Vendi drejt destabilizimit

“MONITOR”

Ngjarjet politike në vend kanë dalë jashtë logjikës. Megjithëse që nga koha kur nisi protesta në bulevard kanë kaluar shumë kohë, mazhoranca dhe opozita nuk kanë përparuar drejt një zgjidhjeje të krizës. Përkundrazi, javën e kaluar, janë shtyrë më tej në ekstreme, duke demonstruar forcën përmes mitingjeve popullore dhe me jo fuqinë e dialogut. Duke qenë se koha po ecën shpejt, duke djegur afate kushtetuese, zgjedhjet mund të zhvillohen pa opozitën, ndërkohë që Reforma në Drejtësi ka mbetur pezull. Tani, askush nuk mund të marrë me mend se në çfarë mënyre do të zgjidhet ky ngërç politik, por është lehtësisht e dukshme që vendi po shkon drejt destabilitetit.
Kjo krizë politike që prodhon rreziqe të mëdha, po ndodh kur, në një rreze jo më shumë se 100 kilometra larg kryeqytetit, po ndërtohet gazsjellësi TAP, një nga veprat jo vetëm më të mëdha ekonomike, por edhe strategjike të vendit. Popullata dhe biznesi në zonat përreth tij kanë nisur të ndiejnë efektet e tij të para pozitive.
Një nga kushtet paraprake dhe themelore që Shqipëria plotësoi për të përfituar prej tij ishte stabiliteti politik dhe siguria shtetërore. Por fotografia nga të gjitha anët e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” provokon një realitet tjetër të rrezikshëm, me pasiguri politike dhe jo vetëm. Mesazhi që vjen për çdo investitor tjetër, kur shikon që një qeveri apo klasë politike i sfidon vepra të tilla si TAP, duhet të jetë në këto momente shumë shqetësues për ne shqiptarët.
Nga ana tjetër, ekonomia në përgjithësi është një tregues i pëlqyeshëm makroekonomik, pavarësisht problemeve. Kjo duhej të ishte koha e qetësisë dhe për të rritur besimin, treguesi i të cilit, pak kohë më parë, qëndronte në minimumet historike e që gjithsesi mbetet i brishtë. Njerëzit kanë nevojë vetëm të jenë të qetë për të punuar, por kjo qetësi po ju cenohet.
Kriza po ndodh në kohën edhe kur ekonomia ka hyrë në ciklin e saj sezonal më të mirë. Gjatë stinës së verës, prodhimi bujqësor, turizmi, ndërtimi, transporti, sektorët bazë që mbështesin rritjen ekonomike kanë performancën më të mirë. Por kriza politike që ka arritur në kulm “i mund” përfitimet e pritshme.
Nga ana tjetër, situata politike në rajonin e Ballkanit e veçanërisht me fqinjët, ku jetojnë shumë shqiptarë, është e tensionuar, ngjan me një eksploziv, të cilit po i rri ndezur fitili.
Premisat për destabilitet të brendshëm, që mund të hyjë në rezonancë me atë të jashtëm, do të krijojnë një efekt shpërthyes edhe më të madh që i kalon fuqitë e shqiptarëve për t’i menaxhuar. Këto po i thonë në çdo çast ndërkombëtarët e përfaqësuar në nivelin më të lartë si nga BE ashtu edhe nga SHBA, të cilët kanë ndërmarrë ture sensibilizimi në krejt rajonin.
Protesta e opozitës, siç thotë ajo, nis prej nevojës që ka për të siguruar zgjedhje të lira e të ndershme, të cilat janë të cenueshme nga blerja e votës, përmes parasë së krijuar nga trafiku i hashashit dhe dyshimeve për lidhje që mazhoranca mund të ketë me këtë botë të krimit. Propozimi i saj është një qeveri teknike. Mazhoranca, e cila bën edhe kalkulimet mes partnerëve të saj, ka vënë si kusht për kthimin në Parlament për të votuar Reformën në Drejtësi. Si zgjedhjet e lira, edhe drejtësia, janë të dyja të barasvlershme dhe të mirëpritura për qytetarët. Por në situatën kur asnjë nga këto kushte nuk prodhon rezultat, për të shfryrë krizën, emëruesi i përbashkët mbetet stabiliteti dhe siguria e vendit. Të dyja këto kushte prevalojnë mbi çështjet apo kauzat, siç kërkojnë t’i quajnë palët. Zgjidhja, mesa duket në këtë moment alogjik në të cilën ka hyrë kriza, duket të ketë këtë pikënisje: stabilitetin.

Artikulli paraprakParlamenti nuk zgjedh Presidentin as në raundin e dytë
Artikulli tjetërÇadra ndan dy botë