A do të ketë rinegocim të marrëveshjes bërthamore?

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, tha se shpreson se Irani do të pajtohet për t’i negociuar ndryshimet që i kërkon SHBA-ja në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, pavarësisht kundërshtimeve nga presidenti i Iranit për bisedime të reja.
Në një konferencë për mediat, pas takimit në Kombet e Bashkuara me palë të tjera të marrëveshjes, Tillerson për herë të dytë veçoi klauzolat e marrëveshjes, të cilat u japin fund kufizimeve të aktiviteteve bërthamore të Iranit – të tilla si pasurimi i uraniumit – në vitin 2025. Këto kufizime janë vënë në këmbim të lehtësimit të sanksioneve kundër Iranit.
Tillerson tha se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do që këto klauzola të rinegociohen.
Por, presidenti i Iranit, Hassan Rohani, kujtoi vështirësitë në arritjen e marrëveshjes komplekse, e cila, përveç SHBA-së dhe Republikës Islamike, ka përfshirë Francën, Gjermaninë, Rusinë, Kinën dhe Britaninë.
“Është një marrëveshje që ka marrë mbi dy vjet negociata mbi çdo fjalë dhe fjali”, tha Rohani për gazetarët në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
“Kemi arritur të pajtohemi për data dhe afate të pranueshme reciprokisht. Prandaj, kjo marrëveshje nuk është diçka që mund ta prekni. Nëse nxirrni një tullë të vetme, e gjithë ndërtesa do të shembet”, tha Rohani.
Edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se dëshiron të rihapë negociatat për klauzolat skaduese dhe të përpiqet të ndërmjetësojë mosmarrëveshjet e tjera midis SHBA-së dhe Iranit.
Por, shefja për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha se kundërshton rihapjen e negociatave për marrëveshjen. Ajo tha se marrëveshja “po funksionon” dhe se BE-ja “do të sigurojë që ajo të vazhdojë”.
Rohani tha se kërcënimet e vazhdueshme të administratës Trump për të braktisur marrëveshjen, tregojnë se asaj nuk mund t’i besohet.
Marrëveshja bërthamore është negociuar fillimisht nga ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama.
“Një qeveri amerikane që zgjedh të shkelë angazhimet e saj ligjore ndërkombëtare… Bisedimet me një qeveri të tillë do të ishin humbje kohe”, tha presidenti iranian.
Rohani tha se, në çdo rast, Trump së pari duhet të kërkojë falje për akuzat “jashtëzakonisht ofenduese” dhe “të pabaza” se Teherani është një “diktaturë e korruptuar” dhe “regjim vrasës”.
Trump, qysh përpara se të merrte detyrën e presidentit në muajin janar, ka thënë se marrëveshja bërthamore me Iranin është ujdia më e keqe që ka dëgjuar ndonjëherë.
Në fjalimin e parë para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të mbajtur të martën, Trump tha se bota duhet t’i kundërvihet Iranit, i cili “minon paqen në të gjithë Lindjen e Mesme”.

Irani mbron marrëveshjen
Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani i ka dalë në mbrojtje marrëveshjes bërthamore dhe mënyrës si po e zbaton vendi i tij këtë marrëveshje që bëri të mundur heqjen e sanksioneve ekonomike kundër Iranit. Presidenti Rouhani e mori fjalën gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, ku tha se duke shkelur detyrimet e saj ndërkombëtare, administrata e re amerikane nuk bën gjë tjetër veçse shkatërron kredibilitetin e saj, minon besimin në marrëdhëniet me këtë administratë, si dhe bën të pavlefshme angazhimet që merr ajo. Udhëheqësi iranian i bëri komentet në përgjigje të deklaratave që bëri dje Presidenti amerikan, Donald Trump.
Zoti Trump tha në fjalimin para Asamblesë së Përgjithshme të OKB se Shtetet e Bashkuara nuk mund t’i përmbahen një traktati që s’bën gjë tjetër veçse maskon ambiciet bërthamore të Iranit. I pyetur më pas se çfarë synojnë të bëjnë Shtetet e Bashkuara, Presidenti Trump tha se ka marrë vendim lidhur me të ardhmen e marrëveshjes bërthamore me Iranin, por nuk pranoi të thoshte konkretisht se çfarë vendimi kishte marrë dhe nëse Shtetet e Bashkuara do ta braktisin paktin. Marrëveshja u arrit në vitin 2015 gjatë administratës Obama me synimin për të vënë kufizime mbi programin bërthamor të Iranit për të mos lejuar që regjimi iranian të zhvillonte armë bërthamore. Presidenti Trump e cilësoi marrëveshjen me Iranin një akt që turpëron Shtetet e Bashkuara.

Artikulli paraprakPartitë politike në garë të ashpër në komunat e mëdha
Artikulli tjetërDani Alves sjell paqe tek PSG-ja