Vetëm 22 bashki bëjnë transparencë me vendimet

Pushteti vendor, i cili po kalon një periudhë tranzitore për shkak të reformës territoriale, vijon të aplikojë një censurë të fortë në lidhje me publikimin e vendimeve që merren nga këshillat bashkiakë.
Sipas monitorimit që ka bërë Ministria e Çështjeve Vendore vitin e kaluar në lidhje me zbatimin e reformës territoriale u gjet se publikimi i vendimeve të këshillave bashkiakë bëhet vetëm nga 14 bashki prej 61 të tillave që u krijuan nga ndarja e re administrative.
Gjithashtu nga hulumtimet e “Monitor” në web-et zyrtare të bashkive është parë një mungesë e thellë transparence. Asnjë nga njësitë e pushtetit vendor nuk e publikon ecurinë e treguesve buxhetorë vjetorë me bazë tremujore dhe gjithashtu mungon tërësisht raportimi me zëra për realizimin e buxheteve vjetore.
Procesi i monitorimit nga Ministria e Çështjeve Vendore vuri në dukje se ende nuk ka progres të dukshëm në lidhje me ngritjen e kadastrës fiskale.
Paraqitet si sfidë menaxhimi më eficient i financave vendore dhe forcimi i kapaciteteve teknike dhe njerëzore të administratës vendore për planifikimin e burimeve njerëzore dhe buxhetit afatmesëm (PBA), sigurimin e menaxhimit financiar transparent dhe efektiv dhe miradministrimin e të ardhurave vendore.
Një problematikë e re është zgjidhja e problemit të borxheve të trashëguar nëpërmjet marrjes së masave afatmesme dhe hartimit të planeve të menaxhimit të borxheve në perspektivë. Auditi i jashtëm ka zbuluar detyrime të trashëguara që i kalojnë të 80 milionë eurot në njësitë e reja të pushtetit vendor, të cilat do të duhet të shlyhen gjatë tri viteve në vijim.
Zbatimi efektiv i Ligjit të Shërbimit Civil është një sfidë tjetër. Krijimi i një administrate vendore të depolitizuar, të paanshme dhe profesionalisht të aftë për të siguruar mirëqeverisjen vendore dhe ofrimin efektiv dhe cilësor të shërbimeve publike për qytetarët.
Gjithashtu, paraqitet emergjente përfundimi i Planeve të Përgjithshme Vendore dhe vazhdimi i mbështetjes për hartimin e planeve të mbetura brenda vitit 2017.

Artikulli paraprakBlerja e votës deri 7 vite burg, ndërhyrja e policisë 5 vite burg
Artikulli tjetërVetëkorrigjimi i deklaratave doganore pa gjobat