Rasti i stadiumit dhe 2 komente jo pa rëndësi!

Besnik ALIAJ

Çështja e stadiumit nuk është thjesht çështje historie apo fasade. Ajo është shumë më komplekse nga sa thuhet! Eshtë çështje qeverisje, ligjore, transparence, trashëgimie, urbanistike, garë e interesit publik, etj., etj … Unë s’kam ndërmend të merrem me këtë temë, pasi vendimi tashmë është marrë e le t’i dalin për zot ata që e morën. Fundja kush jam unë? Ndaj sot vetëm u uroj mbarësi atyre që e konceptuan dhe ligjëruan këtë ide!
Natyrisht Kombëtarja e meriton një stadium olimpik dinjitoz, por ky që u miratua qartësisht nuk është i tillë! Shkatërrimi i aneksave dhe i pistës atletike, janë oguri minimal për një zgjidhje gjysmake! Ndaj sot ndjej realisht keqardhje për atletikën shqiptare! Për fat të keq ata si pyeti askush! I ekzekutuan si sport dhe si federatë! Edhe Tirana si bashki e kryeqytet kish nevojë për një stadium dinjitoz që e përfaqëson në Europë. Por Bashkia për çudi vetëm hesht! Dhe titullari i saj duket se po vepron më shumë si nënkryetar.
Por përtej kësaj sot me njohuritë e mia modeste dua të nënvizoj diçka jo pa rëndësi: të shpallësh Sheshin “Nënë Tereza” hapësirë këmbësore dhe pastaj t’i fusësh stadiumin 30,000 vendesh + kullë e qendër tregtare, është si ta vësh dikë në gjumë me valium e qetësues, e pastaj t’i futësh trefazorin apo elektroshokun! Kjo do të ishte jo vetëm inkonsistencë në vendimmarrje, por më shumë ngjan me ekzekutim të qytetit edhe pse në kushte klinike! Eshtë thjesht një gabim i madh urbanistik që në koncept. Koha për fat të keq do ta provojë këtë që po them (uroj sinqerisht të jem unë gabim) në se ai stadium do ndërtohet një ditë! Aq më tepër kjo në një qytet pa transport publik e pa hapësirë publike dhe pa parkime!
Për stadiumin i ri olimpik, Tirana meritonte një vend më të mirë me sa shumë hapësirë, me akses e transport të mirë e të shpejtë! Ai duhet ta hapte zhvillimin e Tiranës me vizion si investim strategjik publik në një drejtim të ri alternativ, duke u bërë imazhi i ri estetik dhe brandi i ri arkitektonik i një kryeqyteti të ri europian të balancuar dhe integruar mes vetes më parë! Po kush dëgjon këtu? Ok atëherë ja lëmë kohës! Por do jetë me siguri një kosto e panevojshme për të gjithë! Madje mjerë ata që banojnë rrotull stadiumit, dhe jo vetëm ata! Mjerë Tirana për bllokimet që do ketë sa herë të ketë ndeshje e sherre! Imagjino pastaj të ketë ndonjë emergjencë largqoftë (se në kohë aktesh terroriste jetojmë)?! A ka vallë shans për plan B në atë hapësirëe tashmë pa ajër? Dyshoj sinqerisht! Uroj të jem vetëm gabim!
***
Pas incidentit në KKT dhe talljes me të drejtë në kor nga mediat dhe njerëzit, sot ndjej keqardhje të madhe për komunitetin e kolegëve arkitektë në Tiranë e Shqipëri. Heshtje totale dhe frikë për të thënë një mendim të lirë e të pavarur personal ashtu siç e ndjejnë! Jam i tronditur nga kjo heshtje shurdhuese 26-vjeçare! Dhe këtu se kam fare për zgjedhjet personale se si votojmë! Por e kam për heshtjen kur rriten taksat e profesionit, për deformimin e tregut, heshtje për garat e paracaktuara, heshtje për parkun, heshtje për qendrën, për parkimet, për stadiumin, licencat, etj, etj. Memeceri kolektive vetëvrasëse! Madje edhe kur dikush guxon të mendojë diçka ndryshe nga pushteti, tjetri ndërhyn me vrap e thotë të na fali pushteti se nuk ishim informuar!
Ehhhh mor vëlla e mik … Pse, Pse??? … Profesioni i nderuar i ARKITEKTIT kurrë s’ka qenë më shumë në krizë në këtë vend se sa sot! Dhimbje e madhe! Dinjiteti profesional dhe intelektual është rrënuar! Pasi mbeten anonimë nën dhunën e ndërtuesve për 2 dekada, sot arkitektët përfunduan edhe në fshirëse këpucë për të legjitimuar pushtetin e radhës! Nuk kam fjalë të shpreh trishtimin! Më vjen shumë keq për kolegët, edhe pse e di mirë që mes tyre ka shumë njerëz të mirë e të ndershëm! E di edhe që në këto kohëra që jetojmë nuk është e lehtë të mbahet familja me bukë e punë! Por po ju them se vjen një ditë që as puna e tillë, s’ka vlerë pa dinjitet! Nuk i hyn në punë as dreqit! Mungesa e dinjitetit dhe braktisja e interesit publik janë skamja e vërtetë, është skllavëri totale! Po ju them me modesti, por jo pa uluritur me dhimbje se që sot s’kemi më as shoqata, as komunitetet! Jemi veç një tufë egoistësh individualistë që padashur ose nga halli po keqpërdoremi nga pushteti i radhës, nga lejet e tenderat e një tregu të deformuar, pa patur kurajon të themi të vërtetën dhe të mbrojmë e respektojmë pa përçarje njëri-tjetrin, profesionin dhe sidomos interesin publik siç përpiqen disa komunitete të tjera profesionale e intelektuale.
Por edhe pse sot në dëshpërim unë e di mirë se pas krizës ka zakonisht një zgjidhje dhe ndryshim për mirë! Unë e di mirë se ka ende shpirtëra të lirë e dinjitozë në këtë komunitet, ku e ardhmja e këtij profesioni ende mbijeton. Njerëz mendjehapur dhe jo cingunë! Uroj që të jenë ata që do të kenë kurajon të riorganizojnë nga e para komunitetin dhe vlerat tona, duke risjellë besim e dinjitet në shoqëri për këtë profesion të vjetër e të bukur sa vetë jeta! ZGJOHU!

Artikulli paraprakKE heq vizat për Kosovën
Artikulli tjetërMinistrit nuk ka kush t’i shkruajë