Saga e Nufit të Zadrimës… Kush është 80 vjeçari që u arrestua pse protestoi para Kryeministrisë

Nga Martin DEDAJ

Nuf Zeka apo shkurt “Nufi”!.. Kështu njihet në Fishtë dhe më tej por emri i tij është Ndue Zef Fugaj (Ndoci). Ai dhe familja e tij ka një histori sa të dhimbshme po aq të trishtë. Ka qenë vetëm 3-vjeç e gjysëm kur i pushkatojnë pa gjygj babain e tij Zekën, vetëm pse ai ishte kundra komunistëve që erdhën në pushtet pas Nëntorit të vitit 1944. Mbi familjen dhe të afërmit e Zef Ndocit (njohur edhe Zek Fugaj) filloi një kalvar i pashoq, vijuar nga një jetë e vështirë plot vuajtje dhe persekucione. Familja cilësohet kulake, ju hoqën triskat e frontit, u degdisën në punët më të vështira, dhe u privuan nga çdo e drejtë qoftë edhe elementare etj. Kalvar i cili vijoi për afro 50-vjet, deri në agimin e demokracisë në Shqipëri në vitin 1990, që fatkeqësisht u shkërmoq me kthimin dhunshëm në pushtet në Marsin e përgjakur të vitit 1997 të socialkomunistëve dhe pjellës së tyre, të cilët janë rikthyer sërish në pushtet, në vitin 2013 me të ashtëquajtërën “Rilindje”, që veçse e tillë nuk rezultoi për shqiptarët.
* * * *
Nuf Zeka prej vitesh ruan si gjënë më të shtrenjtë një fotofrafi të dalë me prindërit dhe njërin vëlla, pak kohë përpara se ti pushkatonin të jatin. Nufi në foto është ai djali i vogël (majtas) i cili është rritur, burrëruar dhe po plaket së bashku me këtë fotografi. Sa e sa herë e ka mbajtur nën jastek dhe ka fjetur me këtë foto, me mallin fëminor për të jatin. Mall i cili kurrë nuk i’u shua, pasi pabesia komuniste do ta ekzekutonte pa gjygj Zekën, babain e Nufit, së bashku me një grup antikomunistësh të tjerë.
Me lot në sy dhe duke ju dridhur mjekra, Nufi fshan mbi fotografinë teksa e ledhaton kujdesshëm atë dhe shprehet: -“Kam qenë krejt i vogël dhe si një ëndërr e keqe më kujtohet lajmi i zi, se na pushkatuan babën. Na kapi një vaj i madh a thua se na kishte rraf kush. Por nana jonë e dashur Mrika (dritë pastë) e bija e Hilë Gjokës në Korthpulë, na mblodhi rreth votrës dhe përpiqej të na pajtonte dhe largonte disi dhimbjen. Unë jam fëmija i fundit por dy vllaznit e mi Shtjefni e Frani (të cilët kanë ndërruar jetë) dhe motra ime Dila, asokohe kanë qenë më të rritur dhe e kanë ndjerë më shumë sesa unë dashurinë dhe dhimbjen e babës, të cilin na e pushkatuan pa gjygj misionarët e kuq të komunizmit, të cilëve më shumë se çdo gjë tjetër u interesonte pushteti i tyre i pas luftës. Na ka rritur nana me shumë mund dhe sakrifica. Gjithçfarë metodash dhe marifetesh dhune dhe terrorri është ushtruar ndaj nesh, nga forcat e sigurimit dhe ato të pushtetit të kohës por ne, falë zotit ndonëse me vështirësi mundëm ti përballonim këto situata mjaft të vështira.

Zek Ndoc Fugaj një antikomunist i vendosur…
Njohur me dokumenta zyrtare Zef Ndoc Ndoci, ai lindi në Fishtë të Zadrimës në vitin 1907. Do të kalonte një fëmijëri pranë familjes ashtu si të gjithë bashkëmoshatërët e tij të vendlindjes, kësaj treve të dëgjuar në Zadrimë dhe jo vetëm, si dheu i vendlindjes së poetit të madh kombëtar At’ Gjergj Fishta.
Më pas Zeka do të kryente arsimin bazë në Troshan dhe po aty fillon studimet për prift, por për nevoja ekonomike të familjes ndërpret shkollimin dhe kthehet në familje, ku merret për disa kohë me punë bujqësie e më pas ndërton një ndërtesë me dërrasa dhe të mbuluar me tjegulla e cila ka shërbyer për shitjen e vajgurit në Lezhë, në të cilën ka punar për disa vite aty, vetë Zeka. Ndërtesa afro 25 m 2 ka qenë e vendosur tek rruga e Kallmetit aty ku sot është ish Dega Ushtarake. Objekti ka qenë deri vonë dhe është njohur si “Kioska e Zek Fugës”. Në një hark kohor të shkurtur, qartësimi e përshtjellimi, shpëtimi e humbja, fitorja e disfata u ngërthyen keqaz me njëra-tjetrën. Kështu që, pas vitit 1942 filluan të ravijëzoheshin qartazi palët me pikpamje dhe qëndrime të kundërta politike. Në njërën anë forcat antikomuniste që donin një Shqipëri të lirë dhe demokratike ku padyshim pjesë e tyre ishte edhe biri i Zadrimës Zef Fugaj, (Periudhë e cila përkon me kohën kur ai u lidh dhe bashkëpunoi me krerët e lëvizjes antikomuniste të Veriut) dhe në anën tjetër komunistët që më shumë se çdo gjë tjetër u interesonte pushteti i pas luftës, të cilët filluan të organizohen me shpejtësi sidomos në Jug të vendit.
Në këto rrethana në Veri të Shqipërisë kishte filluar organizimin rezistenca antikomuniste pjesë e së cilës ishin një grup prijësish të viseve të Shqipërisë së Epërme, të cilët më 2 Prill 1944 krijuan Grupin Indipedent Antikomunist Shqiptar, me Këshill Drejtues të përbërë nga: Sulçe Beg Bushati, Gjon Marka Gjoni, dhe Hafiz Ali Kraja, që përfaqësonte Shkodrën, Mirditën, Malësinë e Madhe, Dukagjinin, Pukën, Hasin, Lezhën etj. (Aso kohe Lezha ishte pjesë e Shkodrës).

Ky grup u bëri thirrje forcave të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit që të bashkoheshin në një front të vetëm rezistence antikomuniste. Ndërkohë që kioska e vajgurit njohur si “Kioska e Zek Fugës”, kishte kohë që ishte bërë qendër e pikëkontakteve të burrave të krahinës që ishin kundra komunizmit. Aty diskutohej deri në orët e vona të natës e ndoshta deri në të zbardhur të dritës. Këtu krerët antikomunistë vendosnin për veprimet që do të kryente grupi i Lezhës, kryetar i të cilit ishte Zek Fugaj, dhe përbëhej nga: 1. Zef Simoni (Zek Fugaj Fishtë-Zadrimë), 2. xhandar Prenk Marku nga Kaçinari, 3. Prenk Lek Shkreli (Malësi e Madhe), 4. Pjetër Shqalshi (Malaj-Mirditë), 5. Preng Kol Marku (Kaçinar-Mirditë), dhe disa të tjerë që i’u bashkëngjitën më vonë. Grupi i Zadrimës që në krijimin e tij përkrahu dhe bashkëpunoi me Grupin Indipedent të Veriut të Shqipërisë, si dhe me grupet e tjera antikomuniste shqiptare duke u investuar maksimalisht, në luftën kundra frymës komuniste që kishte filluar të fitonte terren. Pasi komunistët po kalonin nga krijimi i formacioneve të mëdha ushtarake, në ngritjen e strukturave që do të kontrollonin pushtetin aty ku largoheshin Italianët dhe më pas Gjermanët.

Veprimtaria antikomuniste dhe asgjesimi i grupit të Zadrimës… nuuu
Aktiviteti antikomunist i Grupit të Zadrimës dhe prijësit të tij fisnik Zek Fugaj si dhe popullariteti që ai kishte në Zadrimë, alarmuan pa masë forcat e partizanizmës të cilët filluan ndjekjen dhe survejimin si dhe kërkuan të dinin dhe të merrnin informata të hollësisshme rreth aktivitetit të këtij grupi. Kështu që kioska e vajgurit që ishte edhe rezidenca e grupit u bë tashmë objekt i forcave të ndjekjes.
Për ti shpëtuar ndjekjes dhe rrezikut të arrestimit, aty nga fundi i Tetorit 1944 grupi i përbërë prej 8-vetash të prirë nga Zek Fugaj, vendosi ta spostojë aktivitetin e tyre antikomunist nga Lezha drejt Tiranës për tu bashkuar me forcat e tjera antikomuniste që vepronin rreth saj, dhe për të vijuar aktivitetin e tyre antikomunist aty ku e kërkonte nevoja.
Në rrugëtim e sipër tre pjestarë të grupit u kapën nga forcat e ndjekjes që i sollën dhe i demaskuan në popull e më pas i zhdukën pa nam e nishan, saqë sot e kësaj dite nuk ka të dhëna për fatin e tyre, ndërsa pjesa tjetër kanë qëndruar ilegalisht për 2-3 ditë, por pa mundur ti shpëtojnë darës së kuqe të komunizmit.
Zek Fugaj së bashku me pjestarët e tjerë të grupit të Zadrimës do të pushkatoheshin nga dora kriminale e forcave të ndjekjes më 31.10.1944, në vendin e quajtur: “Varri i Xhandarëve”, në Priskë të Tiranës.

Në librin: “Traktaktet e Xhelal Staraveckës”, hidhet paksa dritë mbi vrasjen e 5-anëtarëve të grupit të Zadrimës, të cilët u ekzukutuan pa gjygj. Në këtë libër ndër të tjera shkruhet se: “Ne kemi pasë dy nene. Kur ndonjë fatkeq dënohej me dy nene, do të thonte turturë të paktën nja katër orë e ndonëse i mbetej ndonjë pikë shpirti, me i dhënë gjysmën e lekut. Gjysma e lekut përkthehej plumbi. Në fund të Tetorit 1944 erdhi në Priskë të Tiranës Isa Toska (kështu thirrej xhelati komunist Mehmet Shehu) i cili kishte nisur një aksion brenda në Tiranë. Më tha tu bëja gjygjin grupit të Zadrimës që ishin arrestuar dy-tre ditë më parë. Gjygji i tyre ishte i bërë, pasi plumbi në kokë ishte rezervuar për ta. Sa për formalitet i mora në pyetje dhe u mora vetëm emrat, që i kam edhe sot e kësaj dite në një defter. Ata ishin: Zef Simoni (Zek Fugaj Fishtë-Zadrimë), xhandar Prenk Marku nga Kaçinari (Mirditë) Prenk Lek Shkreli (Malësi e Madhe), Pjetër Shqalshi (Malaj-Mirditë), Preng Kol Marku (Kaçinar-Mirditë). Këta të pestë u pushkatuan pa gjygj dhe u varrosën në një varr kolektiv, të quajtur “Varri i Xhandarëve”, të cilin familjarët dhe të afërmit e tyre nuk mundën ta gjenin asnjëherë”.
U desh të kalonte gjysëm shekulli dhe vetëm në Nëntor 1994 familjarët e Zef Fugës dhe të tjerëve të vrarë atë ditë me të, të mund të gjenin eshtrat e të afërmëve të tyre të dashur, dhe të bënin çvarrimin nga kjo gropë e zezë e mbushr plot me mistere, ankth dhimbje, pabesi etj të realizuara nga ana e forcave të ndjekjes Dushano-Miladino-Hoxhiste të partizanizmës shqiptare, që tradhëtuan idealet e luftës për interest e pushtetit të tyre të mëvonshëm. Të gjata janë historitë e paudhësive të tyre, që nuk kursyen as jetën e njerëzve të pafajshëm, që patën vetëm një “faj” se nuk ishin me udhën e paudhë të komunizmit.

“Kulakët” e Zadrimës dhe varri i humbur…
Dallgët e historisë e kanë përplasur jo pak me jetën familjen e Zek Fugës në Fishtë. Ajo ka kaluar një kalvar të gjatë plot vuajtje dhe mundime gjatë diktaturës komuniste gjysëm shekullore, ku u diskriminua në mënyrat nga më të pabesueshmet, duke u përçmuar e degdisur në çdo mbledhje fronti, partie, rinie e gjetkë, si: “Bijtë e reaksionarit”, të atij që nuk e donte kurrë komunizmin dhe luftoj kundra tij.
Më tej akoma u cilësua: “Familje kulake” dhe i’u hoqën triskat e frontit, i’u privua e drejta e marrjes pjesë në mbledhje, për shkollim të fëmijëve as që bëhej fjalë. Ndërkohë që për ta ishte i rezervuar vetëm robtimi në punët më të rënda që kishte ish kooperativa bujqësore. Sindromë e cila vazhdoi deri në fund të viteve 90-të, kohë kur ra sistemi diktatorial afro gjysmëshekullor.
Një goditje tjetër më shumë sesa vrastare për familjen Fugaj (Ndoci) në Fishtë, do të ishte varrosja natën pa hënë e Zek Fugës, në një gropë të mistershme diku në malin e Dajtit, në Priskë të Tiranës, quajtur “Varri i xhandarëve”, por pa u saktësuar asnjëherë se ku!!!.
Forcat e errërta të ndjekjes e vranë atë së bashku me pjestarët e tjerë të grupit dhe më pas i varrosën në fshehtësi të plotë, duke mos treguar vendvarrimin e tyre për gjysëm shekulli.
Natën pa hënë dhe në errësirë të plotë i realizonte ekzekutimet dhe vrasjet shpura vrastare e diktaturës komuniste, pasi të zezë e kishin shpirtin xhelatët e tij fanatikë, të cilët pasanikët dhe kundërshtarët e tyre ideologjikë i kishin halë në sy.

Një “gëzim” brenda hidhërimit gjysëm shekullor…
Falë këmbënguljes titanike dhe kërkimeve disa vjeçare të tij, në fund të Nëntorit 1994, Nufi arriti të gjejë vendvarrimin e të jatit dhe eshtrat e të ndjerit ti rivarrosë, në varrezat e vendlindjes së tij në Fishtë, duke hequr kështu një brengë e cila do ti kishte shoqëruar gjatë gjithë jetës fëmijët e të ndjerit Zek, të afërmit dhe farefisin e tij. Ajo ditë pavarësisht se u kthye në një morte të madhe pati edhe një “gëzim” brenda hidhërimit dhe brengës shumë vjeçare. Pasi familjarët e të ndjerit, nga ajo ditë e në vijim kanë të paktën një vend ku të shkojnë e lotojnë, çmallen dhe të vendosin lule të freskëta. E ky është varri i eshtrave të Zef Ndoc Ndocit, njohur edhe Zek Fugaj, që edhe pse të fosilizuara, akuzojnë dhe apelojnë për padrejtësitë dhe paudhësitë e ndodhura gjatë viteve të diktaturës.

Persekucioni vazhdon… nu1
Bijtë e etërve janë si vetë ato, në mos më keq akoma, pasi u’a kanë tejkaluar atyre. Të pangopur me masakrat e etërve të tyre, sikur të mos mjaftonte rritja jetim e Nufit dhe fëmijëve të tjerë, pa përjetuar dashurinë prindërore madje pa i ditur për gjysëm shekulli as varrin të jatit, persekucioni mbi familjen Fugaj (Ndoci) vazhdon ende.
Nufi piketohet dhe vihet në shenjestër, duke u shpallur në kërkim për llogari të Komisariatit Nr. 1 Tiranë, me pretekstin absurd të pjesëmarrjes në protestën paqësore të 8-Dhjetorit 2015, organizuar nga Partia Demokratike, në Ditën Kombëtare të Rinisë.
Pasi kishin marrë mirë të dhënat (a thua se deri në atë kohë Nufi kishte qëndruar në ajër), segmente të caktuara të shtetit, zgjedhin pikërisht datën 22-Dhjetor 2015, dy ditë përpara Krishtëlindjeve kur Nufi teksa po hynte në traget në Durrës, pasi kishte planifikuar të kalonte Kshnellet (Krishtlindjet) në Itali tek fëmijët, nipat dhe mbesat e tij dhe të çmallej me ta, pasi nuk i kishte parë prej kohësh. Por ndalohet nga forcat e policisë dhe shoqërohet për në Komisariatin e Policisë Durrës, ku i komunikohet “arsyeja” e ndalimit. Menjëherë janë vënë në dijeni disa deputetëvë të PD, të Durrësit të cilët kanë kërkuar sqarime rreth ndalimit të tij dhe më pas interesimi i drejtpërdrejtë i deputetit të Lezhës Aldo Bumçi, ka bërë të mundur që “ I rrezikshmi dhe shumë i kërkuari” Ndue Zek Fugaj, njohur edhe Nuf Zeka, të shoqërohet për në Komisariatin e Policisë Nr. 1, ku pasi është marrë në pyetje, është mbajtur për disa orë në dhomat e paraburgimit dhe më pas lirohet në orët e vona të natës. Por pa mundur të shkojë në Itali tek fëmijët, ashtu siç e kishte planifikuar.
Njësoj siç bënë të pafetë ideologjikë komunistë, që u prishën kishat dhe xhamitë besimtarëve në atë “revolucion famëkeq kulturor” të vitit 1967, kështu vepruan edhe xhelatët e pafe të “Rilindjes”, që pengojnë qytetarët të gëzojnë me fëmijët e të afërmit e tyre në ditë të shenjta, si nata e K’shnellave, siç vepruan me Nufin e Zadrimës, i cili në 25-vjetorin e krijimit të PD Lezhë, përshëndetjen që mbajti përpara demokratëve e bëri me duar të lidhura me zinxhirë, duke sintetizuar mësëmiri fytyrën e vërtetë të qeverisjes vrastare të rilindjes, që simbol të saj ka burgun dhe vetëm burgun.
Gjithashtu ai u bëri thirrje të gjithë demokratëve dhe jo vetëm dhe sidomos të rinjëve që të ngrihen si një uragan e të frymëzojnë një lëvizje mbarë popullore për të këputur zingjirët, me të cilët shqiptarët janë prangosur në këto vite të qeverisjes së ashtëquajtur të “Rilindjes”.
…dhe sërish Nufi mbrëmbjen e datës 17 Shkurt 2019, është marrë dhe shoqëruar për në Tiranë, me pretekstin se paska “sulmuar” kryeministrinë një ditë më parë teksa mori pjesë në protestën e opozutës. Sesa forcë mund të ketë një 80-vjeçar për të sulmuar njeri e aq më tepër kryeministrinë, siç është Nufi këtë mund ta dijnë vetëm ata që kanë sajuar akuzën ndaj tij?!!

Të pushkatuarit pa gjygj…
Teksa bisedon me Nufin, ai i rikthehet brengës me të cilën është rritur burrëruar dhe po plaket me të, dita-ditës. “Ah sa më ther në zemër kjo brengë. U rrita pa dashurinë dhe përkëdheljen e babës, të cilin ma vranë pabesisht komunistët, në prag të ardhjes së tyre në pushtet. Jo vetëm e vranë por e humbën pa nam dhe nishan, saqë vetëm pas 50-vjetësh munda të gjej vendin ku e kishin varrosur së bashku me shokët e tij të idealit dhe të rivarros eshtrat e tij, në varrezat e fshatit. Komunistat i kishin bërë mirë hesapet me kundërshtarët e tyre. Personat më të rrezikshëm i vranë para ardhjes së tyre në pushtet. Ashtu si baba im, të pushkatuar pa gjygj gjatë vitit 1944, janë me qindra e mijëra në të gjithë Shqipërinë të cilët fatkeqësisht nuk trajtohen ligjërisht. Ndaj ka ardhur koha që edhe kjo kategori të trajtohen nga legjislacioni shqiptar. Pse jo edhe me një ligj të veçantë”, apelon Nufi dhe më tej vijon: “Kam marrë vetëm dy herë shpërblim për babën, në kohën që ishte PD në pushtet gjatë viteve 1992-1996. (Një herë letra me vlerë dhe një herë tjetër nja 3 milion lekë të vjetra dhe kaq). Nuk është punë shpërblimi këtu por problemi është se, emri i babës tim dhe shumë antikomunistëve të tjerë, është fshirë nga dokumentat e shtetit” shprehet Nufi.
Kjo kategori njerëzish kanë qenë të situr mirë në sitën e forcave të ndjekjes dhe të pushtetit, që po instalohej në vend, gjatë vitit 1994 prandaj edhe u vranë të parët, njëri ndër të cilët ka qenë Zef Ndoc Ndoci (Zek Fugaj), i cili ka qenë një luftëtar i vendosur kundër komunizmit, dhe aspironte për një Shqipëri të lirë e demokratike. “Çdo dritë sado e vogël që të jetë e largon disi terrin, sigurisht në mos pastë aq dritë sa me ndriçue kambën, së paku na shërben se ku ta drejtojmë hapin”, thotë ndër të tjera Atë Zef Pllumbi në librin: “Histori kurrë e shkrueme”.
Ndaj këto pak radhë janë një përpjekje modeste për të hedhur sado pak dritë mbi aktivitetin antikomunist të këtij burri fisnik të Zadrimës dhe misteret e vrasjes pa gjygj të tij, për të cilin në të ardhmen, duhet të shkruhet më shumë, bazuar në të dhëna e fakte konkrete me qëllim njohjen dhe lartësimin e kësaj figure të vendosur antikomuniste dhe të këtij misionari fisnik të shqiptarizmës, i cili u pushkatua pa gjygj më 31 Tetor 1944 dhe u varros natën nëpër terr në vendin e quajtur “Varri xhandarëve”, në Priskë të Tiranës.

Artikulli paraprakBerisha në grupin parlamentar: Përballje me regjimin
Artikulli tjetërDeputetët e PD të bashkuar, votim unanim: Djegim mandatet dhe bashkohemi me popullin