Vuçiç dhe përralla e europianit të mirë

“Kandidati proeuropian” ka fituar qartazi zgjedhjet në Serbi, raportojnë mediat perëndimore. Aleksandar Vuçiçit i jepet kështu si paradhënie dëftesa e më të mirit, mendon Dregoslav Dedoviç. Pse konsiderohet Aleksandar Vuçiç si politikan i moderuar nga shumë vëzhgues politikë përkundër tendencave autoritare të tij? Në radhë të parë fajin për këtë e ka klima politike botërore. Qëkur Londra dhe Uashingtoni i kanë kthyer kurrizin BE, çdo fans i BE-së mesa duket është tejet i mirëpritur, edhe kur ai vjen nga Beogradi.
Vërtet, kryeministri i deritanishëm i Serbisë, i cili u zgjodh president mund të qeverisë në pesë vitet e ardhshme pa shumë rezistencë politike. Vitin e kaluar ai siguroi një shumicë dy të tretat në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Tani si kryetar i partisë qeverisëse, Partia e Progresit, SNS dhe njëkohësisht edhe si president i vendit, tek Vuçiç dendësohet aq shumë pushtet – saqë për herë të fundit një përqendrim të tillë e kemi parë në kohën e Millosheviçit.
Kjo në një kohë kur pavarësia e institucioneve në Serbi nuk është ende realitet. Pushteti zbarkon aty ku ndodhet edhe kapedani. Presidenti Vuçiç do të instalojë një kryeministër të komandueshëm. Po qe se qeveria bën punë të mirë edhe ai do të shkëlqejë. Po qe se jo, Vuçiç do të distancohet, madje mund të kthehet në kritikun më të madh të saj. Ai nuk ka nevojë më të veprojë, ai do të lerë të tjerët të veprojnë. E në fund shërbëtorët besnikë që jetësojnë axhendën e tij, ai ose do t’i lëvdojë ose do t’i ndëshkojë.

Demokrat i pastër?
Në kryeqytetet europiane dihet preferenca e Vuçiçit për të fyer gazetarët, poshtërimi i opozitës, po ashtu edhe metodat e tij manipulative të sundimit. Jashtë mikrofonëve pohohet, se ky gjoja demokrat që lëvdohet aq shumë, në shtëpinë e vet tregon një fytyrë tjetër jo tamam demokratike, por me delir vetëkonfirmimi. Por për sa kohë që ai pozicionohet me tone pajtuese në çështjen e Kosovës dhe përsërit refrenin e stabilitetit, në Perëndimin pragmatik do të mbahen në tone të ulëta kritikat për gjendjen e mjerueshme të medias dhe të sistemit të drejtësisë.
Sigurisht krahasuar me të shkuarën e përgjakshme, gjendja aktuale në Beograd mund të quhet madje idilike. Edhe po të shohësh tensionet e brendshme politike në Bosnje-Hercegovinë, Maqedoni, Kosovë, Vuçiç na paraqitet si një zotëri i mirë, që nuk i hap shumë probleme Perëndimit. Në këtë kontekst ai mund të luajë në Serbi si të dojë, mund të paraqitet në të gjithë kanalet televizive gati dhjetë herë më shumë se rivalët nga opozita, mund të ushtrojë presion ndaj votuesve me vendin e punës.
Shpresa e dobët është që stili qeverisës i Vuçiçit të bëhet më i moderuar gjatë negociatave me BE. Por kjo shpresë mund të dalë në fund edhe si iluzion. Në pesë vitet e ardhshme, sunduesi i vetëm legjitim me shumë gjasa do ta nxjerrë edhe më qartë fytyrën e tij të vërtetë.

Si u bë papritur europian?
Fitorja e Aleksandar Vuçiçit në zgjedhjet presidenciale në Serbi nuk do të sjellë asgjë të re në politikën që ka ndjekur deri më tash si kryeministër i qeverisë së Serbisë dhe lider i Partisë Përparimtare serbe, tha për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Eric Gordy, profesor në Kolegjin Universitar të Londrës.
“Vuçiç do të vazhdojë të luajë në kartën e alternativës së pranueshme për Perëndimin. Në planin ndërkombëtar edhe më tutje do të aktrojë properëndimorin, ndërsa në planin e brendshëm do të luajë rolin që luan tash e 30 vjet dhe do të sillet si luan i vogël i Partisë Radikale serbe”, tha Gordi.
“Si është e mundur që ministri për Informim i Millosheviçit papritmas të bëhet evropian”, pyeti ai.
Vuçiç shpalli të dielën në mbrëmje fitoren në zgjedhjet presidenciale.
Nga votat e numëruara, ai fitoi mbi 55 për qind.
“Fitorja ime është e qartë si kristal. Kjo është një ditë shumë e rëndësishme për ne, e cila tregon se çfarë drejtimi duhet të marrë Serbia”, tha Vuçiç, i cili është zotuar se do ta anëtarësojë Serbinë në Bashkimin Evropian, porse do të forcojë edhe marrëdhëniet me Rusinë.

Artikulli paraprakMbrojtja në hapësirën kibernetike
Artikulli tjetërMuri i Trumpit mund t’i interesojë firmave gjermane