Parlamenti nuk zgjedh Presidentin as në raundin e dytë

Parlamenti dështoi dje sërish të zgjidhte presidentin e ri të vendit, edhe në votimin e dytë. Ashtu sikundër dhe gjatë seancës së djeshme asnjë nga forcat politike nuk propozoi ndonjë kandidaturë.
Shumica në pushtet, sikundër ka deklaruar më herët, nuk paraqiti asnjë emër, as edhe në këtë raund, në përpjekje për të lënë hapësira për një dialog të mundshëm me opozitën, e cila ndërkohë ka bojkotuar Parlamentin.
Këtë qëllim përsëriti edhe dje kryetari i Parlamentit Ilir Meta, kur pas seancës njoftoi datën për raundin e tretë, 27 prillin e ardhshëm. “Shpresojmë që është një kohë e mjaftueshme dhe për të mundësuar një dialog të mundshëm dhe me opozitën”, u shpreh zoti Meta.
Sipas Kushtetutës shqiptare, për zgjedhjen e presidentit të vendit zhvillohen deri 5 raunde votimi. Në tre të parat kërkohet një shumicë e cilësuar prej 84 votash, ndërsa në raundin e katërt dhe të pestë presidenti mund të zgjidhet dhe me shumicën e thjeshtë prej 70+1 deputetësh.
E majta, i ka edhe e vetme 84 votat e nevojshme për të zgjedhur kreun e ri të shtetit edhe në raundin e tretë.

Artikulli paraprakKQZ shtyn vendimin për koalicionin mes PS dhe LSI
Artikulli tjetërVendi drejt destabilizimit