De Biasi do ta sfidojë Italinë në Bolonja

Një protagonist absolut në krye të kombëtares dhe tashmë një personazh mjaft i dashur në Itali. Pasi paralajmëroi “të kaltërit” se nuk do ta kenë aspak të lehtë ndaj Shqipërisë, Gianni de Biasi ka folur edhe për duelin e 24 marsit, ku kuqezinjtë do të jenë ekipi udhëtues.
Në një intervistë të gjatë për gazetën italiane “Tuttosport”, të publikuar edhe në faqen e parë, trajneri italo-shqiptar, zbuloi edhe preferencat, për qytetin e mundshëm ku do të luhet ndeshja e vlefshme për Grupin G kualifikues të Botërorit 2018.
“Do të më pëlqente të luaja në veri të Italisë. Ndoshta në Torino, ku vetëm pak ditë më parë u zhvillua ndeshja me Spanjën apo ndodhta edhe në Verona. Për mua do të ishin ideale edhe qytete si Udine dhe Bolonja, ndërsa do të shkoja me dëshirë te kjo e fundit, nëse do të më duhej të zgjidhja”, deklaroi De Biasi.
Në prononcimin për gazetën torineze, ishte e pashmangshme edhe analiza rreth ekipit “granata”, goditjeve në merkato dhe punës së mirë nga drejtuesit e klubit, në hartimin e një projekti ambicioz dhe përforcimit të skuadrës me lojtarë të rëndësishëm.
Nuk mund të mungonte edhe një koment për Arlind Ajetin, me De Biasin që u shfaq i lumtur për rikuperimin e plotë të mbrojtësit të Torinos dhe u shpreh i sigurt se nëse trajneri Mihajloviç do t’i japë një shans, 23-vjeçari nuk do t’i zhgënjejë pritshmëritë, pas paraqitjeve të shkëlqyera gjatë sezonit të kaluar në Serinë A me Frosinonen.

Artikulli paraprakAsist perfekt i Valdet Ramës
Artikulli tjetërNdalet Dortmundi