Ndarja Territoriale, 60 milonë USD më shumë shpenzime në një vit

Për shkak të keqmenaxhimit që vjen ndaj reforma tërësisht e hartuar për llogari elektorale nga Rama, sot nga ndarja e re territoriale buxheti i shtetit shpenzon 60 milionë dollarë më shumë, ndërkohë që ishte parashikuar të shpenzonte 80 milionë dollarë më pak. Opozita kërkon rikthimin e debatit për reformën territoriale krahas asaj elektorale.
Në një prononcim për “Ora News”, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida tabaku, tha se forca e saj politike do të përpiqet ta fusë, krahas reformës zgjedhore, edhe ndarjen territoriale në rendin e ditës së debatit politik.
Reforma territoriale e miratuar vetëm me votat e mazhorancës, sipas Tabakut, shërben vetëm si hartë zgjedhore në favor të Partisë Socialiste.
“Bashkitë u ndanë thjesht për llogari elektorale. Në qoftë se themi se reforma territoriale do të kursejë 80 mln dollarë, sot sipas Ministrisë së Financave, reforma territoriale shpenzon 60 mln dollarë më shumë se ç’shpenzonte para vitit 2014. Nuk ofrojnë asnjë lloj shërbimi, nuk kanë asnjë buxhet, por paguajnë paga dhe kanë një nivel qeverisje që është i kotë”, tha Tabaku.
“Po shumëzojnë me zero Kushtetutën dhe po krijojnë këto mekanizma që në fund të ditës do të luajnë funksionin e qarkut, do të mbledhin funksionet e Arsimit, Bujqësisë, etj., pa e ndryshuar Kushtetutën. Së pari, është antikushtetuese dhe së dyti, nuk ka për të funksionuar. Që kjo reformë territoriale të kishte disa rezultate të pritshme, duhej që ne të kishim ndjekur një rrugë tjetër dhe të mos shihnim interesin elektoral”, përfundoi deputetja e Partisë Demokratike.

Artikulli paraprakTë ardhurat nga renta në rënie
Artikulli tjetërE djathta austriake fiton zgjedhjet