SHBA: Zgjedhjet të garantojnë pjesëmarrjen e opozitës

Përfaqësuesit e Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit kërkojnë nga Shqipëria që të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe njëkohësisht zgjedhjet duhet të garantojnë pjesëmarrjen e qytetarëve dhe gjithë forcave politike. Në vijim të vizitës së tij në Uashington, kreu i PR, Fatmir Mediu ka takuar këshilltaren e nën/sekretarit për Sigurinë, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut në Departamentit e Shtetit, Pam Pryor dhe këshilltarin në Shtëpinë e Bardhë për Departamentin e Shtetit, Mathew Mowers. Mediu ka njohuar dy zyrtarët e lartë me situatën dramatike me të cilën përballet Shqipëria sot për shkak të kapjes së shtetit nga narkotrafiku dhe krimi i organizuar, si dhe kushtet në të cilat Shqipëria nuk mund të mbajë dot zgjedhje të lira dhe të ndershme nën këtë regjim. Kreu i PR ka njohur dy këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit me kauzën e opozitës për garantimin e votës së lirë së shqiptarëve përmes krijimit të një qeverie teknike. Mediu theksoi se opozita është e vendosur në rrugën e saj për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Në Shqipëri duhet të vendosin qytetarët me votë të lirë dhe jo krimi e trafiku i drogës”. Përfaqësuesit e Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit theksuan se SHBA kërkojnë nga Shqipëria që të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe njëkohësisht zgjedhjet duhet të garantojnë pjesëmarrjen e qytetarëve dhe gjithë forcave politike. Krimi i organizuar, trafiku i drogës përbën një rrezik real për demokracinë shqiptare. Mediu po ashtu zhvilloi takim me senatorin Inhofe dhe Ted Cruz, kandidat për President i SHBA. Në Kongres u takua me kongresmenët Bob Goodlatte, kryetar i Komisionit të Drejtësisë, i cili do të vizitojë Tiranën, John Rotcliffe, kryetar i Komisionit për Sigurinë Kibernetike dhe kongresmenin Richard Hudson. Në këto takime, Mediu shpjegoi situatën në Shqipëri dhe pamundësinë për zgjedhje të lira, për shkak se qeveria tashmë ka marrë një qëndrim kundër interesave të demokracisë dhe shqiptarëve, të drejtës së tyre për të votuar. Shqipërinë në duar të krimit, trafikut të drogës dhe korrupsionit është kthyer një problem real sigurie për Europën, është shprehur Mediu gjatë takimeve me zyrtarët amerikanë. Po ashtu, ai theksoi se propaganda e qëllimshme e qeverisë se opozita është kundër reformës në drejtësi është një gënjeshtër, sepse ishte opozita ajo që bëri të mundur votimin e saj në Parlament. “Pa votat dhe punën e opozitës nuk do të ishin miratuar ndryshimet kushtetuese. Mazhoranca doli kundër konsensusit dhe po kërkon që me ligje jo kushtetuese të kontrollojë, emërojë dhe shkarkojë gjyqtarë e prokurorë për interesa politike”, tha Mediu. Zyrtarët e lartë amerikanë kanë theksuar se zgjedhjet e lira janë detyrim për Shqipërinë, dialogu dhe krijimi i besimit të qytetarëve dhe opozitës në proces është domosdoshmëri. “Drejtësia duhet të jetë e pavarur nga politika dhe pushteti gjyqësor duhet të funksionojë bazuar në parimin check and balance”, janë shprehur ata. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka zhvilluar takime edhe në Senat dhe në Kongres. Qëllimi i vizitës ka të bëjë me zhvillimet në Shqipëri dhe një proces tashmë të paracaktuar të manipulimit të procesit zgjedhor, si rezultat i dështimit të qëllimshëm të ndryshimeve në reformën zgjedhore nga mazhoranca, si dhe bashkëpunimit të qeverisë me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës në mënyrë të veçantë të trafikut të kanabisit dhe përdorimit të parave të krimit në procesin zgjedhor, të provuara si manipulime konkrete në zgjedhjet lokale dhe ato të parakohshme në disa bashki.

Artikulli paraprakAnëtarët e opozitës në KQZ: Regjistrimet jashtë afateve
Artikulli tjetërTë dielën në Kavajë, nga e hëna në gjithë Shqipërinë