Rithemelimi po humbet kauzën kryesore opozitare, atë të luftës ndaj korrupsionit

Nga Ervis Iljazaj

Me shumë gjasa qeveria aktuale është një nga qeveritë më të korruptuara të tranzicionit shqiptar. Ky nuk është një opionin, por një fakt. Si asnjëherë më parë janë akuzuar, hetuar apo arrestuar për korrupsion dhjetra kryetarë bashkie të Partisë Socialiste. Ndoshta korrupsioni po del më shumë në pah kohët e fundit për shkak të aktivitetit të SPAK, por gjithsesi fakti mbetet. Janë dënuar ish ministra, deputetë, pushtetarë, deri edhe ish zv/kryeminsitri. Së fundmi, janë arrestuar disa drejtorë në Bashkinë Tiranë, po të pushtetit. Madje dhe vetë kryetari i saj, një nga njerëzit me më shumë pushtet në Shqipëri, Erion Veliaj, u paraqit pranë dyerve të SPAK.

E megjithatë, edhe pse duhet të jetë një kosto e madhe për pushtetin, Edi Rama asnjëherë nuk e ka kritikuar, mallkuar apo sulmuar SPAK për hetimet e tij edhe pse i ka marrë bashkëpunëtorë të afërt. Sigurisht nën rrogoz ka bërë të pamundurën për ti ndalur këto hetime ndaj pushtetit të tij. E duke parë që s’ja ka dalë dot, luftën ndaj korrupsionit nga kosto e ka kthyer në avantazh. Duket paradoksale, deri në një skizofreni politike, por Rama në vend që të japë llogari për korrupsionin e kthen atë në një avantazh duke i thënë shqiptarëve që është vullneti i tij që po e lufton atë, dhe është ai që ka bërë Refomën në Drejtësi.

Sigurisht kjo qasje nuk ka asgjë të vërtetë, është thjesht një strategji politike. Duke qenë se nuk e ndalon dot avancimin e hetimeve të SPAK, Rama do ta kthejë luftën ndaj korrupsionit në fushatën e ardhshme në një kalë betejë. Sepse dihet fare mirë që është nga ata liderë që nuk shikon fatkeqësi në rrethana të caktuara, por i kthen ato në avantazh.

Jo më kot nuk mbron asnjë personazh të pushtetit të tij sa herë që ata bien në rrjetën e SPAK. Dhe për këtë i ka dalë nami se Rama i ‘’shet’’ njerëzit e tij. E vërteta është se nuk i ‘’shet’’, thjesht merr maksimumin edhe në vështirësi siç është korrupsioni në qeverinë e tij.
Nga ana tjetër kemi një sjellje totalisht të kundërt të një pjese të opozitës siç është Rithemelimi. Sa herë që një pjesëtar i saj hetohet, akuzohet apo edhe arrestohet, Rithemelimi kritikon SPAK, e konsideron atë si një organizatë kriminale, apo edhe si një vegël të qeverisë. Këtë sjellje ka patur që me hetimin e liderit të saj Sali Berisha. Duke u sjellë në këtë mënyrë, Rithemelimi po humbet një nga kauzat kryesore të opozitës, atë të luftës ndaj korrupsionit.

Këtë kauzë po e humbet pikërisht duke sulmuar SPAK çdo ditë, institucionin që ka për detyrë të hetojë korrupsionin. Dy arsyet kryesore se përse kjo pjesë e opozitës po humbet kauzën e luftës ndaj korrupsionit janë pikërisht hetimi i liderit të saj për korrupsion, dhe sulmi i përditshëm ndaj institucionit që ka për detyrë ta hetojë atë. Çdo ditë bëjnë politika dhe protesta kundër korrupsionit të hetuar ng SPAK, dhe natën e konsiderojnë atë si organizatë kriminale.

Kjo sjellje përveçse po bën që opozita të humbasë një nga kauzat e saj kryesore, nuk është as elektorale. Sepse SPAK aktualisht ka një mbështetetje të madhe në opinionin publik shqiptar, rreth 70-80 përqind. Paradoksalisht Rithemelimi, edhe luftën ndaj korrupsionit ja ka lënë si avantazh Edi Ramës dhe pushtetit të tij, ndërkohë që kjo qeveri thjesht duhet të japë llogari dhe të mbajë përgjegjësi për korrupsionin e saj. Një kontradiksion politik më shumë unik se sa i rrallë. Opozita shqiptare, kryesisht Rithemelimi, në vend që të sakrifikojë udhëheqësit e saj për të fituar pushtetin, po sakrifikon pushtetin për të mbrojtur udhëheqësit e saj./ Liberale.al

Artikulli paraprakDASH hedh poshtë pretendimet për shkarkimin e të dërguarit Escobar si “të rreme”
Artikulli tjetërShkaku më i zakonshëm i vdekjes, embolia pulmonare dhe simptomat e saj