Si bëhet shpërndarja e “fake news” në Facebook

R. Kelly Garrett

Pas fitores së papritur të Donald Trump kur pjesa më e madhe e sondazheve të publikuar dhe pothuajse të gjitha mediat dhe raportimet në rrjetet sociale ishin në favor të kandidates demokrate Hillary Clinton, shumë ekspertë kanë ngritur pyetjen e rolit të Facebook-ut në promovimin e informacioneve të pasakta e paragjykuese, gjatë fushatës presidenciale, por edhe në përgjithësi.
Shumëkush e ka nënvlerësuar dhe injoruar impaktin e Facebook-ut, përfshirë edhe drejtuesin ekzekutiv të tij, Mark Zuckerberg, i cili thotë se “fake news”, lajmet e rreme, nuk mund të ndikojnë në rezultatet zgjedhore. Megjithatë, pikëpyetjet që janë ngritur lidhur me rëndësinë politike të rrjetit social dhe ndikimit të raportimeve të pasakta në jetën politike, vazhdojnë të ngrihen çdo ditë e më shumë.
A ndikojnë algoritmet e filtrimit në cilësinë e informacionit që përçohet në publik përmes Facebook dhe a po qarkullohen në rrjetin social qëllimisht lajme të pavërteta për të influencuar preferencat politike? Shumë pretendojnë se “flluskat e filtruara” janë arsyet përse lajmet e pavërteta po shtohen gjithmonë e më shumë në Facebook, por sipas ekspertëve ky është një pretendim i gabuar. Nëse rrjeti social është duke i inkurajuar njerëzit të besojnë fakte të pavërteta, problemi qëndron në mënyrën se si platforma ndërvepron me tendencat bazë sociale njerëzore. Kjo është më e vështirë për t’u ndryshuar se sa lajmet e pasakta.

Një publik i keqinformuar
Roli i Facebook në përhapjen e lajmeve politike është tashmë i pashmangshëm e i pamohueshëm. Në maj të vitit 2016, 44 për qind e amerikanëve thanë se të gjithë informacionin e tyre politik e merrnin përmes platformës së rrjetit social. Mbizotërimi i keqinformimit të përhapur përmes Facebook-ut është gjithashtu i pamohueshëm. Kështu, mund të themi me bindje se sasia e lajmeve të pavërteta në platformën ku kaq shumë njerëz përftojnë lajmet e tyre mund të shpjegojë arsyen përse kaq shumë amerikanë janë të keqinformuar për politikën në ditët e sotme.
Megjithatë, është e vështirë të përcaktosh sa i përhapur mund të jetë ky fenomen. Fillova ta studioj rolin e internetit në promovimin e besimeve të rreme gjatë zgjedhjeve të vitit 2008, duke e kthyer vëmendjen ndaj rrjetit social në vitin 2012. Studimi, i cili është ende në zhvillim e sipër, nxori në pah pak prova për të pretenduar se përdorimi i rrjeteve sociale promovonte pranimin e lajmeve të rreme për kandidatët, pavarësisht mbizotërimit të të pavërtetave në platformë. Në fakt, rezulton se në vitin 2012, njëlloj si më 2008-ën, e-mail-et vazhduan të ishin burimet kryesore të gënjeshtave dhe teprive konspirative. Media sociale duket se nuk kishte një efekt kaq të madh në besimin e njerëzve.
Megjithatë, viti 2016 ndryshon shumë nga ai 2012 dhe aq më shumë nga 2008. Nëse Facebook është duke promovuar një platformë në të cilën qytetarët e kanë shumë të vështirë, për të mos thënë të pamundur, të dallojnë të vërtetën nga gënjeshtra, atëherë ky do të ishte një kërcënim i madh për demokracinë e vendit. Për ta luftuar këtë fenomen dhe rrjedhën e informacionit përmes rrjeteve sociale, është e rëndësishme të kuptohet mënyra se si shfaqet dhe zhvillohet ai.

Mos fajësoni “flluskat e filtruara”
Facebook kërkon që përdoruesit të jenë të angazhuar, por jo të mbingarkuar, me misionin e përmirësimit të eksperiencës së tyre në rrjetin social dhe kështu, ka vendosur një software individual që filtron sipas kërkesës “të rejat” që shfaqen në profilin e tij dhe e lejon atë të zgjedhë se cilat përmbajtje kërkon t’i shfaqen. Problemi qëndron në mënyrën se si bëhet ky diferencim i lajmeve për çdo përdorues individual.
Ka prova të shumta që tregojnë se njerëzit tërhiqen nga lajmet që konfirmojnë dhe forcojnë më tej këndvështrimet e tyre ekzistuese politike. Programi software i Facebook-ut mëson nga veprimet e mëparshme të përdoruesit dhe përpiqet të gjejë se cilat janë përmbajtjet që ai ka më shumë gjasa të klikojë dhe shpërndajë në të ardhmen. Në rast se eksperienca e përdoruesit kalon në ekstremitet, programi krijon një “flluskë të filtruar”, në të cilën i shfaqen vetëm përmbajtje që forcojnë gjithmonë e më shumë paragjykimet e tij. Rreziku në këtë rast, është se flluskat e filtruara në të cilat izolohet jeta virtuale e përdoruesve fillon të promovojë keqinterpretime duke fshehur të vërtetën.
Shpjegimi duket mëse i qartë dhe rrjedhimisht, zgjidhja duhet të ishte e lehtë. Nëse zhdukim përmbajtjet e personalizuara, flluskat e filtruara do të zhdukeshin gjithashtu, duke i shfaqur përdoruesit këndvështrime nga më të ndryshmet. Problemi i metaforës së flluskës së filtruar është se merr për të mirëqenë se njerëzit kanë tendencën të izolohen dhe të lënë jashtë perspektivat e të tjerëve.
Në fakt, studimet e shumta kanë treguar se dieta mediatike e individëve përmban shumë informacione dhe burime informacioni që sfidojnë qëndrimet e tyre politike. Edhe një studim i të dhënave të përdoruesve të Facebook-ut zbuloi se informacionet e ndërthurura me qëndrime nga më të ndryshmet janë shumë të përhapura. Me fjalë të tjera, besimet e pavërteta të individëve nuk mund t’i atribuohet mungesës së kontaktit me lajme të sakta.
Në fakt, ai që ndikon më shumë në qëndrimet dhe besimet individuale është identiteti paraekzistues politik. Kështu, edhe kur përballen me të njëjtin informacion, qoftë artikull apo proces i vërtetimit të fakteve, njerëzit me orientime të ndryshme politike do të nxjerrin domethënie të ndryshme nga i njëjti material.

Përhapja e paragjykimeve
Nëse izolimi nga e vërteta është vërtet burimi i informacionit të pasaktë, zgjidhja do të ishte e thjeshtë: E vërteta duhet të përhapet më shumë dhe në mënyrë më të dukshme. Fatkeqësisht, përgjigjja nuk është aq e lehtë. Kjo na çon edhe një herë në pikëpyetjet e shumta që janë ngritur kohët e fundit rreth ndikimit të Facebook-ut. A ekzistojnë vërtet aspekte të shërbimit të këtij rrjeti social që mund të shtrembërojë besimet dhe qëndrimet e përdoruesve?
Do të nevojitet pak kohë derisa studiuesit të arrijnë të japin një përgjigje me bindje të plotë, por si një person, i cili ka studiuar një sërë mënyrash me të cilat teknologjitë e tjera të internetit mund t’i nxisin njerëzit të besojnë informacionet e pasakta, jam i përgatitur për të nxjerrë disa hamendësime.
Ka dy gjëra që i dimë rreth Facebook-ut që mund të inkurajojnë përhapjen masive të informacionit të pasaktë në rrjetin social. Së pari. Emocionet janë ngjitëse dhe mund të përhapen në Facebook me shpejtësinë e dritën në nivel global, jo vetëm kombëtar. Sipas një studimi të madh, është vërtetuar se edhe ndryshimet më të vogla që mund t’i bëhen formatit të profilit të përdoruesve në Facebook, mund të ndikojnë në emocionet që ata shpërndajnë më vonë në postimet e tyre.
Në këtë studim, ndryshimet emocionale të vërejtura ishin të vogla, por të tillë ishin edhe ndryshimet që i ishin bërë formatit të platformës që i kishte nxitur. Imagjinoni se si përgjigjen përdoruesit ndaj përhapjes së akuzave të korrupsionit, aktiviteteve kriminale dhe gënjeshtrave ndaj kandidatëve politikë. Nuk është aspak e habishtme përse pothuajse gjysma (49 për qind) e përdoruesve të Facebook-ut e përshkruajnë diskutimin politik në mediat sociale si “të inatosur”.
Kur bëhet fjalë për politikë, inati është një emocion shumë i fuqishëm. Është provuar se inati dhe mllefi mund t’i shtyjë njerëzit të pranojnë edhe informacione të pasakta të bazuara në paragjykime, duke i bërë ata më të gatshëm të postojnë të shpërndajnë informacione politike, kryesisht artikuj me lajme të rreme që përforcojnë besimet e tyre. Nëse përdorimi i Facebook-ut i bën paragjykuesit më të inatosur, duke u shfaqur atyre informacione të pavërteta dhe të mbushura përsëri me paragjykim, garantimi i prezencës së informacioneve të sakta mund të mos sjellë asnjë ndryshim domethënës të situatës. Qofshin republikanë apo demokratë, njerëzit e inatosur besojnë vetëm informacionet që i bëjnë paragjykimet e tyre të pranueshme.
Së dyti, Facebook-u duket se e përforcon identitetin politik të njerëzve – duke e zhvilluar akoma më shumë përçarjen ndërmjet grupeve të ndryshme të përkrahësve. Ndërkohë që Facebook-u nuk i izolon këto njerëz dhe i shfaq vazhdimisht informacione me të cilat nuk janë dakord, vetë struktura e platformës e lehtëson shumë për ta gjetjen e njerëzve të tjerë që kanë të njëjtat paragjykime.
Rrjetet tona sociale kanë tendencën të përfshijnë gjithmonë e më shumnë njerëz që ndajnë të njëjtat vlera dhe besime me tonat. Kjo është një tjetër mënyrë që Facebook po përdor për të forcuar përhapjen e informacioneve të pavërteta politikisht të motivuara. Besimet shpesh i shërbejnë një funksioni social, duke i ndihmuar njerëzit të përcaktojnë se kush janë dhe cili është roli i tyre në botë. Sa më e lehtë të jetë për njerëzit identifikimi i vetes së tyre me një forcë të caktuar politike, aq më të lidhur bëhen me besimet që konfirmojnë identitetin e tyre.
Këto dy faktorë – mënyra se si inati përhapet në rrjetet sociale si Facebook-u dhe mënyra se si këto rrjete mund t’i lidhin ngushtë njerëzit me mjedisin politik në të cilin identifikohen – mund të shërbejnë për të shpjeguar besimet e pavërteta ose të paragjykuara, të përdoruesve të Facebook-ut. Ky është ndoshta një shpjegim më efektiv se e ashtuquajtura “flluskë e filtruar”.
Nëse kjo është e vërtetë, atëherë kemi një sfidë të vështirë përballë nesh. Facebook me shumë gjasa do të detyrohet nga autoritetet të ndryshojë algoritmin e filtrimit për t’i dhënë prioritet informacionit më të saktë. Edhe Google ka nisur një sipërmarrje të tillë për të përmirësuar cilësinë e informacionit të përçuar tek lexuesit. Ndërkohë, raportimet e fundit sugjerojnë se Facebook është duke e marrë këtë problem më seriozisht nga ç’tregojnë komentet e fundit të Mark Zuckerberg.
Megjithatë, kjo sipërmarrje nuk bën asgjë për të adresuar faktorët që shkaktojnë shpërndarjen dhe forcimin e informacionit të pasaktë: emocionet dhe njerëzit që ndikojnë në preferencat e secilit në rrjetet sociale. Gjithashtu, është herët të themi nëse këto karakteristika të Facebook-ut mund apo duhet të ndryshohen. Një rrjet social i zhveshur nga emocionet është shumë kontradiktor dhe të përcaktosh mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë me njëri-tjetrin nuk është aspak diçka që shoqëria jonë duhet të ndjekë. Ndoshta zgjidhja do të ishte që Facebook-u të merrte përsipër një pjesë të fajit për një pjesë të gënjeshtrave që kanë qarkulluar në platformë, veçanërisht gjatë vitit të kaluar zgjedhor në Shtetet e Bashkuara.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakPërse holandezët janë zhgënjyer me Europën?
Artikulli tjetërSergej Lavrov, Kisingeri i Rusisë?