Le Figaro: Shqipëria, destabilitet politik dhe ekonomik me Ramën

“Le Figaro”

Në Tiranë, si në Korçë apo në Peshkopi, nga provincat e veriut të Shqipërisë, vështirë se mund të gjesh një familje që nuk i ka familjarët e saj në emigracion. Emigracioni nuk është diçka e re në Shqipëri, por që pas heqjes së vizave pas vitit 2010 është rritur ndjeshëm. Aktualisht shqiptarët mbajnë vendin e parë në podiumin e trishtë të kërkesave për azil në Francë me 7432 kërkesa më shumë duke ia kaluar edhe sirianëve, afganëve dhe sudanezëve. Në konsideratë mund të merren vetëm kërkesat e personave që vijnë nga vende në luftë në rast të kundërt ato refuzohen automatikisht.
Si rezultat shumë shqiptarë nisën kërkesat për azil duke u drejtuar edhe më këmbë drejt Francës. “Gjithçka ecën shumë shpejt”, shprehet Toni një emigrant shqiptar, i cili pasi jetoi katër vite në Francë u deportua në Shqipëri. “Kushërinjtë e mi kishin shitur shtëpinë e tyre për t’u nisur për këtu. Ata më thanë se jeta këtu në Francë ishte e lehtë, që ishte e kotë të punonin pasi aty u sigurohej strehim, ushqim dhe para. Nuk mund të dyshoja se ata më gënjenin sepse ishte e pamundur që ata të ktheheshin. Për këtë arsye unë u nisa drejt Francës”.
Kontrollet në aeroportin e Tiranës u forcuan pas detyrimeve mbi marrëveshjen e Shqipërisë me Komisionin Europian pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave, Toni ashtu si mijëra bashkatdhetarë të tjerë u nis nga Shkupi i Maqedonisë ku verifikimet për qëndrimet mbi tre muaj në vendet e BE ishte më i depërtueshëm. Kjo është arsyeja përse rrjeti francez i atasheve të sigurisë së brendshme do të asistojë autoritetet e Prishtinës, Shkupit dhe Selanikut për të rritur kontrollet e tyre.
“Një herë arrita në Buvo të Francës me avion dhe bëra një kërkesë për azil”, thekson Toni. “Arrita të merrja 370 euro në muaj, nuk kisha autorizim për të udhëtuar ndërsa prisja një përgjigje për kërkesën time. Por nuk pata fat. Shteti francez më dha një shumë parash që unë të mund të largohesha”, vijon ai.
Megjithatë Toni arriti të siguronte një punë në të zezë ku nuk deklarohej ndërsa ndihej keq teksa dëgjonte shumë bashkatdhetarë të tij ndiqeshin penalisht për vepra penale. Sidomos pas ribashkimit të politikave për emigrantët në Francë, shumë shqiptarë përfituan të drejtën për azil. Deri tani shqiptarët kanë emigruar masivisht në Greqi dhe Itali, për shkak të krizës të thellë ekonomike në këto dy shtete ndryshoi pak kufijtë e orientimit të shqiptarëve drejt emigrimit.
Një gjë është e sigurtë, për Vangjel Dulen, deputet në Parlamentin shqiptar, fenomeni i azilkërkuesve shqiptarë nuk ka për t’u ndalur. “Varfëria, papunësia, korrupsioni, klientelizmi i vendosin të rinjtë përballë zgjedhjes për të kërkuar një jetë më të mirë”. Shumë politikanë të pakualifikuar kanë zënë poste të larta drejtuese janë akuzuar për vjedhjen e parave publike. “Kjo sepse që nga rënia e regjimit komunist në vitin 1991, asnjë vjedhje elektorale nuk është kontestuar”, thekson Vangjel Dule. Destabiliteti politik dhe ekonomik nën qeverisjen socialiste po pengon avancimin e Shqipërisë në hapjen e negociatave me BE.
Nga ana e tij, ministri i Brendshëm francez, Gerard Collomb konfirmoi vullnetin për “të zgjidhur problemin në lidhje me kërkesat e shqiptarëve për azil, të cilat përfaqësojnë 75% të kërkesave për azil në nivel europian. Pas një telefonate me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, ministri Gerard Collomb deklaroi se ata kanë vendosur së bashku për të ndërmarrë disa masa të forcimit të sigurisë dhe kontrollit në të dyja vendet.

Shqiptarët kryesojnë listat e çdo vendi të BE

Zyra europiane për Azilin ka publikuar raportin vjetor, sipas të cilit vendi ynë është një ndër 10 vendet me numrin më të lartë të kërkesave për azil në vendet e Bashkimit Europian. Shqipëria për 2016 ka pasur rreth 3 për qind të totalit të aplikacioneve, duke u radhitur pas Sirisë, Afganistanit dhe Irakut, por në krah me Somalinë dhe Eritrean. Megjithatë, Shqipëria është edhe vendi me reduktimin më të lartë të shifrave të azilantëve krahasuar me 2015, por kjo nuk na zbret nga lista e dhjetëshes me numrin më të lartë të aplikimeve për azil. Në krahasim me tre vjet më parë numri i azilkërkuesve në Europë ka pësuar rënie, ndërkohë që Siria mbetet ende vendi me numrin më të lartë të azilkërkuesve. 1.3 milionë kërkesa azili janë paraqitur më 2016 në Bashkimin Europian, ku përfshihet edhe Norvegjia, Zvicra, Islanda dhe Lichtenstein.

Artikulli paraprakItali, shqiptari kapet me kokainë në Rimini
Artikulli tjetërSi u arratis bosi i heroinës dhe lajmi u mbajt i fshehtë për 6 muaj