ERE paralajmëron katastrofë energjie

Enti Rregullator i Energjisë miratoi këtë të martë fillimin e procedurave për miratimin e planeve të investimit për kompanitë OSHEE dhe KESH. Që në fillim, kreu i këtij institucioni Petrit Ahmeti u shpreh se ka një pritshmëri që këto plane të ndryshojnë dukshëm përgjatë vitit për shkak të rrjedhës që ka marrë situata energjetike në vend.
Sipas Ahmetit, kompanitë kanë rishikuar planet edhe në vite më të mira ndërkohë që 2017 renditet tek ato me situatë jo të zakonshme.
OSHEE në planin e saj fillestar ka parashikuar rreth 12 miliardë lekë investime, por duke qenë se një pjesë të mirë të parave kjo kompani po e përdor për importet e energjisë duke lënë të hapur opsionin që të përdoren edhe një pjesë e parave të destinuara për investime.
Vitin e kaluar OSHEE arriti që të realizonte vetëm 61% të planit të miratuar të investimit, ndërkohë që këtë vit ende nuk ka një analizë paraprake për mënyrën sesi paraqitet situata. KESH nga ana tjetër paraqitet në të njëjtën situatë të vështirë.
Ndërkohë që viti i kaluar u shoqërua me eksporte dhe një përfitim financiar të dukshëm për kompaninë që ndikoi edhe tek investimet, këtë vit fokusi ka qenë tek optimizmi duke kryer disa herë procedura të shitjes së energjisë gjatë pikut dhe importit të saj në oraret e natës kur kostoja është më e lirë.
Për të dyja rastet ERE miratoi planet fillestare, por bëri thirrje që kompanitë t’i përditësojnë me situatën aktuale. “Ne duam të shprehim që përveç vendimmarrjes edhe do të sugjerojmë dhe do të tregohemi më tolerantë me kompanitë për shkak të situatës energjetike në vend. Sigurisht që investimet do të kryhen, por është në dorën e kompanive që çojnë këto para aty ku ka më shumë nevojë”, tha kreu i ERE Petrit Ahmeti.
Një ndër problemet që u ngrit nga ana e komisionerëve gjatë takimit ishte mungesa e transparencës nga ana e kompanive, të cilat kanë mangësi të dukshme në dokumentacion gjatë fazës së aplikimeve dhe kërkesës së miratimit të planeve të investimeve.

Artikulli paraprakIdentikiti i shkencëtarëve nga Shqipëria
Artikulli tjetërVetëm 5 nga 22 ekipe kanë ndërruar trajner