Sezoni turistik i Durrësit, edhe këtë vit, peng i investimeve të mëdha

Rruga e plazhit është në rikonstruksion të përhershëm ndërsa sheshi i portit gjendet në ndërtim duke shkaktuar bllokim trafiku dhe pluhur. Shoqëruar kjo me fushatën zgjedhore, sezoni turistik duket paksa i vështirë. Sezoni turistik i këtij viti në Durrës, sipas operatorëve të këtij sektori, duket se nuk do të ngjitet mbi pritshmëritë e viteve të tjerë pararendës. Përkundrazi, specialistët mendojnë se investimet e mëdha që po zbatohen në rrugën e plazhit dhe sidomos ai në sheshin pranë portit detar do të ndikojnë negativisht në përshtypjet e turistëve vendas dhe të huaj. Situata parazgjedhore dhe muaji i Ramazanit gjatë muajit qershor ndjehen tashmë në frekuentimin e plazhit më të madh të vendit, shifrat e të cilit mbeten thuajse të papërfillshme edhe për shkak të motit të paqëndrueshëm në gjysmën e dytë të muajit maj. Ndërkaq, punimet për realizimin e disa projekteve në zonën e plazhit dhe pranë qendrës së qytetit nuk kanë përfunduar ende, duke i lënë dyshues pushuesit e përvitshëm të vijës bregdetare. Më pak optimiste janë përshtypjet e turistëve të huaj, që kërkojnë të njohin trashëgiminë kulturore dhe monumentet historike dhe arkeologjike të qytetit antik. Albina Gajtani, operatore turistike në një nga agjencitë më të mëdha të vendit thotë se shëtitja me grupe turistike nëpër Durrës gjatë pranverës së këtij viti përbën një “dramë më vete”. “Lëvizja me autobusë në zonën turistike është e pamundur”, thotë Gajtani. “Punimet në sheshin para portit bllokojnë shpeshherë trafikun e automjeteve, ndërsa mjedisi mbetet i ndotur nga pluhurat që vështirësojnë vizitat e të huajve”, vijon ajo. E njëjta gjendje edhe sa i përket parkimeve, që mungojnë veçanërisht në zonat më të frekuentuara të qytetit. Turistëve të interesuar për Durrësin që vijnë nga Gjermania, Franca apo Çekia, tashmë i janë shtuar kohët e fundit edhe turistët spanjollë. “Por kurioziteti i tyre fashitet brenda 90 minutave, aq sa zgjat edhe shëtitja më e zvarritur në qendrën e qytetit bregdetar”, thotë Gajtani. Udhëtarët e një jahti luksoz që u ankorua këto ditë në portin detar u nisën me autobusë drejt Beratit dhe askush nuk qëndroi në Durrës, citohen burime të tjera turistike, duke nënvizuar problematikat e viteve të fundit në qytetin 3000-vjeçar. Vizitorët e huaj kanë shumë pak motive për të qëndruar në Durrës edhe gjatë natës. “Fatkeqësisht, qyteti ka një mbrëmje të varfër kulturore, ndërsa nuk bëhet fjalë për lokale nate, të cilat të huajt vazhdojnë t’i kërkojnë në Tiranë”, na informojnë në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë. Bashkia e qytetit nuk e ka bërë ende të njohur kalendarin e veprimtarive artistike verore. Disa prej tyre, përfshirë edhe Festivalin ndërkombëtar të Filmit, janë ndërprerë prej 2-3 vitesh, ndërsa të tjerët nuk dihet nëse do të marrin edhe këtë verë mbështetjen financiare të pushtetit vendor. Edhe pse po përfundon muaji maj, në qytet nuk ka asnjë shenjë për organizimin e ceremonisë së hapjes së sezonit turistik. Rituali i përvitshëm në zonën bregdetare në jug të qytetit është më i vonuar më shumë se sa në çdo vit tjetër. Në të njëjtën situatë edhe Takimi vjetor i Komitetit të Turizmit në shkallë qarku, ende i pakryer për 2017. Në Dhomën e Tregtisë vlerësojnë vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave për të ulur nga 20% në 6% TVSH për hotelet, vendim i cili do të bëhet i zbatueshëm vetëm në mesin e muajit qershor. Por, drejtuesit mendojnë se kjo mbetet një masë gjysmake, nga e cila nuk mund të përfitojnë shërbimet e shumta turistike në vijën bregdetare e në veçanti restorantet. 2-3 nga hotelet me kapacitete të mëdha në zonën e Shkëmbit të Kavajës kanë lidhur kontrata disamujore me agjenci të mëdha për akomodimin e turistëve polakë. Kjo kategori pushuesish ka më pak vërejtje për kushtet e plazhit dhe ato të hoteleve- shtojnë në DHTI. Por, të huajt që zgjedhin bregdetin dhe banjot e ujit janë më të paktë në numër se sa grupet e interesuara për vizitat kulturore. Guidat e agjencive turistike thonë se edhe qendrat historike në periferi të Durrësit kanë thuajse të njëjtën situatë. “Edhe vizita në Kepin e Rodonit nuk i entuziazmon të huajt që kanë pasur informacione paraprake për rrethinat e qytetit-vijon Albina, duke shtuar se Kisha e Shna Ndout në pikën më perëndimore të gadishullit apo edhe rrënojat e kalasë së Skënderbeut mbeten dy monumente të shkëputura nga njëri-tjetri”. Që prej dy vjetësh, kur u realizua ndarja e re territoriale, sipërfaqja e Bashkisë së Durrësit zgjatet nga Përroi i Agait, pranë Golemit në jug deri në Kepin e Rodonit, ku nis rrethi i Kurbinit në veri. Tanimë qyteti ka në dispozicion një vijë bregdetare prej afro 62 km, një pasuri e plotë që duhet menaxhuar me kujdes. Për të lënë prapa përvojat e hidhura të lagjeve-geto që u krijuan në vitet 2000 në zonën e plazheve në jug të qytetit, nga ura e Dajlanit deri në Shkëmbin e Kavajës.

Artikulli paraprakShqipëria humb 128 mln dollarë në vit nga sëmundjet pandemike
Artikulli tjetërPronarët: Rama po na shpronëson për së dyti, vendimet e qeverisë në Strasburg