Bursa e re private, si do funksionojë

Vetëm pak ditë më parë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare licencoi Bursën shqiptare të Titujve ALSE SH.A. Sipas një vendimi të publikuar dje nga vetë autoriteti rezulton që kjo bursë do të tregtojë fillimisht vetëm titujt e qeverisë. “Shoqëria ‘Bursa shqiptare e Titujve ALSE’ sh.a., 1 vit pas vënies në funksionim të infrastrukturës teknike, do të ushtrojë vetëm veprimtarinë në titujt e qeverisë të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në vendim.
Burime nga Bursa thanë për “Monitor”, se ata janë në një fazë shumë intensive për përgatitjen e të gjithë infrastrukturës institucionale për procesin e klerimit dhe shlyerjes së titujve joqeveritarë (aksione, obligacione), por në arkitekturën aktuale të tregut mungojnë institucione specifike që do të mundësonin ofrimin e këtij shërbimi.
Aktualisht në tregun shqiptar të titujve funksionon vetëm depozitari qendror i titujve të qeverisë (bono, obligacione), i cili administrohet nga Banka e Shqipërisë, përmes platformës Afisar, ndërsa për titujt privatë një platformë e tillë mungon. Kjo është arsyeja pse faktikisht Bursa do të fillojë me titujt e qeverisë dhe shumë shpejt (deri në tremujorin e parë të vitit që vjen) pasi AMF të ketë licencuar institucione të tjera financiare analoge me Afisar, po për titujt jo qeveritare, do të mundësohet tregtimi i titujve privatë. Sapo të licencohet ky institucion shumë shpejt bursa do të ketë mundësi t’u ofrojë investitorëve edhe tituj të tjerë si aksione dhe obligacione të korporatave, thonë burime nga Bursa, që theksojnë se ajo është e licencuar për tregtimin e titujve dhe tregton çdo lloj titulli.
“Bursa shqiptare e Titujve, ALSE” sh.a. është një shoqëri aksionere, me tre aksionerë themelues: Banka Credins sh.a., me 42.5% të kapitalit, Banka Amerikane e  Investimeve sh.a. me 42.5% të kapitalit dhe shoqëria AK Invest sh.a. me 15% të kapitalit. Kapitali i regjistruar i kësaj shoqërie është 50,000,000 lekë. Ajo do të ketë si aktivitet kryesor: Tregtimin si bursë letrash me vlerë, për tregtimin e titujve dhe instrumenteve të tjerë financiarë; Realizimin e një platforme tregtimi shumëpalëshe; Edukimin, promovimin dhe dhënien e informacionit grupeve të interesuara lidhur me veprimtaritë e tregut të kapitalit, aktivitetin e emetuesve të titujve të listuar në bursën e titujve dhe aktivitetin e anëtarëve të bursës së titujve.
Shoqëria “Bursa shqiptare e Titujve, ALSE” sh.a. do të përdorë sistemin elektronik të quajtur “Quick Trade”, sistem i cili përdoret edhe nga Bursa e Lubjanës në Slloveni, si edhe nga Bursat e Shkupit, Sarajevës, Banja Lukës dhe Malit të Zi. Ky sistem mund të kryejë deri në 100,000 transaksione në ditë.
Sipas AMF, në tregun shqiptar, krijimi i një burse është aktivitet progresiv për ekonominë e vendit, një pikë takimi midis njësive ekonomike për të gjetur kapital dhe për të rritur biznesin e tyre, si dhe qeverisë për të gjetur financime për projekte zhvilluese dhe për pushtetin vendor.

Artikulli paraprakRritja e borxhit publik nuk ndalet
Artikulli tjetërPastrim parash, gjobiten 5 banka në Shqipëri