Shqipëria, një “pikë” në ekonominë e Ballkanit Perëndimor

Bashkimi Europian po nxit me forcë rritjen e bashkëpunimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor, ku hyjnë Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova, Bosnje-Hercegovina dhe Serbia. Në samitin e Triestes, fokusi u vu në krijimin e një tregu të përbashkët rajonal. Ndonëse drejtuesit shqiptarë po tentojnë të marrin rolin e liderit, madhësia ekonomike e Shqipërisë dhe renditja e saj pothuajse gjithnjë në fund për pjesën më të madhe të treguesve, vështirë se i japin vendin tonë avantazhin real që shumëkush do të donte.
Më poshtë po sjellin se si renditet Shqipëria në rajon në madhësinë ekonomike dhe disa indekse të tjera kryesore.

Madhësia ekonomike

Prodhimi i Brendshëm Bruto (nominal) i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është rreth 89 miliardë dollarë, sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitin 2017. Kjo shumë është më pak se 1% e totalit të prodhimit të Europës Perëndimore.
Brenda Ballkanit Perëndimor, Shqipëria renditet e treta (me 14%), pas Serbisë, që kryeson me gati 42% të ekonomisë së këtij rajoni dhe Bosnjës, me 19%.
Ndërsa madhësia relative lidhet me sipërfaqen dhe popullsinë, në një tjetër tregues, atë të të ardhurave për frymë, Shqipëria dhe Kosova renditen gjithnjë të fundit. Raporti i pak kohëve më parë i Komisionit Europian lidhur me të ardhurat për frymë dhe procesin e konvergjencës (rritja me ritme më të shpejta se mesatarja e Europës në mënyrë që të arrihen standardet europiane) na dha lajmin e keq se Shqipëria jo vetëm është larg, por ka performuar më keq se kolegët e tjerë të Ballkanit. Të ardhurat e Shqipërisë në vitin 2016 ishin sa 30% e mesatares së BE-së, njësoj sa në vitin 2012, teksa vendet e tjera të rajonit kanë shënuar përparime në rritjen e të ardhurave, duke e lënë shumë pas vendin tonë.
Rritjen më të madhe e shënuan Maqedonia dhe Turqia duke u zgjeruar përkatësisht me 4 dhe 11 pikë përqindje të ardhurat e tyre në katër vitet e fundit në raport me BE-në. Të ardhurat e Maqedonisë në vitin 2016 ishin sa 38% e mesatares së BE-së, nga 34% më 2012-n.
Përmirësime me 3 pikë përqindje bëri edhe Bosnja (31%) dhe Mali i Zi (42%). Vetëm Serbia ka shënuar ulje me një pikë përqindje, në 36%, por sërish mbetet më lart se ne. Për herë të parë Shqipërisë ia kaloi edhe Bosnja, shteti me probleme të mëdha etnike dhe burokratike.
Në vlerë absolute, të ardhurat për frymë të shqiptarëve në vitin 2016 ishin rreth 4200 dollarë për frymë, sipas statistikave të fundit të publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Me këtë nivel, Shqipëria renditet e 106-a në botë, nga 190 shtete, për të cilat raportohen të dhënat e prodhimit të brendshëm nominal (të parregulluar me inflacionin) për frymë.
Më mirë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor paraqitet Mali i Zi, rreth 6,600 dollarë (84), Serbia rreth 5,400 USD (vendi 92), Maqedonia rreth 5,700 USD (93) dhe Bosnjë dhe Hercegovina me 4,300 USD. Shqipëria vjen menjëherë pas Bosnjës (të dhënat për Kosovën mungojnë).
Në treguesin e fundit “të bësh biznes”, të Bankës Botërore, ndonëse Shqipëria shënoi përmirësim të ndjeshëm, duke u ngjitur me 32 pozicione për t’u ngjitur në vendin e 58, ajo ka renditjen më të përkeqësuar në raport me vendet e tjera të rajonit, duke lënë pas vetëm Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën. Sipas tabelave të Bankës Botërore, më mirë nga gjithë rajoni paraqitet Maqedonia, e cila është renditur në vendin e 10 në botë për treguesin e të bërit biznes 2017, duke qenë e katërta në botë për nisjen e një biznesi, e 11-a për lejet e ndërtimit. Serbia është në vendin e 47, edhe ky një shtet që po tërheq investime të huaja, sidomos në fushën e industrisë së pjesëve mbështetëse të automjeteve, por edhe në sektorë të tjerë. Shteti tjetër fqinj, Mali i Zi është në vendin e 51. Pas Shqipërisë, që renditet e 58-a vjen menjëherë Kosova, që në renditjen e këtij viti është e 60-a. E fundit në rajon është Bosnje-Hercegovina, që renditet në vendin e 81, nga 190 shtete në total.
Për eksportet, në raport me madhësinë e ekonomisë (Prodhimin e Brendshëm Bruto, PBB), Shqipëria ka performancën më negative. Eksporti i mallrave dhe shërbimeve në Shqipëri është rreth 27% e PBB-së, në Maqedoni është rreth 50% e PBB-së, në Serbi po rreth 50% e PBB-së, në Mal të Zi rreth 42% e PBB-së dhe në Bosnjë 35.1%. Shqipëria vijon të ketë avantazh kryesor shitjen e burimeve natyrore dhe kostos së lirë të fuqisë punëtore, duke e bërë vendin më pak konkurrues në produktet teknologjike, çka do e bënte atë më të brishtë në një bashkëpunim (konkurrencë) rajonale.
Jo më kot vendi ka treguesin më të përkeqësuar në Europë në Indeksin e Inovacionit Global për vitin 2017. Shqipëria ndodhet në vendin e 93, nga 127 shtete në renditje. Në këtë pozicion, Shqipëria është e fundit në gjithë Europën, duke treguar një nivel të ulët të zhvillimit të inovacionit në sektorin prodhues dhe teknologjisë së informacionit, që ka mbetur kryesisht vetëm në kuadrin e promovimit të start-up, ndërsa shumë vende të rajonit janë kthyer ndërkohë në një ofrues të rëndësishëm të shërbimeve të teknologjisë së informacionit (IT) për të tretët dhe po përparojnë në industrinë automotive. Rajoni renditet shumë më mirë se ne, ku Mali i Zi kryeson në vendin e 48, Maqedonia është në pozicionin e 61, ndonëse me përkeqësim. Serbia është ngjitur në vendin e 62. Bosnja është në vend të 86.

Samiti i Triestes jep pak shpresa për integrim të shpejtë të Ballkanit në Bashkimin Europian

Konceptuar si një instrument për mbajtjen e Ballkanit të angazhuar gjatë një periudhe disavjeçare gjatë së cilës nuk priten anëtarësime të reja në BE, samiti i nivelit të lartë në Trieste duket se dështoi të zgjidhë disa probleme kyçe në rajon, ndërkohë që premtoi fonde modeste për infrastrukturë, si dhe premtimin për krijimin e një miniEurope përmes heqjes së barrierave jotarifore mes vendeve që pritet të presin gjatë para anëtarësimit.
Një samit i nivelit të lartë mbi Ballkanin Perëndimor i zhvilluar në Trieste të Italisë përsëriti angazhimin e BE-së dhe të Ballkanit për integrim europian, ndërsa firmosi dy marrëveshje më të dobëta nga sa qe shpresuar për afrimin e vendeve të Ballkanit me njëra-tjetrën si një rrugë e ndërmjetme, ndërkohë që integrimi i vërtetë mbetet larg.
Deklarata finale e Ministrisë së Jashtme të Italisë, e cila qe mikpritësja e samitit, thotë: “Pjesëmarrësit në mënyrë unanime rikonfirmuan mbështetjen e tyre të qartë për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, siç është deklaruar në konkluzionet e Këshillit Europian më 9 mars 2017, ndërsa theksojnë nevojën për përpjekje më të forta për reforma në rajon”.
Ndërkohë, agjencia e lajmeve “Reuters” raportoi se projekti final i firmosur në Trieste për krijimin e një Zone të Bashkëpunimit Ekonomik Rajonal, qe më e paktë se sa Bashkimi Doganor, i premtuar në takimin e Sarajevës në shkurt të këtij viti. Mosarritja e Bashkimit Doganor erdhi si pasojë e kundërshtimit të Kosovës.
Marrvëveshja e re nënkupton angazhimin e gjashtë vendeve të Ballkanit jashtë BE-së, Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Bosnjës për të harmonizuar rregullat e investimeve, për të hequr barrierat jotarifore ndaj tregtisë, si dhe për të fuqizuar paktin për tregtinë që sakaq ekziston, i quajtur Zona e Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore, CEFTA.
Bosnja nga ana e saj dështoi të firmosë një marrëveshje tjetër, për përmirësimin e infrastrukturës së transportit, pasi njësia e saj autonome Republika Srpska e kundërshtoi marrëveshjen.
Samiti i Triestes është vijimësi i një serie samitesh që janë zhvilluar çdo vit që nga viti 2014 dhe që synojnë të mbajnë Ballkanin Perëndimor të angazhuar me Bashkimin Europian ndërkohë që integrimi i vërtetë pritet të jetë i ngrirë edhe për shumë vite.
Në vitin 2014, në Procesin e Berlinit, u bë thirrje për krijimin e një platforme katërvjeçare komunikimi diplomatik me synimin “për të arritur progres real të mëtejshëm në reforma, për të zgjidhur problemet aktuale dypalëshe dhe të brendshme, për të arritur ripajtim brenda dhe mes shoqërive të rajonit”.
Procesi vijoi në Vjenë në vitin 2015, samit në të cilin BE premtoi 200 milionë euro për rrugë dhe energji, shifra këto të konsideruara si të papërfillshme në krahasim me nevojat e Ballkanit për zhvillim të infrastrukturës së transportit dhe të energjisë.
Në samitin e Parisit në vitin 2016 u krijua Zyra e Bashkëpunimit Rinor Rajonal, si dhe u premtuan 100 milionë euro për tri projekte hekurudhore. Gjithashtu u ra dakord në parim për hartimin e një plani rajonal për zhvillimin e sektorit të hidroenergjisë, me synimin për të ndihmuar në balancimin e zhvillimit të hidroenergjisë me nevojat për mbrojtjen e mjedisit.

Artikulli paraprakJurgen Klopp i gëzohet rikthimit të Coutnho dhe Llallana
Artikulli tjetërStoke City ka refuzuar 25 milionë euro për Marko Arnautoviç