Reforma në Drejtësi dhe fshehja e së vërtetës

Nga Pirro Guremani

Altoparlantët e Reformës në Drejtësi së bashku me kompromisin që u arrit, po përballen me një fenomen të gjetjes së artificave për fshehjen e disa të vërtetave. Shpesh po dëgjojmë për të ashtuquajturit “gjyqtarët e plepave” që realisht në atë kohë ishin domosdoshmëri për të shmangur emergjencën nga vakumi i gjyqtarëve të diktaturës. Por duhet thënë se të gjithë ata u shkolluan bindshëm në universitetet shqiptare si gjithë të tjerët dhe u specializuan shumë prej tyre edhe në universitetet europiane dhe amerikane. Këtë e di edhe çdo ambasador amerikan dhe europian.
Nga ana tjetër kemi një trupë të vjetër gjyqtarësh që tashmë janë ose në moshën e pragpensionit, ose të fshehur në institucionet e drejtësisë si këshilltarë të këqinj, ose janë bijtë e tyre që punojnë pa u ndalur për të realizuar një reformë drejtësie nën komandën e Fatmir Xhafës ustait të saj që e ka bekuar Enver Hoxha si bir besnik të partisë që të vinte një ditë si kjo e ai të ishte kumbari i reformës së kapur të drejtësisë. Por më e madhja dhe më e shumta është hija e ligësisë dhe fryma e së keqes që është rrënjosur nga ata pasardhësit e drejtësisë popullore që bënë det e tërmet në këtë vend me gjykatat në emër të popullit për të vrarë popullin.
Ajo klima e poshtërsive të rrënjosura në gjykime i gjen në çdo gjykatë të Shqipërisë dhe ai që i vuan është populli dhe vendimet që ata japin bëhen po në emër të këtij populli. Praktikat e këtyre 25 viteve janë të atyre që erdhën pas Arianit Çelës dhe Qemal Lames, janë ato të gjykimeve të pushkatimeve që bënin me ligjet e diktaturës dhe që i kishin si busulla orientuese edhe në qeverisjen demokratike sa fytyrat e këtyre gjyqtarëve të regjur e të kalitur në kudhrën e partisë staliniste, duke dhënë vendime alla komuniste me ngatërresa dhe prapësi që nuk ka Zot që t’i shtjellojë më.

Kur një kryeministër dhe një kryetar reforme ankohen dhe sajojnë konflikte apo bëjnë sire për t’u marrë mendjen qytetarëve dhe ndërkombëtarëve që kanë mbetur pa fjalë se çfarë bëhet në këtë vend, është e qartë se çfarë drejtësie do të bëjnë gjyqtarët dhe prokurorët e bekuar prej tyre.

Dëgjoj që kryeministri flet për llumin e demokracisë për gjyqtarët që ia mvesh ish- kryeministrit, por nuk po thotë se ata gjyqtarë që gatuan këtë llum a kanë emra, a janë ata që strehohen si guerilas që të bëjnë atentate në emër të popullit si dikur dhe për tua mveshur më pas plepave si gjetje e tipit komunist që etiketonte ballistët dhe zogistët, kur vetë ishin banditët e një populli që provoi diktaturën më të egër të kohës.

Veç një gjykate të analizuar do të mësosh se çfarë ankesash kanë ardhur për disa gjyqtarë të Elbasanit dhe do të mësosh se ata më të zellshmit e ligësive dhe padrejtësive kanë emra të njohur nga qytetarë për agresivitetin dhe poshtërsitë, për vjedhjet e bëra qytetarëve dhe bizneset që kanë dhe që në këto 25 vjet kanë bërë para me thasë dhe sot po rrinë në heshtje në pritje të reformës sipas modelit të Xhafës dhe të bekuar nga Edi Rama që mediumeve flasin edhe në emër të ndërkombëtarëve ose po manifestojnë dashuri për ndërkombëtarët në emër të popullit.
Kam lexuar nga gazetarë të Elbasanit për Bujar Mustën, ish-kryetar Gjykate në Elbasan si njeri prej marionetave të Thimio Kondit dhe suitës së vjetër. Kam marrë vesh për rrahjen e gjyqtares  Zamira Vyshka nga kunati i saj për padrejtësitë që ka dhënë dhe që vazhdon të japë me atë modelin e vet të dhunshëm në gjykime si një harbute e lindur dhe që është e lidhur me njëmijë e një fije me banditë që i njeh me emra dhe me mbiemra dhe që ka biznese të fshehura nga partnerë në jetën e saj. Kam dëgjuar që një Ilir Pashai e mban në mendje dhe në makinë Enver Hoxhën si frymëzim shpirtëror që di të bëjë çfarëdo lloj marifeti për të dhënë vendime të padrejta në emër të republikës edhe pse abuzive dhe me probleme që lenë për të dëshiruar. Flitet e flitet për të liruar nga burgu nga gjyqtari Zihni Shahu që të hiqet si babaxhan dhe të bën gjëmën me vendime që janë haptazi të favorizuar për palët që dinë ta lyejnë qerren.

Në Elbasan diskutohet se këta gjyqtarë të spikatur dhe nga më negativët, hiqen si të ndershëm dhe të zot, por të zot në padrejtësitë e bëra dhe në vendimet e dhëna, sa dihet se emrat e tyre janë të investuar herët në listën e KLD për uljen e figurës së gjyqtarit, por që janë lënë mënjanë shumë herët për shkak të ndërhyrjeve të bëra nga ata “baballarët” e drejtësisë së gjykatave popullore të diktaturës. Pikërisht këta fëlliqësira që nuk u përkasin gjyqtarëve të plepave, por diktaturës së plehrave kush do t’i bëjë radiografinë e pasurisë dhe vendimeve të padrejta të dhëna se shumatorja e këtyre vendimeve korruptive janë portreti i drejtësisë që kërkon të reformojë Edi Rama me Fatmir Xhafën.

Nëse morëm vetëm një qytet në mes të Shqipërisë si Elbasani, nuk mund të lemë pa përmendur se miqtë e këtyre gjyqtarëve janë fijet e lidhjes në gjykatat eprore të Apelit dhe të Gjykatës së Lartë. Të zë lemeria po t’i zbulosh petët lakrorit të vendimeve që kanë dhënë ky model gjyqtarësh që kanë edhe ambicje se me reformën e re mund të bëjnë edhe karrierë të re dhe hajde pastaj të besosh në një reformë drejtësie të mbrujtur me padrejtësinë e të korruptuarve.
Këto janë fshehjet e të vërtetave për një Reformë në Drejtësi që kryeministri e do gjallë a vdekur, porse opozita e do me konsensus dhe Venecia e do sipas standardeve europiane dhe amerikanët e duan për të dhënë drejtësi demokratike në emër të së drejtës e jo të krimeve që kanë bërë të majtët në një gjysmë shekulli padrejtësi gjykimesh “në emër të popullit”, duke vrarë e dënuar një popull të tërë.

Artikulli paraprakJo vetëm rritje çmimesh, qytetarët të pambrojtur nga abuzimet me mallrat e konsumit
Artikulli tjetërTraumat e puçit në Turqi