KE heq vizat për Kosovën

Komisioni Evropian i propozoi dje Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian, heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vënien e Kosovës në listën e vendeve me qarkullim të lirë. “Ne propozojmë liberalizimin e vizave për Kosovën. Propozimi është rezultat i Kosovës dhe punës së madhe në arritjen e kritereve. Ne do ta monitorojmë këtë proces nga afër. E dimë sa e rëndësishme është për qytetaret dhe jam shumë i lumtur që rekomandoj heqjen e vizave për Kosovën. Heqja e vizave, nuk do të thotë hyrje e lirë dhe e pakontrolluar e kosovarëve në BE”. Ka qenë kjo deklaratë e Komisionerit për Migrim dhe Çështje të Brendshme, Dimitris Avramopoulos, që ka shndërruar këtë ditë në historike për qytetarët dhe shtetin e Kosovës. Në raportin e sotëm të progresit, Komisioni konfirmon se Kosova ka plotësuar të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit të tij për liberalizimin e vizave, që do të thotë se deri në miratimin e këtij propozimi Kosova do ta ketë të ratifikuar marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi dhe të ketë të forcuar regjistrin e të dhënave në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Vendimi për lëvizjen e lirë të kosovarëve në zonën Shengen pritet të miratohet nga Këshilli dhe Parlamenti Europian. Lajmi është përshëndetur menjëherë nga kreu i Kuvendit Kadri Veseli, kryeministri Isa Mustafa dhe Presidenti Hashim Thaçi. “Kjo është një epokë e re, i jap fund izolimit ndërkombëtar të Kosovës, rrëzimi i murit të fundit të Berlinit në Evropë”, tha Veseli. “Nuk kemi fituar dhuratë, por kemi merituar liberalizimin me punën tonë të përbashkët. Kur punojmë bashkë, asnjë kufi nuk na ndal. Urime liberalizimi sot, urime edhe për UEFA dje. Javë historike”, ka shkruar Thaçi. “Urime Qytetarë të dashur! Rekomandimi pozitiv për heqjen e vizave është vlerësimi më i merituar për qytetarët e Republikës së Kosovës nga Bashkimi Evropian. Rezultatet e punës së Qeverisë çdo ditë e më shumë janë të prekshme për qytetarët e Kosovës, qytetarë të kontinentit dhe të vlerave evropiane” ka shkruar Mustafa. Për kryeministrin Edi Rama sot Bashkimi Europian u çlirua nga turpi. Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan: “Tjetër lajm i gezueshëm për Kosovën rekomandimi i Komisionit për heqjen e vizave. Me ne fund BE-ja po çlirohet nga nje turp”. Reagime kanë ardhur edhe nga faktori ndërkombëtar, veçanërisht ata që kanë ndjekur nga afër rrugëtimin e Kosovës deri këtu. Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Han, e ka përshkruan në twitter një shpërblim për kosovarët pas punës së tyre dhe refomave të ndërmara. Zëvëndes/Presidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, e quan dritë jeshile të  përfundimit të izolimit për Kosovën, edhe pse nuk harron ta nënvizojë si të vonuar vendimin. Entuziazmin për lajmin e mirë e ka shprehur edhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë Samuel Zbogar. “ Ndihem pjesë e krenarisë së Kosovës për këtë aritje, bashkë me shoqërinë civile, mediat, partitë politike e opozitën”, u shpreh ai. Qytetarët e Kosovës me pasaporta biometrike do të udhëtojnë  për  90 ditë  në vendet anëtare të BE-së, me përjashtim të Irlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe në 4 vendet jo anëtare të BE-së por pjesë e “Schengen”, si Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra.

Artikulli paraprakPraktikat korruptive, Beqaj bllokon informacionin për tenderat e koncesionet
Artikulli tjetërRasti i stadiumit dhe 2 komente jo pa rëndësi!