Si dështoi Rama me reformën e pensioneve

Reforma e pensioneve që qeveria ndërrmori në vitin 2014 ka dështuar të vërë nën kontroll financat e skemës së sigurimeve.
Tre vite nga zbatimi i saj, reforma e pensioneve po goditet nga emigracioni i të rinjve dhe rënia e produktivitetit në sektorin bujqësor. Nga ana tjetër, numri në rritje i pensionistëve po ushtron presion mbi shpenzimet. Në 6 vjet, numri i pensionistëve u rrit me mbi 698 mijë persona, teksa raporti i varësisë kontribuues-përfitues ka mbetur në vend 1 me 1.17 dhe deficiti i skemës në rritje. Drejtori i ISSH, Astrit Hado, thotë se reforma e pensioneve e arriti qëllimin që ishte ndalja e hemorragjisë së deficitit, rritja e qëndrueshmërisë financiare të skemës, duke garantuar pagimin e pensioneve dhe të drejtave të fituara
Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se vetëm në dy vitet e fundit, deficiti i skemës është zgjeruar me 10 miliardë lekë ose gati 85 milionë dollarë. Kjo e ka detyruar qeverinë që të rrisë subvencionin nga paratë e taksapaguesve për të mbajtur në këmbë skemën, edhe pse pensionet për të moshuarit thuajse nuk janë rritur fare prej gati tre vjetësh, por vetëm sa janë indeksuar.  Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në 6 vitet e fundit numri i pensionistëve në Shqipëri është rritur me 12.8 për qind. Të dhënat zyrtare tregojnë se shqiptarët po plaken dhe kjo ka pasoja të drejtpërdrejta mbi skemën e pensioneve.
Sipas ISSH, vitin e kaluar shpenzimet totale të sigurimeve shoqërore arritën në 109 miliardë lekë. Të dhënat historike tregojnë se në vetëm 6 vjet fatura e pensioneve është rritur me mbi 43 për qind, një ritëm dukshëm më i lartë se sa ai i të ardhurave që shteti mbledh nga kontributet. Të dhënat tregojnë se, vitin e kaluar qeveria derdhi 29 miliardë lekë për të subvencionuar pensionet dhe krahasuar me fundin e 2014-ës subvencionet janë rritur me gati 0.65 pikë përqindje ndaj prodhimit kombëtar.
Por plakja e popullsisë nuk është problemi i vetëm. Skema e pensioneve dëmtohet edhe nga një fenomen tjetër, ai i pagave të ulëta, veçanërisht në sektorin privat. Ndonëse numri i kontribuuesve është rritur vit pas viti, efekti tek të ardhurat e skemës ka qenë i ulët.  Kjo pasi shumica e kontribuuesve paguajnë sigurime mbi bazën e pagës minimale. Tre vjet më parë, qeveria miratoi një reformë tërësore të sistemit të pensioneve. Por reforma nuk i ka dhënë zgjidhje problemeve kryesore të skemës, që vuan papunësinë e lartë, informalitetin dhe pagat e ulëta. Tashmë skema ka edhe një kërcënim tjetër, plakjen e popullsisë.

Artikulli paraprakNë zgjedhje të rregullta, PD do merrte 20 mandate më shumë
Artikulli tjetërKryebashkiaku Frroku akuza për sabotim brenda PD në zgjedhje