisë për integrim në Bashkimin Europian. Raporti i INSTAT, i cili përmbledh të dhënat mbi të ardhurat e qeverisë nga këto taksa nga viti 2008 deri në vitin 2015, tregon se të ardhurat e buxhetit janë rritur me mbi 35 për qind mes viteve 2008 dhe 2015, duke shënuar kulmin në vitin 2014 dhe një rënie në vitin 2015- rënie e shkaktuar nga deficiti i lartë buxhetor në të ardhurat nga nafta atë vit, si dhe nga kontrabanda e naftës. Gjithsesi, INSTAT thotë se në vitin 2015 shqiptarët paguan 40 miliardë lekë në formën e taksave mjedisore. Kjo është e barabartë me 2.77 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas metodologjisë së Bashkimit Europian, klasifikohen si taksa mjedisore taksat mbi konsumin e energjisë, taksat mbi transportin, taksat për ndotjen dhe taksat për shfrytëzimin e burimeve natyrore. Një raport i Eurostat tregon se në 28 vendet anëtare, të ardhurat nga taksat mjedisore në vitin 2015 qenë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, më të ulëta se sa në Shqipëri. Europianët paguan 2.4 për qind të PBB-së për taksa mjedisore nga gati 2.8 për qind që paguan shqiptarët. Megjithatë, pavarësisht taksave krahasimisht më të larta të paguara në emër të mbrojtjes së mjedisit, është fakt i njohur nga të gjithë që Shqipëria është vendi me një krizë të përhershme në menaxhimin e mbetjeve urbane, vendi ku mbetjet shpesh hidhen në lumë dhe përfundojnë në det.

Në mesin e pesë vendeve më të ndotura

Çdo grimcë ajër që thithim, çdo pikë ujë që pimë e çdo ushqim që konsumojmë preket nga ndotja. Shqiptarët nuk mund të jenë të izoluar nga efektet e një mjedisi të ndotur. Në fakt, edhe pse qytetarët shqiptarë mund të jenë të ndërgjegjshëm për këtë, statistikat e vitit të kaluar nga Forumi Ekonomik Botëror e rendisin Shqipërinë në 5 vendet e para që janë më të rrezikuar nga ndotja. Sipas këtij Forumi, Shqipëria ka ajër më të ndotur se Kina dhe se Bosnje-Hercegovina, duke dalë në përfundimin se rajoni i Ballkanit ka ajrin më të ndotur në rang botëror. Renditja i referohet të dhënave të vitit 2012 nga Mbikëqyrja Globale e Shëndetit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Sipas këtyre statistikave, shkalla e vdekshmërisë përsa i përket ndotjes së ajrit për 100 mijë banorë është 171.4, pra afërsisht 5,000 qytetarë shqiptarë në vit rrezikojnë vdekjen nga ky shkak. Ky Forum liston 10 vendet me risk më të lartë duke nisur nga vendi i dhjetë me Serbinë me 137.2 vdekje për 100 000 banorë, e ndjekur më sipër nga Rumania, Ukrahina, Sierra Leone, Kina, Shqipëria, Bullgaria, Bosnje-Hercegovina, Koreja e Veriut dhe në vend të parë Gjeorgjia me 292.3 vdekje. Në Shqipëri 44% e emetimeve të gazeve serrë vijnë nga sektori energjetik, sipas të dhënave nga Forumi Ekonomik Botëror. Sipas statistikave të UNECE, ndotja e ajrit, mbetjet urbane, uji i pijshëm dhe higjiena publike mbeten problemet më madhore për Shqipërinë. Duke qenë një nga parakushtet për integrimin në BE, çështjet klimatike kanë nisur të merren seriozisht në konsideratë nga qeveria, e cila së fundmi ka nxjerrë një akt nënligjor, sipas së cilës të gjithë makinat e vjetra do të taksohen ekstra për shkak të ndotjes në mjedis. Agjencia Kombëtare e Mjedisit, në raportin e vitit 2014, shënon se problematik mbetet numri i ditëve që tejkalojnë standardin ditor të BE-së (50 µg/m³). Në Tiranë vetëm në një zonë, nga katër të monitoruara, rezulton se norma e ndotjes u tejkalua në 102 ditë të vitit. Edhe pse kontributi i Shqipërisë në shkarkimet e gazrave serrë është rreth katër deri në pesë herë më i ulët se nivelet mesatare ndërkombëtare, me një mesatare të llogaritur prej 9,4 milion tonë/vit të gazit karbonik Co2, këtyre të dhënave mund t’u gëzohemi për shumë pak kohë, nëse ne nuk kemi politika të forta për çështjet klimatike, sugjerojnë ekspertët. Sipas të dhënave më të fundit që Ministria e Mjedisit ka vënë në dispozicion, rezulton se energjia dhe transporti, të ndjekura nga bujqësia dhe sektori i mbetjeve janë kontribuesit më të rëndësishëm në emetimit e gazit serrë në Shqipëri. Respektivisht energjia-transport me (57.29%), e ndjekur nga bujqësia me (16.85%), përdorimi i tokës dhe pyjet (8.88 %) dhe në fund mbetjet me (2.31%). Siç shihet qartë dhe nga të dhënat, kontribuesit më të mëdhenj të CO2 janë energjia dhe transporti. Ulja e emetimit të gazit, për të cilin Shqipëria është zotuar dhe në Samitin e Klimës në Paris kërkon një revolucion në energji dhe në prodhim. Shqipëria, përmes votimit në Parlament më 13 korrik 2016, ratifikoi marrëveshjen e Parisit mbi ndryshimet klimatike me 87 vota pro, duke respektuar këtë moment historik dhe rëndësinë e kësaj marrëveshjeje ambicioze, që konsiderohet një revolucion për njerëzimin.

Artikulli paraprakKE: Në Shqipëri, papunësia në rritje, ekonomia e ngadaltë
Artikulli tjetërPlani për një Jugosllavi të re me Shqipëri e Kosovë brenda