Veliaj, 13 milionë euro ortakëve të “Eco Tirana”

Bashkia e Tiranës ka vendosur të prokurojë me një fond limit 13 milionë euro shërbimin e pastrimit për tri zona të kryeqytetit. Procedurat e hapura njëra pas tjetrës nuk është shumë vështirë t’i vëresh në kushtet kur ka një ndalim total të tenderëve sipas vendimit të Këshillit të Ministrave. Të vetmet që bëjnë përjashtim janë blerjet e spitaleve dhe së fundmi edhe tenderët e Bashkisë së Tiranës. Janë tri lote për shërbimin e pastrimit që do të presin oferta nga subjektet e interesuara deri më 4 shtator 2017.

Fondi sipas zonave

Në dokumentet e njoftimit të procedurës thuhet se, kontrata që do të nënshkruhet për secilën zonë do të shtrihet nga viti 2017 deri në vitin 2019. Konkretisht për zonën Tirana 4 është vendosur një fond limit prej 744 milionë lekëve dhe për secilin vit është menduar një ndarje prej 248 milionë lekësh. Për zonën Tirana 3 është vendosur një fond limit prej 494 milionë lekësh dhe që ndarë në tri vite rezulton në nivelin 164.8 milionë lekë. Për zonën Tirana 2 fondi limit është llogaritur në 537 milionë lekë që ndarë në tri vite rezulton me 179 milionë lekë për çdo vit. Totali i fondit për këto procedura llogaritet rreth 1.8 miliardë lekë apo 13 milionë euro (kursi 1 euro=136 lekë).

Kushtet Zona 2

Autoriteti kontraktues ka parashikuar paraprakisht të gjitha pikat e grumbullimit të mbetjeve për vendosjen e 1026 konteinerëve të ndara në 494 PGM (pika të grumbullimit të mbetjeve) me volum 1.7 m3, brenda zonës së kontraktuar. Operatori i shërbimit duhet të kryejë shërbimin e plotë të parashikuar në metodologji, 915  zbrazje  konteinerësh/ditë, për zonën urbane 111 zbrazje 3 herë/javë (156 ditë në vit) për zonën rurale (Farkë Rurale, Bërzhidë, Krrabë, Petrelë).

Kushtet Zona 3

Autoriteti kontraktues ka parashikuar paraprakisht të gjitha pikat e grumbullimit të mbetjeve për vendosjen e 950  konteinerëve të ndara në 479 PGM (pika të grumbullimit të mbetjeve) me volum 1.7 m3, brenda zonës së kontraktuar. Operatori i shërbimit duhet të kryejë shërbimin e plotë të parashikuar në metodologji, 796 zbrazje konteinerësh/ditë, për zonën urbane 110 zbrazje 3 herë/javë (156 ditë në vit) për zonën rurale (Vaqarr, Ndroq, Pezë). 44 zbrazje 2 herë/javë (104 ditë në vit) për zonën rurale (Baldushk).

Kushtet Zona 4

Autoriteti kontraktues ka parashikuar paraprakisht të gjitha pikat e grumbullimit të mbetjeve për vendosjen e 1373 konteinerëve të ndara në 548 PGM (pika të grumbullimit të mbetjeve) me volum 1.7 m3, brenda zonës së kontraktuar. Operatori i shërbimit duhet të kryejë shërbimin e plotë të parashikuar në metodologji, 1373 zbrazje konteinerësh/ditë. Kjo zonë përfshin pjesën e Kasharit në Tiranë.

A do t’ia japë këtë tender Veliaj kompanisë së tij “Eco Tirana”?

“Eco Tirana” është kompania e krijuar nga vetë Veliaj me qëllim dhënien e tenderave klientelistë dhe kalimin e qindra milionë lekëve në xhepin e tij dhe klientëve të tij. Pritet që edhe ky tender i majmë prej 13 milionë eurosh të përfitohet pikërisht nga “Eco Tirana”. Në datën 22 qershor 2016, në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), u regjistrua kompania publike “Eco Tirana”, e cila përbëhet nga një kapital aksioner i përbashkët mes Bashkisë së Veronës dhe asaj të Tiranës. 49% të këtyre aksioneve janë në pronësi të Holding AGSM Albania, 51% e ka në pronësi bashkia e kryeqytetit. Në bordin e kompanisë po ashtu ka anëtarë, të cilët janë marrë nga kompania publike që pastron qytetin e Veronës. Emra si Giampaolo Tessari, Andrea Miglioranzi, Diego Testi, Fabio Venturi, Maurizio Alfeo figurojnë në dokumentet e regjistrimit të firmës si administratorë apo anëtarë të bordit mbikëqyrës, të cilët pasohen nga emra të njohur në menaxhimin e Bashkisë së Tiranës, duke nisur me Taulant Tushën, Dorjan Shehun, Jonida Halilin dhe Arbjan Maznikun. Afati për të mbajtur këto poste në kompaninë joint-venture është 3 vjet për secilin dhe qëllimi i krijimit të saj është i shprehur qartë në dokumentet që dy bashkitë kanë depozituar në QKB. “Menaxhimi i shërbimeve mjedisore, duke përfshirë, por pa u kufizuar në: mbledhjen, transportin, ndërmjetësimin dhe tregtimin e mbetjeve dhe të materialeve që rrjedhin prej tyre, duke përfshirë edhe grumbullimin e diferencuar të tyre, si dhe pastrimin e hapësirave publike, ndërtimin dhe manaxhimin, edhe për llogari të palëve të treta, të impianteve për rikuperimin, riciklimin, trajtimin dhe asgjësimin e mbetjeve, rehabilitimin e zonave nga substancat ndotëse, veprimtari të riparimit të automjeteve, elektroauto, llamarinist, gomist, xhenerik dhe motorist”, thuhet në përshkrimin e objektit të aktivitetit të “Eco Tirana”.  Edhe pse në thelb të saj kompania është publike, 49% e aksioneve janë në pronësi të “Holding AGSM Albania” (kjo e fundit është në pronësi 75% nga AGSM Verona dhe 25% nga Amia Verona), fakt që nuk përjashton marrjen sërish të operatorëve privatë në menaxhimin e saj. Në 18 muajt e parë të saj, ose në harkun kohor të një viti e gjysmë, ndërmarrja “Eco Tirana” do të menaxhojë një fond prej 2.5 milionë eurosh, ku 10% e këtij fondi do të shtohet për të mundësuar mbledhjen e diferencuar të mbetjeve. Sipas portalit të të dhënave, Open Data në vetëm 5 javë, konkretisht në muajin e fushatës zgjedhore, qershor dhe një tender në muajin korrik, Veliaj i ka dhënë kësaj kompanie gjashtë tendera me një vlerë prej 1.5 miliardë lekësh. Pagesat janë kryer për shërbimin e pastrimit të kryeqytetit. Tenderat ndahen në llokma të mëdha parash, një tender kap vlerën e deri 350 milionë lekëve, të tjerë 300 milionë apo edhe 200 milionë lekë. Të gjitha pagesat janë kryer në  muajin qershor dhe vetëm një tender rezulton të jenë paguar në javën e parë të muajit korrik. Ky është vijimi i rasteve korruptive, ku Veliaj i akordon kësaj kompanie miliona para prej dy vitesh, duke majmur xhepat e tij dhe ortakëve pranë tij.

Raporti, Tirana mbetet qyteti më i ndotur në Shqipëri

Tirana vijon të mbetet qyteti më i ndotur nga ajri dhe zhurmat në rang vendi e ndjekur nga Fieri, Lushnja dhe Lezha. Ky është rezultati i raportit të gjendjes së mjedisit për 2016-ën, i prezantuar nga drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Julian Beqiraj. Kreu i kësaj agjencie theksoi se, për kryerjen e monitorimeve duhet një buxhet prej 250 milionë lekësh, ndërkohë që nga viti në vit buxheti është në rënie.
“Janë vënë re dhe 3 qytete potencialisht të ndotura, pra janë Fieri, Lushnja dhe Lezha. Tirana vazhdon të mbetet qyteti më i ndotur. Analiza bëhet në dy pika, pra jo vetëm për nivelin maksimal që mund të ketë PM10 (grimcat e pluhurit) në atë zonë, por edhe numri i ditëve, se sa ditë në një vit kalendarik është qyteti i ndotur. Me keqardhje them se buxheti nga viti në vit ka rënë. Kjo si duket na ka motivuar më shumë për të punuar më shumë vullnetarisht. Tabela e fundit janë kostot që duhet të na mbulohet nga buxheti i shtetit, pra 250 milionë, ndërkohë në vitin 2014 kemi 30.98, më 2015-ën 30.1, më 2016-ën 25.44. Buxheti i vitit 2017 është akoma më i ulët: 18.93”.
Beqiraj bëri të ditur edhe situatën sa i takon menaxhimit të mbetjeve urbane, ku i vetmi qytet që ka përmirësim nga viti i kaluar është Tirana. “Është për të ardhur keq. Ndarja e re administrative duhet të sillte një panoramë më ndryshe të cilësisë së lumenjve nga kontaminimi me mbetje urbane. Pra, bashkitë duhet të punonin më mirë në këtë drejtim. Vlen për të thënë se në Tiranë situata është më e përmirësuar, por jo në të gjithë bashkitë e tjera”, tha Beqiraj. Rezultatet e ndotjes akustike, sërish e radhisin në vend të parë kryeqytetin me një ndotje prej 17.23% mbi normën e lejuar, 55 Db ditën dhe 45 Db natën, ndërsa më pak të zhurmshëm janë Fieri dhe Saranda.

Artikulli paraprakFotot, HEC-et e shkatërruan Luginën e Valbonës
Artikulli tjetërInteri mohon zërat për Kovaçiç