Shqiptarët e Malit të Zi kundër Ramës: S’na ke ndihmuar kurrë, tani po na dëmton me sjelljet e tua destruktive

Ditët e fundit ka pasur një angazhim intensiv të Tiranës zyrtare për zgjedhjet parlamentare të së dielës në Malin e Zi. Kanë qenë disa mesazhe nga kryeministri Edi Rama që kanë tërhequr vëmendjen.

Fillimisht ai shpërndau një mesazh në gjuhën serbe dhe angleze duke i dhënë mbështetje partisë së Milo Gjukanoviç dhe duke mos thënë asnjë fjalë për shqiptarët. Pas reagimeve që kjo shkaktoi Rama nxori një ditë më pas një tjetër video ku bënte thirrje për dalje masive të shqiptarëve në zgjedhje dhe për të mbështetur “Listën shqiptare”.

Por në zgjedhjet e së dielës në Malin e Zi janë dy koalicione shqiptare që garojnë. Njëri është Lista Shqiptare” (Alternativa, Forca, LDSH) dhe tjetri “Bashkë Nji Za” (PD, UDSH, LDnëMZ). Në deklaratën e tij Rama kërkoi që të votohej vetëm njëri koalicion.

“Ju bëj thirrje të mos e lini për asnjë arsye pa e ushtruar të drejtën e votës suaj dhe ta mbështesni sa më fuqimisht Listën Shqiptare. Ajo listë nuk është thjesht një mbledhje partish shqiptare, po lidh për herë të parë Malësinë dhe Ulqinin në një grupim të vetëm e si rrjedhojë, lidh bashkë shqiptarët në ato treva për të mbështetur njeri-tjetrin dhe drejtimin euroatlantik të Malit të Zi” – shprehej Rama duke shtuar:

“Vëllezër e motra, përfshihuni, përfshihuni, përfshihuni dhe të dielën dilni nga shtëpia për të mbështetur Listën Shqiptare dhe mbrojtur e forcuar partneritetin strategjik me Presidentin Gjukanovic, për një Mal të Zi pro-perëndimor e demokratik”.

Edhe zëvendësi i Ramës në ministrinë e Jashtme i shkoi pas të njëjtës linjë.

“Ju bëjmë thirrje të gjithë bashkëkombasve tanë, vllezërve tanë në Mal të Zi, të dalin masivisht në zgjedhjet e së dielës për ta mbështetur fuqimisht Listën Shqiptare dhe ruajtur projektin euroatlantik të Malit të Zi. Kjo listë nuk lidh për herë të parë vetëm Malësinë e Ulqinin por duhet të bashkojë gjithë shqiptarët pa dallim 🇽🇰🇦🇱” – shkroi Gent Cakaj në Facebook.

Këto deklarata kanë shkaktuar menjëherë reagime në Malin e Zi. Kreu i Unionit Demokratik të Shqiptarëve dhe njëkohësisht anëtar i koalicionit shqiptar “Bashkë Nji Za”, Mehmed Zenka, i ka quajtur këto qëndrime si shqetësuese, të rrezikshme dhe përçarëse.

“Me sjelljet e juaja po i thelloni përçarjet mes nesh çka është tepër e rrezikshme për shqiptarët në Mal te Zi. Edhe koalicioni shqiptar “Bashke nji za” shtrihet në të gjitha trevat e Malit të Zi ku jetojnë shqiptarët me degë dhe organe tjera partiake, gjithashtu jemi parti të cilat jemi më të vjetra në Mal të Zi (fillimet e viteve ’90) dhe kemi përkrahur të gjitha proceset pozitive integruese Euroatlantike të Malit të Zi” – shkruan Zenka në një mesazh në Facebook.

“Kur nuk keni qenë kurrë të zotët që të na ndihmoni dhe mbështesni në realizimin e aspiratave tona politiko-ekonomike, atëherë ju lutemi mos na dëmtoni duke nxit përçarje me sjelljet e juaja tejet destruktive për ne shqiptarët në mal të zi” – e mbyll ai.

Artikulli paraprakDebat i fortë në Kroaci, kroatët pyesin; kush pagoi për pushimet e Presidentit, Milanoviç: Paguan shqiptarët
Artikulli tjetërMessi refuzon të takojë Bartomeun, babai i tij drejt Mancesterit