Shqipëria humb 128 mln dollarë në vit nga sëmundjet pandemike

Banka Botërore ka përllogaritur se vendet po përballen gjithnjë e më shumë me humbje nga përhapja masive e pandemive. Shpejtësia e rrufeshme e pandemive është duke zhytur ekonomitë kombëtare papritmas në kaos, si rasti i Ebolës në Afrikën Perëndimore më 2014-‘15. Sipas përllogaritjeve të Bankës Botërore, kostot që i krijuan pandemitë ekonomisë shqiptare u llogaritën në 128 milionë dollarë për vitin 2015 ose 44.4 dollarë për frymë në vit. Siç shihet nga të dhënat e BB, Shqipëria ka humbjet më ulëta financiare që krijohen nga pandemitë në nivel rajonal, kur shihet se Maqedonia, edhe pse ka një popullsi më të vogël, i ka humbjet në një vit 113 milionë dollarë ose 54.7 dollarë në frymë. Në Serbi, dëmi ekonomik që i krijohet vendit nga sëmundjet pandemike llogaritet në 419 milionë dollarë në vit ose 59 dollarë për frymë. Humbje të mëdha duket se i ka Mali i Zi, me 44 milionë dollarë në vit ose 72 dollarë për frymë, por nivelin më të lartë e ka Turqia, me 8 miliardë dollarë në vit ose 102.9 dollarë për frymë. Banka Botërore paralajmëron se cilado qoftë mënyra e përhapjes, pandemia vdekjeprurëse është vetëm disa dekada larg. Partnerët e zhvillimit po ndërmarrin hapa për të përmirësuar gatishmërinë e tyre për t’iu kundërvënë shpërthimeve të sëmundjeve infektive, por ka ende shumë për të bërë. Banka bëri thirrje se koha për të vepruar tani është jo vetëm për qeveritë kombëtare, por edhe për Partnerët e Zhvillimit Ndërkombëtar. Mirëpo asnjë plan nuk do të mund të funksionojë nëse fondet nuk janë. Mes arritjes së sigurisë së vërtetë shëndetësore dhe retorikave aspiruese, ndryshimin e bën paraja. Kjo është sfida që Banka Botërore kërkon të adresojë. Raporti konfirmon rëndësinë për rritjen e gatishmërisë ndaj pandemive për të ardhmen ekonomike të vendeve. Banka ka bërë gati një plan, sipas të cilit vendet orientohen se si të gjejnë financime për të përballuar rreziqet që vijnë nga pandemitë.

Artikulli paraprakInteresat e kredive më të lira se kurrë
Artikulli tjetërSezoni turistik i Durrësit, edhe këtë vit, peng i investimeve të mëdha