Debat i fortë në Kroaci, kroatët pyesin; kush pagoi për pushimet e Presidentit, Milanoviç: Paguan shqiptarët

Në Kroaci ka shkaktuar reagime të shumta udhëtimi i Presidentit Zoran Milanoviç në Shqipëri, i cili në fillim të gushtit kaloi 2 ditë në një nga resortet e Jalës me kryeministrin Edi Rama. Komisioni për Vendosjen e Konflikteve të Interesit në Kroaci i ka kërkuar shpjegime zyrës së Presidencës për udhëtimin. Mediat kroate shkruajnë se fillimisht nga Presidenca kanë marrë përgjigje se bëhej fjalë për një vizitë private.

Por, duke qenë se Milanoviç, përdori një helikopter ushtarak dhe një anije të marinës kroate për këtë udhëtim, shpenzimet e të cilës mbulohen nga buxheti i shtetit, Komisioni për Vendosjen e Konflikteve të Interesit, nuk është i kënaqur me përgjigjen e “vizitës private” dhe po kërkon nga Milanoviç dhe Ministria e Brendshme e vendit të japin shpjegime të tjera.

Presidentja e Komisionit që vendos mbi konfliktin e interesave Nataša Novaković, i dërgoi një kërkesë Presidencës për të marrë më tepër detaje. Si përgjigje u është thënë se vizita ka qenë si pjesë e detyrave presidenciale të Milanoviç ndërsa për akomodimin, u është thënë se ka qenë në “kurriz” të shtetit shqiptar. Por edhe këtë gjë, Komisioni e konsideron dhuratë të paligjshme, por për të mos spekuluar mbi këtë detaj, presin sqarime të dokumentuara.

“Nga njëra anë, thuhet se ishte një udhëtim privat, nga ana tjetër, na është dhënë një përgjigje se është zyrtare. Këto janë kontradiktore dhe duhet ta sqarojmë. Ne patjetër kemi nevojë për dokumente për të mbështetur atë që thuhet”,- tha Novaković për dnevnik.hr.

Milanović u transportua me një helikopter ushtarak nga ishulli Hvar ku ndodhej me pushime për në Dubrovnik. Atje hipi në një anije luftarake detare dhe më pas lundroi në jug me jahtin e dikurshëm të Titos.

Përveç detajeve të udhëtimit 2-ditor, Komisioni gjithashtu dëshiron të sqarojë plotësisht marrëdhëniet e Milanoviçit me Ramën. Mediat kroate kujtojnë kohën kur flitej se Milanovic ka qenë këshilltar i kryeministrit Rama.

Në nëntor 2017 kur Milanoviç ishte tërhequr nga politika, Rama ishte shprehur: “Sa i përket Zoran, ai është një mik i shkëlqyer i imi, unë i kërkoja këshilla kur ai ishte kryeministër dhe unë do ta pyes atë sa herë që më duhet. Ai është aq i mirë sepse nuk është kurrë vonë për të dhënë këshilla”.

Në janar të këtij viti Milanoviç tha për Ramën: “Sot ne jemi në kontakt dhe e dëgjojmë njëri-tjetrin. Ai është një njeri i shkëlqyeshëm. Unë nuk mund t’i kthej favorin në asnjë mënyrë. Unë nuk kam punuar për qeverinë shqiptare dhe zotin Rama”.

“Ne do të duhet ta përcaktojmë edhe atë marrëdhënie dhe do të gjejmë mënyra për të marrë informacionin”,- thotë Nataša Novaković.

Udhëtimi ka kushtuar 100 mijë kuna, (rreth 13 300 euro). Edhe opozita ka kërkuar llogari nga Presidenca duke i kërkuar kreut të shtetit që të publikojë faturat e udhëtimit. Por edhe partia në pushtet kërkoi transparencë.

“Gjithçka duhet të jetë transparente. Gjithçka duhet të sqarohet, kur bëhet fjalë për interesin publik, nëse vizita ishte private apo zyrtare,” – tha Ministri i Administratës dhe Drejtësisë Ivan Malenica.

Artikulli paraprakTabaku i kujton Ramës një deklaratë me dorëheqje për koncesionin 400 milionë euro
Artikulli tjetërShqiptarët e Malit të Zi kundër Ramës: S’na ke ndihmuar kurrë, tani po na dëmton me sjelljet e tua destruktive