Si u arratis bosi i heroinës dhe lajmi u mbajt i fshehtë për 6 muaj

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj të akuzuarit për trafik heroine në Francë, Domart Konjari. Prokuroria ka publikuar një fakt interesant që ishte mbajtur i fshehur për më shumë se 6 muajsh, Konjari është arratisur që prej dhjetorit 2016, pasi Gjykata vendosi të pranonte kërkesën e Prokurorisë për rikthimin e tij në burg pas hetimeve të thelluara në bazë të materialeve të mbërritura nga autoritetet zyrtare të Parisit.
I pandehuri akuzohet se ka krijuar organizatë kriminale në Francë, aktiviteti i së cilës ishte trafikimi dhe shitja e lëndës narkotike heroinë. Ky shtetas u arrestua fillimisht në 18 janar 2016 në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, në Korçës, pasi iu gjetën dokumenta të falsifikuara me emrin Arben Lazri dhe për këtë arsye, ndaj tij u vendos masa e sigurisë “arrest në burg”. Në bazë të veprimeve proceduriale, u identifikua se ky shtetas ishte Domart Konjari, për të cilin kishte një urdhër-arresti ndërkombëtar nga autoritetet franceze, pasi ai ishte dënuar me një vendim jo-përfundimtar me 10 vjet burgim. Autoritetet franceze kishin bërë gjithashtu një kërkesë autoriteteve shqiptare që, nëse arrestohej, gjykimi ndaj tij të zhvillohej në Shqipëri.
Duke qenë se vepra për të cilën akuzohej në Francë, “trafik lëndësh narkotike”, ishte në kompetencë të Gjykatës për Krime të Rënda, dosja me arrestimin e tij u kalua nga Gjykata e Korçës për në Tiranë.
Në bazë të një vendimi, i cili u kontestua nga ana e Prokurorisë, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në shkurt 2016 urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tij dhe masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Ndërkohë që Konjari fitoi lirinë, Prokuroria për Krime të Rënda zhvilloi hetimet e saj për veprat e akuzuara në Francë, në bazë të materialeve të mbërritura nga autoritetet zyrtare të Parisit. Në bazë të këtyre hetimeve, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi sërish në dhjetor 2016 caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj Konjarit. Kjo kërkesë u pranua nga ana e Gjykatës, por ndërkohë, ai nuk është gjetur ende nga policia, pavarësisht se me vendim gjykate, ai duhej të paraqitej pranë Policisë Gjyqësore në mënyrë periodike.
Bazuar në materialet e hetimit të Prokurorisë për Krime të Rënda, rezultoi se i pandehuri Domart Konjari paraqitet si personazhi qendror i rrjetit të trafikimit ndërkombëtar të kokainës, i përfshirë drejtpërdrejtë në shumë operacione importimi të sasive të mëdha kokaine, në lidhje të drejtpërdrejtë me trafikant të shumtë rajonal.
Rezultoi e provuar se i pandehuri Domart Konjari në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në formën e organizatës kriminale, ka kryer trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike të llojit heroinë për në Francë nga Spanja, Italia, Holanda dhe vende të tjera dhe shpërndarjen e saj kryesisht në qytetin e Marsejes dhe në vende të tjera, ka kryer pastrimin e fitimeve.
Nga kjo veprimtari kriminale nëpërmjet këmbimit ose transferimit të pasurisë me qëllim fshehjen ose mbulimin e natyrës së paligjshme të saj, duke e ditur se kjo pasuri është produkt i veprimtarisë kriminale, duke konsumuar në këtë mënyrë veprat penale të “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Organizata Kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 283/a/2, 287/a, 333/1 dhe 334/1 të K.Penal.
Nga hetimet e këtij procedimi penal rezultoi se më datë 04.11.2015, rreth orës 17:40 në pikën e kalimit kufitar Kapshticë, Korçë, janë paraqitur në hyrje shtetasit Elton Çela, si drejtues mjeti dhe shtetasi me dokumente me identitet Arben Lazri, si pasagjer. Pasi punonjësi i policisë (kontrollori) ka vijuar proceduren e regjistrimit të shtetasve në pikën e kalimit ka evidentuar se me të njëjtin identitet, Arben Lazri me numër personal të njëjtë, por me fotografi tjetër, është i regjistruar në TIMS dhe një shtetas tjetër. Po ashtu, punonjësi i policisë ka evidentuar se po i njëjti i asaj dite, shtetasi Arben Lazri kishte dalje për në Greqi në orën 17:11, ku i intervistuar për këtë fakt, shtetasi i paraqitur me identitet Arben Lazri i ka prezantuar faktin, se pasi ka dalë në pikën e kalimit në territorin grek nga punonjësit e kësaj pike është kthyer, pasi i kërkonin disa dokumente të tjera.

Artikulli paraprakLe Figaro: Shqipëria, destabilitet politik dhe ekonomik me Ramën
Artikulli tjetërBllokohet një skafi pa dokumente në Himarë