Vetëkorrigjimi i deklaratave doganore pa gjobat

Bashkimi i Prodhuesve shqiptarë ka paraqitur pranë Ministrisë së Financave një relacioni mbi çështjet e evidentuara dhe konsultuara me sipërmarrjen prodhuese, të cilat kërkojnë vlerësim dhe ndërhyrje për një zgjidhje të qëndrueshme.
Nisur nga fakti se më 1 qershor 2017 hyn në fuqi “Kodi i ri doganor” i Republikës së Shqipërisë dhe në mbështetje të tij “Dispozitat e reja zbatuese”, Bashkimi i Prodhuesve shqiptarë ka evidentuar, konsultuar me anëtarët e tij çështje të lidhura me procedurat doganore, të cilat paraqiten si pengesa reale për sipërmarrjen prodhuese.
Çështja në Kodin Doganor: Neni nr. 289, pika 3: Për të paraqitur ankesën, apeluesi duhet të paguajë shumën e përgjithshme të detyrimeve doganore që duhen paguar, si rrjedhim i verifikimit të bërë dhe të depozitojë, paraprakisht, në llogarinë bankare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave një shumë të barabartë me 40% të shumës së përgjithshme të gjobës së zbatuar nga autoritetet doganore. Shuma që i korrespondon 40%, në asnjë rast, nuk mund të jetë më e madhe se shuma e përgjithshme e detyrimeve doganore që duhen paguar për mallrat që janë objekt i shkeljes. Propozim: Të unifikohet me ligjin për procedurat tatimore, sipas të cilit subjekti detyrohet vetëm të vendosë garanci bankare mbi detyrimin e pretenduar nga administrata. Po kështu, bordi që shqyrton ankimimet për administratën tatimore, të shqyrtojë edhe ato për administratën doganore.
Çështja: Zbatimi praktik i regjimit të përpunimit aktiv, përdorimi i penaliteteve/gjobave ndaj mosmbylljes në kohë të përpunimit të mallrave në regjim aktiv sipas bazës ligjore: udhëzues nr. 1, dt. 6.9.2012, neni nr. 6, pika 3, neni nr. 9, pika 1 dhe 2; shfaqte anomali në mbivendosje të pikës nr. 3, të nenit nr. 6 dhe pikës nr. 2 të nenit 9 të udhëzimit në fjalë. Ndërkohë, dispozita zbatuese, projekt-VKM nr. 446, dt. …. 2017, neni 154, pika nr. 1, paragrafi 2, kanë marrë në konsideratë relativisht këtë çështje, ç’ka më tej kërkon. Propozim: Të përcaktohet qartë në udhëzimin që pritet të pasojë projekt-VKM-të, se në cilat raste dokumenti i mbylljes së regjimit konsiderohet i nevojshëm.
B. Çështje të lidhura me procedurat doganore, të vlerësuara nga praktika e përditshme e përballjes me to
3.Çështja: Bazë për përcaktimin e detyrimeve në dogana janë “çmimet e referencës”. Propozim: Bazë për përcaktimin e detyrimeve të jenë faturat doganore. Meqenëse ligji parashikon përdorimin e çmimeve të referencës kur dokumentet e paraqitura nuk garantojnë besueshmeri, të kërkohet ndaj subjekteve dokumentacioni shtesë i nevojshëm për të demonstruar besueshmërinë e dokumenteve të paraqitura. Të ketë transparencë të plotë ky proces, si edhe procesi i caktimit dhe ndryshimit të çmimeve të referencës.
Çështja: Mbi klasifikimin tarifor, aplikimi i gjobave ndaj deklaratave doganore të pasakta. Propozim: Të mundësohet vetëkorrigjimi i deklaratave doganore në rastin kur nuk ka efekte financiare, duke eliminuar aplikimin e gjobave.
Çështja: Mbi skanimin e konteinerëve dhe pagesat mbi bazë deklarate doganore. Megjithëse skanimi bëhet një herë, për çdo konteiner paguhet tarifë skanimi për çdo deklaratë doganore. Në rastin e një ngarkese mikse që haset shpesh me shumë kode doganore, paguhet tarifë skanimi edhe për 7, 8 apo 10 deklarata. Konsiderohet një praktikë tërësisht e padrejtë. Ligji për skanimin fillimisht parashikonte tarifë për konteiner, më pas është ndryshuar. Propozim: Tarifa e skanimit të paguhet për konteiner dhe jo për çdo deklaratë doganore.
Çështja: Shqipëria përdor për nomenklaturën e mallrave kod 8-shifror, kur ndërkohë vendet e BE përdorin kod 10 dhe 12-shifror për këtë qëllim. Për këtë arsye shpesh lind nevoja për interpretime jo të drejta. Propozim: Të unifikohen kodet e nomenklaturës së mallrave me ato që përdorin vendet e BE.
Çështja: Aplikimi i kontrolleve fizike dhe me skaner në dogana. Në të shumtën e rasteve aplikohet kontrolli me skaner, por ndodh që: 1 – përveç objeksioneve të autoritetit doganor, gjithmonë lidhur me prezencën e mallrave në kundravajtje dhe jo për çështje sigurie, skaneristi të bëjë objeksione apo ta nxjerrë ngarkesën me “të kuqe” për kontroll të mëtejshëm fizik. 2 – Nga vendndodhja e skanerit, kamioni spostohet për kontroll fizik në një pikë tjetër. Propozim: Të bashkohet kontrolli fizik i autoritetit doganor me atë të kontrollit me skaner, si dhe ose të instruktohen operatorët e skanerit dhe të autorizohen si doganierë, ose kontrolli me skaner të bëhet në prezencën e doganierëve të kontrollit fizik, duke evituar humbje kohe dhe kosto për transportuesit, subjektet, agjentët doganorë dhe doganat e shtetit.
Çështja: Procedurat doganore mund të përshpejtohen. Shpesh ndodh që praktika doganore të futet në mëngjes dhe të përfundojë pasdite. Propozim: Të vendoset “time-limit” rreth 4 orë për përfundimin e procedurave doganore, duke nisur nga momenti i paraqitjes së dokumetacionit doganor. Pas kalimit të kësaj kohe, nëse praktika nuk është kaluar, të kalojë automatikisht. Doganieri duhet të mbyllë praktikën brenda kohës ose ta bllokojë atë në sistem, duke dhënë edhe motivin e saktë të veprimit.
Çështja: Koordinim më efektiv brenda sistemit doganor: Pasi skanohen mjetet për eksport me pikë dalje doganën tokësore, ata nuk plumbosen dhe riskanohen përsëri në pikën doganore të daljes kufitare. Kjo sjell që procedura e eksportit të zgjasë rreth 2 orë. Gjithashtu, pavarësisht se mjeti në tranzit është skanuar, nëse përzgjidhet me të kuqe, gjatë procedurës së importit riskanohet përsëri, duke sjellë vonesa të pajustifikuara. Propozim: Të vlerësohet mundësia e decentralizimit të autoritetit të pikave të sistemit doganor!!!
Çështja: Nevoja për një sistem transparent ankesash ndaj procedurave doganore. Propozim: Referuar çdo ankese në kohë reale, të reklamohet mënyra e ankesës për veprimet në praktikën aktuale të personelit, personi që do të trajtojë apo japë zgjidhje çështjes dhe koha e kryerjes së zgjidhjes.
Çështja: Komunikimi i formalizuar dhe i sigurtë ndërmjet strukturave doganore dhe sipërmarrjes; duket se nuk parashikohet në ndonjë akt ligjor/nënligjor që komunikimi i strukturave doganore drejt subjekteve për: penalitete, vendime, njoftime të rëndësishme, etj., të arrijnë në destinacion me siguri ligjore. Mosmarrja e informacionit mund të sjellë pasoja dhe dëme reale për subjektin. Propozim: Për komunikime të rëndësishme të specifikuara, një pjesë të listuara më sipër, shkresat t’i dërgohen subjekteve vetëm (eksluzivisht) me postë rekomande. Për raste të tjera, si komunikime periodike, kërkesa për informacion, etj., edhe këto të specifikuara, të dërgohen nëpërmjet postës elektronike në adresat që subjektet kanë depozituar pranë QKB.

Artikulli paraprakVetëm 22 bashki bëjnë transparencë me vendimet
Artikulli tjetërINSTAT konfirmon zyrtarisht, pagat në shtet ranë për herë të parë në 25 vjet