“Bëhuni gati për luftë”

Këshilltari i Sigurisë i presidentit amerikan Donald Trump ka paralajmëruar SHBA-të të përgatiten për luftë. Gjenerali i Lartë i Drejtësisë McMaster, njëherit këshilltar i presidentit për Sigurinë Kombëtare, tha se Shtetet e Bashkuara duhet “të përgatiten për opsione ushtarake” si një bllokim bërthamor me Korenë e Veriut që tashmë ka arritur pikën e krizës. Ai tha se, Amerika ka nevojë për një “opsion ushtarak praktik” për të kërcënuar diktatorin korean Kim Jong-un. “SHBA duhet të jetë në gjendje t’i përgjigjet regjimit komunist, për të shmangur një “luftë të madhe, madhore, katastrofike”, tha McMaster, shkruan gazeta britanike “Daily Star”, përcjell “Bota sot”. Trump është zotuar se do të ndalojë të “çmendurin” Kim për zhvillimin e një arme bërthamore e aftë për të arritur deri në kontinentin e SHBA-ve. Ai është duke i bërë presion Kinës, që të frenojë fqinjin dhe aleatin e tij të paqëndrueshëm. Koreja e Veriut testoi një raketë balistike këtë fundjavë. Dhe Trump ka paralajmëruar se lufta mund të jetë e pashmangshme. Tani McMaster tha se, ata duhet të përgatisin një plan lufte. Ai tha: “Ne duhet të bëjmë diçka përsëri me partnerë në rajon dhe në nivel global”. “Dhe kjo përfshin zbatimin e sanksioneve të OKB-së që janë në vend. Kjo mund të nënkuptojë që të shtyhen këto sanksione edhe më tej. Dhe kjo gjithashtu do të thotë të jesh i përgatitur për operacione ushtarake, nëse është e nevojshme”, tha ai. McMaster tha se, Koreja e Veriut do të negociojë vetëm, nëse kërcënimi i veprimit ushtarak varet nga ajo. Ai tha: “Ju keni nevojë për opsionin e mundshëm, opsionin ushtarak, për të ndihmuar që të bëni atë që keni bërë në mënyrë diplomatike, ekonomike, me sanksione të zbatueshme, të jeni në gjendje ta zgjidhni këtë problem të vogël, i cili siç tha presidenti, mund të shndërrohet në luftë të madhe dhe një katastrofë humanitare”.

Tensionet
Tensionet midis SHBA-së dhe Koresë së Veriut sa vijnë e rriten. Retorikë të ashpër ka nga të dyja palët, ndërsa Presidenti amerikan Donald Trump, as nuk e pohoi, as nuk e mohoi mundësinë e veprimit ushtarak kundër Phenianit. Ky i fundit ka kryer edhe një test të ri raketor dhe ka shqetësime se po zhvillon raketa me kapacitet për të goditur SHBA-në. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se “nuk do të ishte i lumtur” nëse Koreja e Veriut kryen një provë tjetër bërthamore, e cila do të ishte e gjashta me radhë. Koreja e Veriut, e cila po bën përpjekje të zhvillojë një raketë me rreze të gjatë, me kapacitet për të arritur kontinentin e SHBA-së 9,000 kilometra larg, ka kryer të shtunën një test të ri raketor, por Koreja e Jugut ka thënë se ai ka dështuar. Nëse lideri verikorean, Kim Jong Un, kryen test të ri, nuk do të isha i lumtur, tha Trump për televizionin CBS. “Mund t’ju them se as Presidenti i Kinës, i cili është një burrë i respektuar, nuk do të ishte i lumtur”, shtoi ai. I pyetur nëse kjo do të thotë se SHBA mund të ndërmarrë “veprime ushtarake kundër regjimit verikorean, Trump tha: “Nuk e di, do të shohim”. Trump e përshkroi Kim Jong Un-in si “person të zgjuar”, por tha se SHBA nuk mund të lejojë që Koreja e Veriut të zhvillojë armë bërthamore dhe fajësoi administratat e mëparshme amerikane për mostrajtimin e ambicieve ushtarake të Phenianit. Pheniani ka bërë testin raketor të shtunën, vetëm disa orë, pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, ka paralajmëruar Kombet e Bashkuara për “pasoja katastrofike” nëse komuniteti ndërkombëtar, e veçanërisht Kina, nuk i bëjnë presion Koresë së Veriut për t’i dhënë fund programit të armëve bërthamore. Tensionet në rajon janë rritur së voni dhe të dyja Koretë bëjnë stërvitje të vazhdueshme ushtarake. Amerika ka dërguar luftanije në rajon, ndërsa ka nisur edhe instalimin e një sistemi të mbrojtjes raketore në Korenë e Jugut. Të dielën, përmes një artikulli në agjencinë shtetërore të lajmeve KCNA, Pheniani i kërkoi SHBA-së të “meditojë mbi pasojat katastrofike që do të sjellin provokimet e saj të pamenduara ushtarake”. Sot, Japonia ka dërguar luftanijen e saj më të madhe Izumo për të shoqëruar një anije amerikane që do të furnizojë flotën detare në rajon. Anija Izumo, e gjatë 249 metra, mund të bartë deri në nëntë helikopterë. Agjencia japoneze e lajmeve “Kyodo” tha se, anija është nisur nga baza Yokosuka në jug të Tokios, për t’iu bashkuar anijes amerikane të furnizimit dhe për ta shoqëruar atë në Shikoku, në perëndim të Japonisë. Izumo është luftania e parë që aktivizohet, jashtë stërvitjeve, në bazë të një ligji të ri, të miratuar në vitin 2015, i cili i lejon Japonisë t’i dalë në ndihmë një aleati. Kritikët thonë se ky ligj shkel Kushtetutën paqësore të Japonisë së pas Luftës së Dytë Botërore. Ata po ashtu thonë se, ligji mund ta dërgojë vendin në luftëra të panevojshme.

Artikulli paraprakKoreja e Veriut fajëson Amerikën
Artikulli tjetërAnëtarët e opozitës në KQZ: Regjistrimet jashtë afateve