Përse holandezët janë zhgënjyer me Europën?

Rem Korteweg

Seç po ndodh me holandezët. Si një prej gjashtë vendeve themeluese të projektit të madh që u kthye në Bashkimin Europian që njohim sot, Holanda natyrisht ruan një vend të veçantë në zemër të familjes europiane. Disa madje thonë se përmes Beneluksit – një sistem bashkëpunimi politik dhe ekonomik ndërmjet Belgjikës, Holandës dhe Luksemburgut që nisi fillimisht me marrëveshjen e përbashkët doganore në vitin 1944 – holandezët kanë dhënë një kontribut tepër të çmuar që frymëzoi projektin e integrimit europian. Por kohët e fundit, holandezët duken të mërzitur dhe të zhgënjyer me Bashkimin Europian.
Ndërmjet vendeve anëtare të Bashkimit Europian, Holanda përfaqëson një lloj pushteti balancues me politikë bashkëpunuese dhe ndihmëse. Besimi i vendit në bashkëpunimin europian ka qenë historikisht i fortë, edhe në rastet kur qeveritë e ndryshme të Holandës kanë ruajtur një profil të ulët dhe nuk e kanë promovuar fuqimisht Europën federale.
Establishmenti politik holandez është thellësisht pro Bashkimit Europian, por shfaqet edhe si një mbështetës besim i aleancës atlantike. Qëndrimet dhe këndvështrimi i përgjithshëm për tregtinë është anglosakson, qasja ndaj financës dhe politikës monetare është kryesisht gjermane dhe sistemi i mirëqenies sociale është i ngjashëm me atë që mund të gjesh në vendet si Danimarka dhe Suedia.
Holanda është një vend tepër i vogël për t’u konsideruar kërcënim, por mjaftueshëm i madh për t’u marrë seriozisht kur duket qartë se diçka nuk shkon dhe se ka diçka që po e trazon. Me 17 milionë banorë, Holanda mund të quhet edhe si vendi më i madh i vendeve të vogla të Bashkimit Europian.
Falë një sistemi politik të brendshëm që ushqen tradicionalisht koalicionet qeveritare dhe kompromisin, holandezët respektohen shumë në Bruksel për pragmatizmin e tyre, logjikën dhe aftësinë e jashtëzakonshme për të ndërtuar kompromis edhe aty ku duket i pamundur. Këto janë përbërësit kryesorë që e kanë ndihmuar Holandën të kthehet në një partner koalicioni kaq tërheqës dhe influencues.
Strategjikisht, Holanda ka punuar shumë dhe ka kontribuar vazhdimisht për të ruajtur balancën brenda Bashkimit Europian – ndërmjet vendeve më të mëdha dhe ndërmjet institucioneve të ndryshme. Vendi ka promovuar me entuziazëm të veçantë anëtarësimin e Mbretërisë së Bashkuar në Komunitetin Europian gjatë viteve 1970 për të krijuar një forcë balancuese përballë dominancës franko-gjermane.
Holanda gjykonte se fuqizimi i Komisionit Europian ishte mënyra më e mirë për të mbajtur të bashkuar vendet më të mëdha anëtare, për t’i kontrolluar ato, por edhe për të promovuar interesat e vendeve më të vogla në të njëjtën kohë. Përsa i përket politikës së jashtme, holandezët favorizojnë angazhimin më të fuqishëm ndërkombëtar, por rrallë herë mund të ndodhë që Holanda të mbajë një pozicion të fortë kundërshtues dhe të debatueshëm.
Vendi, me pak fjalë, kërkon ta shikojë Bashkimin Europian sa më të fuqishëm dhe të pushtetshëm në çështjet ndërkombëtare për të amplifikuar edhe vetë politikën e tij të jashtme dypalëshe, si edhe të adresojë çështjet për të cilat nuk zotëron kapitalin e nevojshëm politik për t’i ndjekur vetëm.
Megjithatë, holandezët duan që Shërbimi i Jashtëm i Veprimit Europian të koordinojë politikat e tyre, por jo t’i drejtojë ata. Haga është shfaqur ambicioze për shumë e raste që kanë kërkuar bashkëpunimin e mbrojtjes europiane, veçanërisht duke integruar forcat ushtarake dhe kapacitetet me ato të Gjermanisë dhe Belgjikës. Por, ashtu si shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, Holanda i ka prerë ndjeshëm shpenzimet buxhetore për mbrojtjen gjatë viteve të fundit.
Si një vend thellësisht pro aleancës transatlantike, si një vend promotor i tregtisë së lirë, Holanda ka mbështetur me bindje negociatat për Tregtinë Transatlantike dhe Partneritetin e Investimeve (TTIP), edhe pse u desh më pas të përballej me një protestë jo të vogël kundër tregtisë që e bëri qeverinë të shfaqej e vaktë dhe më pak entuziaste për marrëveshjen.
Edhe për çështjen e Rusisë, Holanda e mbështet regjimin e sanksioneve të imponuar nga Bashkimi Europian, por në mënyrë më pak fanatike nga sa mund të pritej nga një vend që ka humbur 193 qytetarë holandezë kur separatistët e mbështetur nga Rusia rrëzuan fluturimin 17 të kompanisë ajrore Malaysian Airlines, që fluturonte mbi hapësirën ajrore të Ukrainës në korrik të vitit 2014.
Por që në fillim të viteve 2000, imazhi i Holandës si një partnere e përhershme, e padiskutueshme dhe e bindur ka ndryshuar: holandezët kanë filluar ta shikojnë Bashkimin Europian me dyshim gjithmonë e më të madh. Zgjerimi i Bashkimit Europian i nisur në vitin 2004 e ndryshoi rrënjësisht balancën e brendshme të unionit, si dhe peshën e votës së secilit shtet anëtar. Mund të thuhet se tani zëri i Holandës dëgjohet më pak se disa prej anëtarëve më të rinj, edhe pse është de fakto vendi me kontributin më të madh për banorë në buxhetin e Bashkimit Europian.
Pavarësisht përfitimeve reciproke që burojnë nga marrëveshja e tregtisë së ndërsjelltë, zgjerimi i mëtejshëm i unionit bëri që zëri i Holandës të bëhej më i butë. Kjo rezultoi të ishte veçanërisht shqetësuese atëherë kur vendet anëtare ranë dakord që t’i njihnin më shumë pushtet Brukselit. Ndërkohë, komisioni nuk u tregua i aftë të mos lejonte vendet anëtare që të mos shkelnin rregullat e Bashkimit Europian si Pakti i Rritjes dhe Stabilitetit, i cili ka për qëllim të garantojë stabilitetin ekonomik. Këtu mund të themi se ka nisur edhe inati që ka trazuar holandezët.
Shenja e parë e zhgënjimit dhe distancimit të Holandës ka qenë refuzimi gjatë një referendumi në vitin 2005 të traktatit të propozuar kushtetues të Bashkimit Europian. Kriza e eurozonës shtoi akoma më shumë shqetësime lidhur me direktivat e udhëtimit të Bashkimit Europian. Holandezët u kthyen në vend kreditor kur iu kërkua që të krijonin paketa shpëtimi për vendet anëtare të eurozonës jugore dhe në këmbim iu desh vetëm të kënaqeshin me premtimin e tyre se do të implementonin reformat e nevojshme për të nisur një stuhi të vërtetë financiare.
Perceptimi se holandezët u detyruan me pak fjalë vetëm të paguanin faturën ndërkohë që vendet e tjera vazhdonin të shkelnin ose të shmangnin rregullat, u kthye shumë shpejt në tokë pjellore për politikanët euroskeptikë. Kjo bindje i dha rrugë popullaritetit antiemigrant, antiBE të Geert Wilders dhe e bëri qeverinë holandeze gjithmonë e më kritike kundrejt Komisionit Europian dhe rritjes së bashkëpunimit ndërmjet vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Qeveria filloi ta shikonte komisionin jo më si një mbrojtëse e interesave të vendeve të vogla, por si një rregullator ambicioz me oreksin e shtuar për të zgjeruar shtrirjen dhe influencën. Deri në vitin 2013, Haga nisi të kërkojë aktivisht ridimensionimin e Komisionit Europian duke kërkuar që të ishte më i vogël dhe më efektiv, duke gjetur gjatë rrugës edhe mbështetjen e Gjermanisë dhe vendeve të tjera anëtare.
Ish-ministri i Jashtëm holandez, Frans Timmermans prezantoi formën e parë të testimit për të identifikuar fushat e politikës që mund t’i lihen më lehtësisht vendeve anëtare se sa komisionit. Më pas, si zëvendëspresident i komisionit në krye të rregullimit më efektiv të portofolit, ndërmjet edhe çështjeve të tjera, ai mbështet fuqimisht sloganin: “Bashkimi Europian duhet të jetë i madh për gjëra të mëdha dhe i vogël për gjëra të vogla”.
Megjithatë, gradualisht, opozita publike kundrejt Bashkimit Europian vazhdoi të rritej, refuzimi i Marrëveshjes së Asociimit të Bashkimit Europian me Ukrainën në një referendum të muajit prill 2016 nënvijëzoi edhe një herë imazhin e holandezëve si një vend kritik për Bashkimin Europian. Sot, mbështetja popullore për Bashkimin Europian lëkundet diku deri në 40 për qind, duke ushqyer akoma më shumë spekulimet që janë përhapur se Holanda mund të jetë vendi i ardhshëm që do t’i bashkohet klubit të vendeve që duan të largohen nga unioni pasi Mbretëria e Bashkuar votoi për t’u larguar në korrik të vitit 2016.
Partitë euroskeptike parashikohet të kenë rezultate pozitive gjatë zgjedhjeve të 15 marsit, edhe pse një referendum në Holandë për të përcaktuar nëse populli do të heqë dorë apo jo nga anëtarësia në Bashkimin Europian është momentalisht e pamundur. Brexit i ka ndihmuar së tepërmi euroskeptikët holandezë, qoftë edhe vetëm duke vendosur precedentin se diçka e tillë mund të bëhet dhe mund të kopjohet.
Vendimi i Britanisë së Madhe krijon edhe një tjetër dhembje koke për Hagën pasi do të ndodhet shumë shpejt nën presionin për të mbushur 10 miliardë eurot vjetore që tashmë mungojnë në buxhet pas largimit të Britanisë nga Bashkimi Europian. Brexit do ta bëjë gjithashtu më të vështirë për vendet anëtare që të bllokojnë vendimet e Këshillit të Bashkimit Europian nën regjimin aktual të rregullave të votimit. Për të mos ta lënë Francën dhe Gjermaninë të miratojnë vendime, nevojitet një minorancë bllokuese prej 14 vendesh anëtare.
BE-ja e re aritmike i vendos vendet e vogla në disavantazh. Qeveria holandeze kërkon një Bashkim Europian më pragmatik, jo një përrallë federaliste. Në kundërpërgjigje të Brexit, disa nga liderët europianë tashmë flasin për të nisur fluturimin drejt integrimit më të thellë. Sipas ligjit holandez që mundësoi referendumin për të bllokuar Marrëveshjen e Asociimit të Bashkimit Europian dhe Ukrainës mund të përdoret në të njëjtën mënyrë për të bllokuar edhe një traktat të ri të Bashkimit Europian. Kështu, për aq kohë sa ky ligj ekziston, Haga do të ketë në dorë një mundësi për të bllokuar traktatet e reja europiane.
Është ende e paqartë nëse koalicioni qeverisës që do të dalë nga zgjedhjet e 15 marsit do të ketë apo jo kurajën politike për të ndryshuar ligjin. Gjithçka do të varet nga balanca e re e pushtetit ndërmjet 27 vendeve të mbetura të Bashkimit Europian. Ende nuk dihet nëse Holanda mund të arrijë të garantojë që interesat e saj të mbrohen siç duhet dhe që shqetësimet e vendit të dëgjohen, situatë që natyrisht do të varet nga Berlini dhe Parisi. Tani për tani, holandezët ndihen sikur janë lënë në harresë dhe po shtyhen, edhe pse me hezitim të madh, drejt rrugës së daljes.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakNapoli dhe Reina thyejnë Romën
Artikulli tjetërSi bëhet shpërndarja e “fake news” në Facebook