Tottenham “i çmendur”

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Alegri, hodhi poshtë kritikat ndaj skuadrës së tij, pas barazimit të Ligës së Kampionëve me Tottenhamin, duke thënë se kundërshtari ishte “i çmendur”. Gonzalo Higuain shënoi një dopietë të hershme në ndeshjen e parë të 1/8 finale, në Torino, të martën, por humbi një penallti në fund të gjysmës së parë. Harry Kane kishte ngushtuar rezultatin me një gol për “Spurs”, teksa këta të fundit barazuan 2-2 në sajë të një goli të Eriksen, në pjesën e dytë. Alegri, i cili pret që Paulo Dybala dhe Blaise Matuidi të kthehen për ndeshjen e kthimit, tha se pritshmëritë që Juve do ta vriste ndeshjen që në Torino ishin të pavendosura.
“Juventusi luan për të fituar Ligën e Kampionëve, por ne nuk jemi favoritë për këtë. Është e pamundur të arrijmë në finale çdo vit. Ne po bëjmë më të mirën dhe lojtarët e mi duhet të jenë të lumtur, sepse ata kanë zhvilluar një sezon të mahnitshëm. Edhe unë jam i lumtur për atë që po bëjnë. Ne e dimë se duhet të përmirësohemi. Ende kemi një shans të mirë për t’u kualifikuar në Londër, por është krejtësisht e çmendur të mendojmë se Juventusi duhet të fitojë 3-0 në raundin e 1/8 finale të Ligës së Kampionëve. Është diçka që më bën të çmendur, sepse nuk jeni në gjendje të analizoni se sa ekipe të mira janë në Ligën e Kampionëve. Unë nuk mund të pranoj që njerëzit mendojnë se rezultati 2-2 ndaj Tottenhamit mund të na bëjë të depresionuar”, tha trajneri bardhezi.
Alegri tha se skuadra e tij kurrë nuk ishte favorite kundër “Spurs”, ndërsa përgatitet për një “finale” në ndeshjen e dytë, në “Wembley”, muajin e ardhshëm. “Ne patëm një shans 50 për qind përpara ndeshjes së parë dhe ende kemi 50 për qind mundësi kualifikimi për më tej. Tottenham është një skuadër e mahnitshme. Gjithsesi, futbolli është i çuditshëm, sepse Buffon na shpëtoi kur ishim 2-0. Pastaj patëm mundësinë të shkojmë përpara 3-0. Rezultati u ngushtua 2-1. Mund të shkonim 3-1 me penallti, por Higuain e humbi atë. Ne e dinim se do të ishte një ndeshje e vështirë. Jemi përballë Tottenhamit në Ligën e Kampionëve, një ekip fizik dhe teknik. Tani, në Londër, do të jetë një finale dhe do të duhet të luftojmë për ta kaluar me sukses”, përfundoi Alegri.
Juventus pati fillimin e ëndërruar pasi shënoi dy gola në harkun e tetë minutave. Gonzalo Higuain vuri rekordin me dygolëshin më të shpejtë në historinë e Champions League. Pas dy minutash lojë argjentinasi shënoi me një kthesë të befasishme, pas pasimit të marrë nga Pjaniç, ndërsa gjashtë minuta më vonë ai tundi rrjetën me penallti, si rrjedhojë e faullit që Davies shkaktoi ndaj Bernardeschi. Përgjigjja e Tottenham erdhi dhjetë minuta para fundit të pjesës së parë me anë të Harry Kane.
Juve humbi mundësinë për të mbyllur llogaritë në minutën e fundit të pjesës së parë kur Higuain humbi penalltinë e dytë të dhënë për bardhezinjtë, duke e përplasur topin në traversë. Tottenham nuk hoqi dorë nga sulmi dhe mori barazimin e merituar, 18 minuta para fundit. Cristian Eriksen shënoi me goditje dënimi golin e barazimit 2-2, duke përfituar edhe nga ai që mund të quhet gabim i portierit Buffon, i cili nuk mbrojti shtyllën e tij. Në “Allianz Stadium” mbyllet në barazim 2-2 dhe skuadra çerekfinaliste do të vendoset në sfidën e kthimit në Londër, më 7 mars.

Artikulli paraprakPolicia nuk lejon protestë para Parlamentit, qytetarët nuk tërhiqen: Nesër ora 10.00 kundër papunësisë e varfërisë
Artikulli tjetërKane kryeson Ronaldinhon dhe Drogba