Sergej Lavrov, Kisingeri i Rusisë?

Në Sheshin Smolenskaia, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, në ndërtesën neoklasike staliniane të ndërtuar pas vitit 1945 me punën e të burgosurve të luftës gjermane, Sergej Viktoroviç Lavrov (vitlindja 1950) ka arritur tashmë radhën e ministrave të mëdhenj që kanë shënuar politikën e jashtme të Rusisë moderne. Nëse nuk e ka arritur akoma, në termat e jetëgjatësisë, rekordin e Andrei Gromikos, në detyrë për 28 vjet e 137 ditë (nga shkurti 1957 deri në korrik 1985), Lavrov po arrin atë të Viaçesllav Molotovit (ministër nga maji 1939 në mars 1949 dhe nga marsi i 1953 në qershorin e 1956, për një total prej 13 vjetësh dhe 29 ditësh) dhe ka kaluar tashmë atë të Maksim Litvinovit (8 vjet dhe 286 ditë, nga korriku i 1930 në majin e 1939) dhe të Eduard Shevarnadzes (5 vjet e 197 ditë, nga korriku i 1985 në janarin e 1991).

Stazhieri sovjetik
Sergej Lavrov e njeh veten në një model: Aleksandër Gorshakov (1798–1883), ministri i Jashtëm i madh rus i Carit Aleksandri II Romanov nga 1856 më 1882. Lavrov kalon çdo ditë përpara portretit të tij, në galerinë e ministrave që ndodhet në katin e 7-të të ministrisë. Me miqtë e tij, ai ndalet nganjëherë përpara bustit të Gorshakovit për të rrëfyer fatin e këtij personazhi të madh që restauroi pozicionin e Rusisë përballë fuqive europiane pas humbjes së pësuar në Krime prej koalicionit franko–anglo–turko–piemontez (1853–1856). Nën pamjen e tij prej bulldogu rus të kequshqyer, Lavrovi është një personazh që i habit bashkëbiseduesit e tij për kulturën e konsiderueshme, ashtu edhe për aftësinë e madhe të penës. Këto janë karakteristikat që kanë tërhequr Vladimir Putinin, pavarësisht diferencave të thella midis dy personazheve. Nëse Lavrovi, ashtu si Putini, është një shahist i talentuar, ai është edhe, në ndryshim nga Putini, një pëlqyes i madh i uiskeve markë dhe i cigareve apo i purove që i tymos kudo, edhe kur dhe ku është e ndaluar (sidomos në Shtetet e Bashkuara, ku shijon kënaqësinë perverse të shkeljes së ligjeve antiduhan …). Sergej Lavrov vepron në sektorin e tij me besimin e plotë të akorduar nga Presidenti Putin dhe nga Kryeministri Dimitri Medvedev. Megjithatë, nuk është pjesë e rrjetit të personazheve të ardhur nga Shën Petërsburgu, me të cilët Putini është rrethuar qysh nga ardhja e tij në kryeqytetin moskovit dhe ka arritur vetëm shumë më vonë (në marsin e 2004), “rrethin e ngushtë të këshilltarëve të besuar” të Presidentit, duke pasuar Igor Ivanovin. Dishepull brilant, i pajisur me gjuhë të huaja (flet rrjedhshëm anglishten dhe frëngjishten), Lavrovi ka studiuar pranë të famshmit Institut Shtetëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Ministrisë së Jashtme të Rusisë (i njohur me akronimin MGIMO) në vitin 1972. Pasi është bërë diplomat, ka punuar për 4 vite në Sri Lanka. Këtu mëson gjuhën e vendit dhe më pas kthehet në Moskë për të marrë përgjegjësinë e Sektorit të Organizatave Ndërkombëtare. Pas 5 vitesh pritje (1976–1981) dërgohet në atë që do të jetë selia e preferuar e tij: Përfaqësinë e Përhershme të Bashkimit Sovjetik pranë Kombeve të Bashkuara. Është pikërisht në këtë kornizë, në të cilën do të operojë për 7 vite (1981–1988) që fillon afirmimi i plotë personal dhe profesional i tij. Shpesh diplomati del në udhëtime të ndryshme pune, ndërton rrjetin e tij të marrëdhënieve dhe vëren me maturi fillimin e perestrojkës së Mikhail Gorbaçovit. I kthyer në Moskë dhe i ngarkuar sërish me Organizatat Ndërkombëtare, Lavrori e përjeton rënien e Bashkimit Sovjetik si një shok të vërtetë. Sigurisht që jo prej dashurisë ndaj regjimit sovjetik, por prej poshtërimit të pësuar. Regjimi i ri, i kryesuar nga Boris Jelcini, ka nevojë për funksionarë kompetentë. Lavrovi vihet në shërbimin e tij, fillimisht si zëvendësministër i Jashtëm i Federatës ruse, më pas si përfaqësues i Rusisë në Kombet e Bashkuara, ku do të qëndrojë për 10 vite të tëra, nga 1994 më 2004, duke u imponuar si numri dy i diplomacisë ruse.

Personazh origjinal, tërheqës dhe arrogant, një Kissinger allarus
Buldozer fals, por xhentëlmen i vërtetë, Lavrovi praktikon me aftësi regjistrat e sharmit dhe të ashpërsisë. Si student i ri dhe tërheqës në marrëdhënie ndërkombëtare, ai organizonte mbrëmje studentore shumë të frekuentuara, të famshmet kaputsniki, gjatë të cilave deklamonte për miqtë (dhe për femrat, që i ka vlerësuar gjithmonë) kompozimet e veta poetike. Kurse ajo që ka ushqyer arrogancën e tij ka qenë poshtërimi i pësuar në asistimin e dominimit të hiperfuqisë amerikane. “Kryqëzoheshim pa pikën e turpit, por askush nuk e vret mendjen për ringjalljen tonë”, pohoi në vitin 2006 për të justifikuar “jo”-të e vazhdueshme në skenën ndërkombëtare. Të natyrshme shkëndijat me sekretaren e Shtetit, Condoleeza Rice, e cila si specialiste e botës sovjetike, mendonte se duhej folur fort dhe qartë kundrejt të mundurve. Condoleeza Rice shprehej në rusisht, gjuhë të cilën e flet rrjedhshëm dhe moskuptimi i saj me Lavrovin qe menjëherë instinktiv. Gjatë një darke në Shën Petërsburg më 2006 – në mes të një diskutimi për situatën irakene – sekretarja amerikane i akuzoi rusët se ishin tepër negativë. Pohimi i Rice shkaktoi tek Lavrovi një replikë me zë të ulët: “Por ju nuk dini asgjë për Rusinë…”. Një mikrofon i mbetur i hapur në tavolinë i mundësoi sallës që ta dëgjonte këtë bisedë të “ngushtë”. Perëndimorët nisën t’ia kenë frikën këtij diplomati me karakter të kalitur. David Miliband, ministër i Jashtëm britanik nga qershori i 2007 në majin e 2010, e mësoi në kurrizin e tij këtë gjë në shtator të 2008, disa javë pas konfliktit ruso–gjeorgjian në Oshecinë e Jugut. 43-vjeçari Miliband, në telefon me Lavrovin, provoi të ngrinte zërin, por Lavrovi, shpërfillës, ju përgjigj: “Kush je ti që të më japësh leksione?”. Edhe me Nikolas Sarkozy, emisar i Europës për këtë konflikt, gjërat nuk shkuan më mirë. Një ditë, i kaplluar nga zemërimi, Sarkozy e kapi Lavrovin prej xhakete, duke e akuzuar se ishte “gënjeshtar” dhe rusi, që ishte një kokë më i gjatë se ai, u mjaftua që t’i përgjigjej me një buzëqeshje ironike.

Në New York si në shtëpinë e tij
Batutat dhe shakatë që e shikojnë protagonist në Delegate Lounge, barin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kanë mbetur në anale. Gjatë karrierës së tij dhe për rreth 18 vjet, Lavrovi nuk ka humbur kontaktet me Shtetet e Bashkuara, ku ka ndërtuar një njohje të shkëlqyer të gjuhës angleze dhe të shoqërisë amerikane. Në New York Lavrovi e ndjen veten si në shtëpi: i shkuar atje në moshën 31-vjeçare si këshilltar i përfaqësisë sovjetike pranë Kombeve të Bashkuara, u rikthye nga 1994 më 2004 si ambasador i përhershëm i Rusisë në Kombet e Bashkuara. Vajza e tij e vetme, Ekaterina, ka lindur në New York, ku është rikthyer si studente pranë të famshmit Columbia University. Pikërisht në Manhattan gjendej Lavrovi në momentin e atentateve të 11 shtatorit 2001 kundër World Trade Center, në rastin e ndërhyrjes ndërkombëtare në Afganistan (2001) dhe të pushtimit ushtarak amerikan në Irak (2003). Do të jetë Lavrovi ai që do të shtyjë Putinin t’i telefonojë George W. Bush pak orë pas sulmit të 11 shtatorit. Presidenti rus ka qenë kreu i parë i shtetit që i ka shprehur mbështetje Amerikës në ato orë tragjike. Më mirë se çdo rus tjetër, Lavrovi njeh forcat dhe dobësitë e Shteteve të Bashkuara dhe të shoqërisë amerikane, sekretet e Kombeve të Bashkuara dhe të diplomacisë ndërkombëtare, kurthet dhe kotësitë e të barabartëve të tij, defektet e organizatës, artin e të folurit për të mos thënë asgjë – ama në mënyrë të vendosur – dhe të prodhojë rezoluta pa substancë. Lavrovi di të shfrytëzojë edhe dobësinë minimale të kundërshtarit të vet: me origjinë armene nga ana e babait, është në fakt një negociator shumë i aftë. Njeri gjakftohtë në çdo situatë, i aftë që të bëjë obstruksionizëm në mënyrë kokëfortë dhe të trashë, është në gjendje të tregohet një çast më vonë më paqëtues se një pacifist skandinav. Di të luajë me mediat në të njëjtën mënyrë si politikanët perëndimorë më cinikë. Aq sa gazetarët e akredituar shpresojnë gjithmonë që të ftohen në takimet me të. Praktikisht, në dukje të papritur, ata zgjidhen në mënyrë të përkryer.

Në simbiozë me Putinin
Prej 12 vitesh politika e jashtme ruse përfaqësohet nga Lavrovi dhe Putini. Në Kaukaz apo në Kombet e Bashkuara, për problemet siriane apo irakene, Lavrovi luan një rol thelbësor në mbrojtje të interesave të Rusisë. Si ministër, ai ka njohur 4 sekretarë amerikanë Shteti – Colin Powell, Condoleeza Rice, Hillary Clinton e John Kerry (pritet të njohë të pestin, Rex Tillerson) – dhe të paktën 8 krerë diplomacie franceze. Veprimi dhe kultura e tij regjistrohen në kohëzgjatje dhe në kontinuitetin strategjik, atje ku ministrat e tjerë të Jashtëm janë subjekte të një ndryshimi më të shënuar. Gjatë krizës së Kosovës (1999), e menaxhuar nga Europa dhe Amerika, Lavrovi kritikoi pafuqishmërinë e vendit të tij. Aksioni i parashutistëve rusë në aeroportin e Prishtinës qe një paradë e kotë nderi. Moska nuk kishte më një opinion të sajin në politikën e jashtme. Lavrovi e shpjegoi në vijim mbështetjen pothuajse plebishitare të rusëve për Putinin me aderimin në politikën e fuqisë të praktikuar nga banori i ri i Kremlinit: luftën në Çeçeni (2000–2004), më pas në Gjeorgji (2008) dhe aktivizimin mbi të gjitha problemet e vështira në fushë, si Irani dhe Siria. Në vijim, precedenti i Kosovës do të shërbejë për të justifikuar aneksimin e Krimesë, të shkëputur Ukrainës. Kur Putini thërret Lavrovin në Punët e Jashtme, në vitin 2004, e di se me të do të jetë në sintoni të përkryer. Lavrovi vë mbrojtjen dhe madhështinë e shtetit rus në qendër të aksionit të tij. Më 2011 shpreh mosbesimin e tij ndaj “pranverave arabe” që entuziazmojnë kryeqytetet perëndimore. Shumë shpejt Putini dhe Lavrovi paralajmërojnë Perëndimin lidhur me iluzionet e tij: në sytë e tyre fenomeni “islamist i moderuar” është një kurth i rrezikshëm. Rebelimi sirian, shtytja e Vëllazërisë Myslimane në Egjipt, kërcënimet fondamentaliste në Irak, në Libi, në Jordani dhe në Tunizi u japin të drejtë atyre. Lidhur me qëndrimin e fuqive perëndimore, ai shpjegon: “Në Lindje veprojnë si majmunët me bomba në dorë”. Algjeriani Lakhdar Brahimi, ndërmjetës i Kombeve të Bashkuara në Siri, do t’i japë të drejtë: “Midis të gjithë josirianëve që kam takuar, rusët dhe sidomos Lavrovi janë ata që i njohin më mirë kompleksitetet lokale”. Megjithatë, Lavrovi gabon rëndë në Libi, në pranverën e 2011, kur në Rusi Dimitri Medvedev është President dhe Putini Kryeministër. Medvedevi u beson fjalëve të Kombeve të Bashkuara dhe heq dorë nga vetoja ruse ndaj Rezolutës 1973, e cila parashikon përdorimin e forcës në Libi për të mbrojtur – kështu shkruhet në tekst – popullsitë lokale. Në rastin e votimit të këtij teksti, më 17 mars 2011, Lavrovi abstenon me urdhër të Medvedevit. Interpretimi i zgjeruar i rezolutës – “marrjen e të gjitha masave të nevojshme […] për të mbrojtur popullsitë dhe zonat civile të kërcënuara nga sulmi në Xhamahirinë Arabe Libiane” – do të mundësojë operacionin franko–anglo–amerikan, me pjesëmarrjen (obtorto collo) italiane. E gjitha me pasojat e zeza që njihen, për vendin dhe për vetë Europën. E kapur për shpatullash, diplomacia ruse në këtë rast u vë në gjendje cejtnoti dhe u turpërua. Tri vite më pas, Moska do të shfaqë një reagim dukshëm joproporcional me Ukrainën dhe Krimenë. Ai mund të shpjegohet me shuplakën e marrë në Libi, ashtu si edhe me precedentin e Kosovës. “Ju na keni marrë nëpër këmbë në Libi, por nuk do t’ua lejojmë kurrë këtë gjë në Siri”, do t’i thotë Lavrovi francezit Laurent Fabius. Pas pavarësisë së Kosovës më 2008, Putini u ishte drejtuar tashmë me të njëjtat terma perëndimorëve: “Kosova do t’ju ngecë në fyt”.

Sukses në Siri
Me Iranin, i risjellë në lojën ndërkombëtare me minimumin e lëshimeve nga ana e Teheranit, Siria mbetet suksesi më i madh ndërkombëtar i ekipit Putin–Lavrov: qasja e aplikuar në shtatorin e 2013 përbën një goditje mjeshtërore. Pas përdorimit të armëve kimike nga ana e ushtrisë së Bashar al-Assad kundër rebelëve, situata ishte bërë mjaft e komplikuar për regjimin sirian, i mbështetur nga Rusia bashkë me Iranin. Kremlini donte të shmangte me çdo kusht sulmet perëndimore që mund ta kishin rrëzuar aleatin e tij historik. Lavrovi gjeti zgjidhjen. Vënien nën tutelën ndërkombëtare të arsenalit kimik sirian në shkëmbim të ndërprerjes së bombardimit dhe një lehtësim të presionit perëndimor. E gjitha bota shfryu e qetësuar: perëndimorët nuk e dëshironin një ndërhyrje të re ushtarake, siç e demonstruan qëndrimi i Kongresit amerikan dhe ai i Dhomës së Komuneve britanike. I ngecur në ultimatumin e tij lidhur me “vijat e kuqe”, në mënyrë jo të matur të fiksuara nga Bashar, Barack Obama qe padyshim më i pakënaquri. Regjimi sirian arriti që t’i shpëtojë më së keqes. Moska ka përfituar kështu për të përgatitur fazën e dytë të planit të shpëtimit të Assad: një ndërhyrje ushtarake e drejtpërdrejtë, efektive në shtatorin e 2015, në përfundim të një rritjeje spektakolare të forcës ushtarake. U fol për një “prishje strategjike”, të realizuar jo mbi bazën e miqësisë me Basharin – “Nuk jemi as të martuar me të”, duket se i ka thënë Lavrov sekretarit amerikan John Kerry – por në emër të interesave ruse: ruajtja për Rusinë e një thellësie strategjike në Mesdhe dhe në Lindjen e Mesme, largimi dhe neutralizimi, sa të ishte i mundur, i kërcënimit xhihadist ndaj territorit rus. Me fjalë, Lavrov nuk tregohet idhtar i një zvogëlimi të fuqisë amerikane (“Rusia nuk lufton kundër askujt”). Prioriteti i tij duket se qëndron tjetërkund: “E përsëris, ne nuk kërkojmë përplasjen me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Europian apo NATO-n. Përkundrazi, Rusia është e hapur ndaj bashkëpunimit më të gjerë të mundshëm me partnerët e saj perëndimorë”. Siç ka pohuar Henry Kissinger gjatë një vizite të tij në Moskë më 2016, Lavrov mëshon për “respektimin e vlerave dhe të interesave jetike të gjithsecilit”. Njëlloj si filozofi rus Nikolai Berdjaev, Lavrov është i bindur se historia i ka dhënë Rusisë misionin e të qenit një urë midis Lindjes dhe Perëndimit. E gjitha kjo është shpjeguar në një memorandum të botuar më 3 mars të 2016 nga ministria e tij. “Prej të paktën dy shekujsh, çdo tentativë për ta bashkuar Europën pa Rusinë dhe kundër saj ka çuar në tragjedi të tmerrshme. Dhe për t’ia tejkaluar pasojat ka qenë gjithmonë e nevojshme pjesëmarrja vendimtare e vendit tonë”. Në sytë e tij, zgjerimi i NATO-s drejt Lindjes “gjithnjë e më afër me kufijtë rusë” është “burimi i të gjitha problemeve sistemike që kanë lindur në marrëdhëniet që Rusia mban sot me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian”. Strategjia ruse përfaqëson prej më shumë se 10 vitesh një tërësi të vazhdueshme dhe koherente, që në praktikë, për Rusinë, ka rezultuar patjetër shpërblyese. Duke e vendosur sërish Rusinë baraz me Shtetet e Bashkuara në Siri e në Iran, Presidenti rus dhe ministri i tij i palëkundur kanë realizuar sërish një sukses diplomatik të vërtetë, të denjë për Carin Aleksandër dhe ministrin e tij të madh Gorshakov.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakSi bëhet shpërndarja e “fake news” në Facebook
Artikulli tjetërPërse Trump ka të drejtë për NATO-n