Tjetër akt terrorist në Bruksel

Autoritetet belge thanë se të martën mbrëma është shmangur një sulm i rëndë, pasi një sulmues i dyshuar vetëvrasës kishte planifikuar shpërthimin e një bombe të madhe, por e tëra përfundoi me një shpërthim të vogël në stacionin qendror hekurudhor në Bruksel.
Ministri i Brendshëm belg, Jan Jambon, tha se “është shmangur një e keqe e madhe”, kur ushtarët që patrullojnë stacionin e qëlluan sulmuesin, i cili vdiq nga plagët e marra.
Autoritetet thanë se i vrari, një maroken 36-vjeçar, nuk kishte lidhje të mëhershme me terrorizmin.
Prokurori federal, Eric Van der Sypt, e identifikoi atë vetëm me nistoret O.Z., ndërsa u tha gazetarëve se hetuesit e kanë bastisur shtëpinë e tij gjatë natës.
Stacioni dhe zona historike aty ngjitur në qendër të qytetit, duke përfshirë sheshin e stilit barok Grand Place, plot me turistë dhe vendas në një mbrëmje të ngrohtë, u evakuuan pasi policia ngriti një kordon të sigurisë.
Ushtarët që vrapuan drejt vendit të ngjarjes, panë tela që vareshin nga rrobat e burrit dhe e qëlluan atë.
Qyteti është në gjendje alarmi për më shumë se 18 muaj që kur militantët e grupit Shteti Islamik me bazë në Bruksel, kryen sulme në Paris në nëntor të vitit 2015 që lanë pas vetes 130 të vrarë dhe më pas në mars të vitit të kaluar hodhën bomba në aeroportin dhe metronë e Brukselit, duke vrarë 32 veta.

Artikulli paraprakBrukseli kërkon nga Maqedonia Prokurori të pavarur
Artikulli tjetërTrump, garanton mbrojtjen e Ukrainës