Në Shqipëri java e shkuar shënoi një tjetër rekord të vdekjeve nga Koronavirusi, ndërsa rastet e reja u ulën, paralelisht me reduktimin e testimeve.
Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës dëshmojnë se 94 persona, ose 9 më shumë se një javë më parë, humbën jetën në spitale, shifra më e lartë e rregjistruar deri më tani. Vetëm në 24 orët e fundit pati 12 viktima: 5 qytetarë nga Tirana, 1 qytetar nga Durrësi, 1 qytetar nga Vlora, 1 qytetar nga Elbasani, 1 qytetare nga Patosi, 1 qytetar nga Gramshi, 1 qytetar nga Puka, 1 qytetar nga Shkodra. Në total, deri më tani, janë 810 persona të cilët kanë humbur jetën.
Ndërsa numri i vdekjeve u rrit, rastet e reja shënuan ulje me 9.8 përqind, duke zbritur në një total javor prej 4.626 të prekurish, ose një mesatare ditore prej 660 rastesh. Ulja duket se i dedikohet reduktimit, me mbi 11 përqind, të numrit të testimeve, të cilat, javën e shkuar ranë në 15.244 tamponë, me një mesatare ditore prej 2177 testimesh.
Tkurrja e numrit të të prekurve nuk duket se reflekton ndonjë tendencë rënëse të përhapjes së pandemisë, përsa kohë pozitiviteti (raporti mes rasteve dhe numrit të testimeve) u rrit sërish duke u ngjitur në një mesatare të lartë javore prej 30.3 përqind. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.
Pasqyrë e kësaj situate është rritja progresive e atyre që kërkojnë trajtim spitalor. Në të tre strukturat COVID, deri pasditen e sotme rezultonin të shtruar 491 persona, nga të cilët 25 në terapi intensive dhe 7 të intubuar. Të hënën e kaluar në spitale ishin 439 pacientë./VOA/