E djathta austriake fiton zgjedhjet

E djathta austriake pritet të marrë në dorë kontrollin e qeverisë pas një rezultati të mirë fitimtar në zgjedhjet parlamentare të ditës së dielë. Partia konservatore e vendit, e drejtuar nga ministri aktual i Jashtëm, Sebastian Kurz arriti një rezultat prej 31,4 për qind, por pritet të hyjë në koalicion me partinë e djathtë të lirisë, e cila ka marrë gjithashtu rezultatin e saj më të mirë të kohëve të fundit.
Duket se politika austriake është pozicionuar fuqimisht në të djathtë. Sebastian Kurz, i cili është vetëm 31 vjeç, deklaroi të dielën fitoren dhe do të jetë kancelari i ri i vendit, lideri kombëtar më i ri i botës së zhvilluar. Edhe pse Kurz mund të hyjë në koalicion me socialdemokratët, me të cilët partia e tij ka bashkëpunuar hapur, kjo duket se ka pak gjasa të ndodhë për shkak të marrëdhënieve të krijuara kohët e fundit në pushtet. Rezultatet finale nuk priten përpara fundit të javës edhe pse rezultatet paraprake janë bërë të ditura që pas mbylljes zyrtare të sondazheve pasditën e së dielës.
Të dy partitë që priten të jenë në koalicion kanë bërë thirrje për forcimin e kufijve austriakë dhe deportime të shpejta për azilkërkuesit e refuzuar. Në fillim të këtij viti Heinz-Christian Strache tha se Austria po “islamizohej” dhe bëri thirrje për ndalimin e simboleve myslimane. Deri tani pritet që socialdemokratët të zënë vendin e dytë në zgjedhjet parlamentare austriake.
Duke qenë se Kurz mund të mos ketë shumë mundësi zgjedhjeje, ai do të zgjedhë të hyjë në koalicion me partinë e lirisë antiemigracion. Teksa fliste për mbështetësit e tij, Kurz tha: “Ka ardhur koha të ndryshojmë vendin. Sot është fitore e madhe për ne dhe dëshiroj të falënderoj këtu ata që e kanë bërë të mundur këtë. Jam i mbushur me lumturi dhe mezi pres të punoj për Austrinë”.

Kush është Sebastian Kurz
Përpara zgjedhjeve, Kurz ishte ministri i Jashtëm më i ri i Europës pasi u emërua në vitin 2013, kur ishte vetëm 27 vjeç. Në maj të vitit 2017, ai u bë lideri i Partisë së Popullit. Ai nisi karrierën e tij politike në forumin rinor të partisë, të cilin e ka drejtuar përpara se të merrte postin e këshilltarit në bashkinë e qytetit të Vjenës. I etiketuar si “Wunderwuzzi” (përkthyer pak a shumë “mjeshtri i mrekullueshëm”), ai është krahasuar me liderët e rinj të Francës dhe Kanadasë, Emmanuel Macron dhe Justin Trudeau.
Njëlloj si Macron, Kurz ka krijuar një lëvizje përreth tij duke rishpikur imazhin e Partisë së Popullit, që ka qenë në pushtet për më shumë se 30 vite, si “Partia e Re e Popullit”.
Ndër çështjet dominuese që janë diskutuar gjatë fushatës zgjedhore përpara votimeve ka qenë emigracioni dhe Kurz e ka pozicionuar partinë e tij qartazi në të djathtë në lindje të krizës së refugjatëve në Europë në vitin 2015. Ai iu drejtua kryesisht zgjedhësve konservatorë dhe të djathtë duke u zotuar se do të mbyllte rrugët nga ku hynin refugjatët, të ndërpriste përfitimet që merrnin refugjatët dhe nuk do t’i lejonte më emigrantët të merrnin përfitime derisa të kishin jetuar të paktën 5 vite në Austri.
Pozicionimi i zgjedhësve djathtas është parë si përgjigje ndaj suksesit të Partisë së Lirisë, e cila e humbi me rezultat shumë të ngushtë presidencën në dhjetor kur Norbert Hofer i humbi zgjedhjet përballë Alexander Van der Bellen. Partia e Lirisë ka akuzuar Kurz se ka kopjuar politikat e saj, madje kandidati Heinz-Christian Strache e ka quajtur “mashtrues”.
Kurz pritet të shpallet zyrtarisht fitues i zgjedhjeve parlamentare, por nuk do të ketë mazhorancën. Nëse parashikimet janë të sakta, ai do të duhet të formojë koalicion me shumë gjasa me Partinë e Lirisë. Koalicioni i fundit ndërmjet socialdemokratëve dhe konservatorëve u prish këtë pranverë dhe mund të vërehet ngurrim nga palët për të nisur një të ri. Kurz nuk ka pranuar të diskutojë planet e tij për momentin, duke thënë se do të bisedojë me partitë e tjera. Ai thotë se ka ndërmend të presë rezultatet përfundimtare.

Pozicioni i opozitës
Kancelari aktual, lideri socialdemokrat Christian Kern, mund të humbasë pozicionin e tij pasi fushata zgjedhore u mbush me skandale të shumta, përfshirë edhe akuzat se këshilltari i tij i ngushtë ishte duke drejtuar një fushatë denigruese në fshehtësi në internet kundër kandidatit Kurz. Megjithatë, Kern ka pretenduar ditën e diel se nuk ka ndërmend të rrëzohet si lider, pavarësisht humbjes së thellë të partisë së tij. “E kam thënë gjithmonë se do të qëndroj në politikë për 10 vite dhe kam edhe nëntë vite të tjera për të kaluar”, tha ai për kanalin televiziv “ORF”. Pas një viti tepër të trazuar me luftë të brendshme për pushtet, partia jeshile pro refugjatëve tashmë është ndër partitë e vogla që nuk e kanë ende të sigurt kalimin e pragut të detyrueshëm prej 4 për qind të votave për të qenë pjesë e Parlamentit.

Artikulli paraprakNdarja Territoriale, 60 milonë USD më shumë shpenzime në një vit
Artikulli tjetërLumë HEC-esh dhe një fabrikë