Anëtarët e opozitës në KQZ: Regjistrimet jashtë afateve

Tre anëtarët e opozitës në KQZ janë shprehur se regjistrimi i listave të deputetëve më 29 prill është i pavlefshëm, dhe si rrjedhojë dhe shkelje e ligjit. Sipas tyre, deklaratat e bëra në media nga ana e këtij institucioni me urdhër të kryetarit Biba, nuk përfaqësojnë qëndrimin e tre anëtarëve, duke shtuar se ato janë qëndrime personale të kryetarit të KQZ, i cili në këtë rast është në shkelje të kompetencave që ja ngarkon ligji. Në deklaratën e firmosur nga Hysen Osmanaj, Klement Zguri dhe Vera Shtjefni ndër të tjera thuhet se, “Tre anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), informojnë opinionin publik se deklaratat e KQZ të ditëve të fundit (datat 29 dhe 30 prill 2017) nuk përfaqësojnë asnjë vendimmarrje të KQZ. Ato janë qëndrime personale në kundërshtim me misionin e KQZ-së, si organi më i lartë shtetëror, i ngarkuar nga ligji zgjedhor për administrimin e zgjedhjeve, si edhe janë tejkalim flagrant i kompetencave të kryetarit të këtij organi. Fatkeqësisht në deklaratën e datës 29 prill 2017, jashtë mbledhjes së KQZ dhe në tejkalim të çdo kompetence ligjore, në emër të KQZ, është bërë një interpretim subjektiv i nenit 67 të Kodit Zgjedhor, duke vendosur që “afati i regjistrimit të listave shumë emërore të kandidatëve të partive politike, të regjistruara si subjekte zgjedhore për zgjedhjet e datës 18 qershor 2017 […]  korrespondon me datën 29 prill 2017”, pavarësisht se në çdo përllogaritje kjo datë duhej të ishte 28 prill 2017, në mesnatë”, thuhet në deklaratën e komisionerëve të opozitës.

Shtyrja e afateve

Por duket se Biba i KQZ nuk është mjaftuar me kaq. Me anë të një tjetër deklarate sipas anëtarëve të KQZ, më datë 30 prill në një tjetër dalje publike shpik norma të reja ligjore, duke vendosur një afat tjetër atë të 9 majit. “Rrjedhimisht, çdo regjistrim për lista të paraqitura nga subjektet tej këtij afati është nul, i paligjshëm dhe i pavlefshëm. Në shkelje flagrante të Kodit Zgjedhor, përmes një deklaratë të dytë (datë 30 prill 2017), kryetari i KQZ shpik norma të reja ligjore, duke vendosur një afat tjetër ligjor për regjistrimin e subjekteve zgjedhore/listave të kandidatëve, datën 3 maj 2017, kur dihet që ky afat ka mbaruar prej më shumë se 20 ditësh. KQZ nuk mund të krijojë apo ndryshojë afatet ligjore zgjedhore që i ka caktuar Kodi Zgjedhor përmes deklaratave, por duhet vetëm t’i zbatojë ato. Shprehim shqetësim të thellë që këto qëndrime të përsëritura po kompromentojnë misionin e KQZ, duke i dhënë KQZ, një pozicion partizan, të anshëm, në shërbim të mazhorancës politike aktuale. Nëse vazhdohet me këto qëndrime, KQZ rrezikon të dëmtojë rëndë procesin zgjedhor”, thuhet në deklaratën e tre anëtarëve të KQZ.

Basha: Farsa zgjedhore, nuk janë 17 parti por vetëm koalicioni i drogës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha dje se numri i partive të majta të regjistruara është fiktiv, pasi për votimet e 18 qershorit është regjistruar vetëm koalicioni i 2015-ës që është ende në pushtet. Basha ka ironizuar dhe lënien jashtë të disa prej tyre si fjala vjen Bamir Topi, apo Petro Koçi, të cilët sipas kreut të PD-së e humbën farsën zgjedhore për shkak të pazareve. Basha u shpreh se, shqiptarët duhet ta dinë se ky është koalicioni i drogës dhe i krimit me në krye Edi Ramën dhe mercenarët e tij. E vërteta e thjeshtë është se për votime është regjistruar vetëm një subjekt zgjedhor: koalicioni i 2015-ës që është ende në pushtet. Madje edhe koalicioni nuk është i plotë, pasi disa bishta mbetën rrugës, në pazare e sipër. Tani, ky subjekt i vetëm po përpiqet t’i hedhë hi syve shqiptarëve dhe të huajve, duke u shtirur sikur janë 17 subjekte. Por është një dhe vetëm një: koalicioni i turpit, koalicioni i vjedhjes, koalicioni i abuzimit, koalicioni i drogës dhe i krimit me në krye Edi Ramën dhe mercenarët e tij”, shkruan Basha në rrjetin social Facebook. Sipas kreut të PD-së, e vërteta është e thjeshtë dhe shqiptarët nuk do të mashtrohen. Monizëm në Shqipëri ska për të pasur, si në kohën e diktaturës me Ramiz Alinë. “Por shqiptarët nuk mashtrohen. Monizëm në Shqipëri nuk ka për të pasur më, me asnjë çmim, në asnjë formë. Sot nuk mund të përsëritet dot më skema e Ramiz Alisë, që pretendoi zgjedhje “pluraliste” me Partinë e Punës, Frontin Demokratik e Bashkimin e Grave, deri sa studentët, intelektualët dhe qytetarët e Lëvizjes së Dhjetorit e ndalën maskaradën e tij. Shqiptarët e kanë lënë pas diktaturën dhe do dinë të mbrojnë pluralizmin dhe të drejtën e tyre për votë të lirë”, përfundon postimi i Bashës.

Si po e shkel ligjin Biba i KQZ për të nxjerrë Ramën nga situata?

Denar Biba po e ndihmon hapur Edi Ramën në shkelje të ligjit, për të realizuar planin e tij për ngritjen e opozitave fasadë. Dje, KQZ doli me një deklaratë ku tha se, ky institucion e ka shtyrë afatin e regjistrimit të listave shumëemërore deri më datën 9 maj. Pra, Denar Biba nuk u mjaftua që e shkeli ligjin me një ditë më shumë, por tani afatet strikte të tij po i shkel dhe me 11 ditë të tjera. Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, tha dje në fjalën e tij se, partive të opozitës po u afrohen deri në 500 mijë euro për t’u regjistruar në zgjedhje. Duket se këtij plani po i shkon mbrapa dhe Biba i KQZ, por harron se është në shkelje të hapur të ligjit zgjedhor. Ende nuk kuptohet se përse e kërkon këtë kohë Edi Rama, kur opozita ka deklaruar se nuk regjistrohet në zgjedhje. Afati për subjektet ka përfunduar me kohë, po ashtu dhe ai i regjistrimit të subjekteve. Edi Rama duket se është në një situatë të pashpresë, me gjithë zërat e blerë që hedh sa andej këndej për nevojën e pjesëmarrjes së opozitës në zgjedhje. Në fakt, ai e di fare mirë, se me ato mandate që do i fitojë vetëm me 25-30% të pjesëmarrjes nuk do të mund të bëjë asgjë. Ai do ketë një qeveri të delegjitimuar dhe pamundësi të funksionimit të institucioneve. Nga kjo s’mund ta shpëtojë askush, as presidenti i ri që e zgjodhi në kushte konspiracioni, duke djegur tre rauande. Nga kjo s’mund ta shpëtojë as Denar Biba, i cili po shkel dhe shkelmon Kodin Zgjedhor, pavarësisht se zgjedhjet tashmë janë shkatërruar. Biba duhet ta dijë se shkelja e kodit ka penalitetet e saj. Në rast se neni  67 i kodit përcakton qartë se dorëzimi i listave shumëemërore bëhet 50 ditë përpara, atëherë kush është ai që vendos ta shtyjë këtë afat në jo pak, por 38 ditë, duke shkelur kodin e miratuar me shumicë të cilësuar nga të dyja partitë. Denar Biba duhet ta kuptojë se, përpara se të jetë një militant i bindur i partisë që e ka caktuar në atë post, së pari, është zyrtar i shtetit, dhe askush se ka vënë në atë post të kryejë rolin e “bamirësit” zgjedhor, që të shpikë ligje e afate. Përndryshe, ligji me Ramën apo pa Ramën do të funksionojë.

Artikulli paraprak“Bëhuni gati për luftë”
Artikulli tjetërSHBA: Zgjedhjet të garantojnë pjesëmarrjen e opozitës