Odiseja e kotë në hapësirë

Njerëzimi imagjinon akoma se një ditë do të mund të jetojë në planete të tjerë. Por 50 vjet nga hapi i parë mbi Hënë duhet ta dimë se të paktën për momentin misionet hapësinore me një ekuipazh nuk kanë kuptim.

Në librin e tij të fundit, “Përgjigjet e mia për pyetjet e mëdha”, fizikani Stephen Hawking theksonte se qeniet njetëzore duhet ta kolonizojnë hapësirën pasi “mos lënia e planetit Tokë do të ishte si të shpëtuarit nga mbytja e anijeve që nuk kërkojnë të largohen nga një ishull i shkretë”. Nëqoftëse mendohen idetë e teologëve mesjetarë, që ftonin të përbuzej kjo jetë duke menduar për lavdinë e së ardhmes, pohimi i Hawking nuk duket edhe aq i çuditshëm. Përkundrazi, është sinteza e përkryer e eksploritmit të hapësirës së religjon i sublimuar. Hawking mendonte se përpara se të shkatërrohej shtëpia që kemi, duhet të gjejmë një tjetër. Sipas tij, ulja në Hënë e misionit Apollo 11, e ndodhur 50 vite më parë, kishte qenë hapi i parë, por më pas kishim ndaluar. Kush si Hawking mbështet udhëtimet hapësinore ankohet për faktin që pas misionit Apollo 17 të vitit 1972 askush nuk është kthyer më në Hënë. Por, përveç fajësimit të një skepticizmi të përgjithshëm ndaj shkencës dhe teknologjisë, nuk duket shumë kurioze të kuptohet pse. Në këtë moment vendi që dërgoi Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin në sipërfaqen hënore nuk ka mjetet as për të dërguar dikë në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar (ISS) që është në orbitë rreth Tokës dhe duhet t’i besojë lëshuesve rusë Sojuz. Ndërkohë, më 3 janar, Kina ka demonstruar potencialin e saj duke arritur të ulë anijen pa ekuipazh Chang’e 4 në anën e errët të Hënës, nga ka zbarkuar roveri Yutu-2. Wu Weiren, një prej përgjegjësve të projektit, ka deklaruar: “Një hap i vogël për roverin, ama një hap i madh për popullin kinez”, një shprehje që mund të lexohet jo vetëm si një homazh ndaj fjalëve të famshme të Armstrong, por edhe si provë e faktit se supremacia hapësinore ka kaluar nga Perëndimi në Lindje.

Dikush e shpjegton rënien e programit hapësinor amerikan duke thënë se me t’u “fituar” gara për pushtimin e hapësirës me Bashkimin Sovjetik më 1969, National Aeronautics and Space Administration (NASA) nuk kishte asnjë ide të saktë të asaj që duhej bërë. Në një farë kuptimi, misionet Apollo do të ishin viktima të vetë suksesit të tyre. Por programi hapësinor i Shteteve të Bashkuara, me t’u arritur suksesi, ishte i destinuar të përfundonte edhe për një motiv tjetër. Pikërisht pse na kanë bërë të shikojmë se çfarë do të thotë të udhëtosh në hapësirë dhe si është hapësira përtej atmosferës tone, misionet Apollo kanë shkatërruar një fantazi. Kur Buzz Aldrin fliste për “shkretinë e mrekullueshme” të Hënës, gjëja e vetme që mund të shikonim nga pamjet konfuze që vinin në televizorët qe shkretërimi. Pas vitit 1969 nuk ka qenë më e mundur të injorohej fakti që, përtej atmosferës hapësira do të kërkonte në mënyrë pasive, por të pandalshme, të na vriste. Është e zymtë, vetmitare dhe jomikpritëse më shumë sesa marinarët mund të imagjinonin kur aventuroheshin drejt deteve të panjohura. Nuk jemi kthyer në hapësirë pasi e aty për ne nuk ka asgjë tjetër përveç një tmerri të shkëlqyer bosh.

Programe jopopullore

Pavarësisht retorikës fisnike lidhur me eksplorimin njerëzor të hapësirës, motivacionet e programeve të para hapësinore amerikane qenë eksplicite të tipit militarist dhe nacionalist: qëllimi ishte të mundeshin komunistët. Administrata Eisenhower e themeloi NASA-n më 1 tetor 1958, një vit pas lëshimit të satelitit sovjetik Sputnik 1. Presidenti John F. Kennedy e njoftoi misionin hënor vetëm 6 javë pasi Jurij Gagarin ishte bërë njeriu i parë që kishte dalë në hapësirë, më 12 prill yë 1961. Kennedy tha se objektivi i tij ishte “që të ulej një njeri në Hënë dhe të kthehej shëndoshë si molla sërish në Tokë” (gratë amerikane e kuptuan menjëherë se nuk do të ishin pjesë e projektit). Në kundërshtim nga sa mendohet, program hapësinor amerikan nuk e ka pasur ndonjëherë mbështetjen e opinionit publik. Midis mesit të viteve ’60 dhe viteve ’70, vetëm 2 në 10 amerikanë qenë në favor të investimit të fondeve të mëtejshme në këtë sektor. Në fillim të programit Apollo, 3 amerikanë në 10 mendonin se qeveria duhej të shpenzonte më pak. Ndryshimi i vetëm domethënës në orientimin e opinionit publik erdhi me afrimin e zbarkimit në Hënë, kur në vitin 1968 Apollo 8 hyri për herë të parë me ekuipazh në orbitën e satelitit tonë.

Megjithatë, pavarësisht mbulimit tejet entuziast të mjeteve të informimit, kur moduli Eagle preku truallin hënor më 20 korrik 1969 (Armstrong dhe Aldrin zbritën një ditë më pas), entuziazmi u zbeh me shpejtësi. Edhe pse në Shtetet e Bashkuara ulja në Hënë ishte parë nga 120 milion njerëz, në vitin 1970 sondazhet thonin se vetëm një 1 në 15 amerikanë e kujtonte emrin e Armstrong. Vetë ai deklaroi: “Kisha shpresuar se impakti i zbarkimit do të kishte qenë shumë më i madh”. Në të vërtetë nuk kishte asgjë për t’u mrekulluar. Qysh nga fillimi, misionet qenë paraqitur si një “garë për pushtimin e hapësirës” kundër sovjetikëve: në momentin kur Armstrong kishte vënë këmbën në truallin hënor, gara ishte fituar. Amerika kishte triumfuar. E kishim parë Aldrin të ngulte në tokë flamurin amerikan. “Në këtë kuptim” shkruante sondazhisti Herbert Krugman, “mbështetja e opinionit publik ndaj programit Apollo ishte projektuar për t’u vetëshkatërruar në momentin e arritjes së objektivit të programit”. Gjithashtu, kjo ndodhi edhe pse njerëzit nisën të shikojnë nëpër ekrane se në çfarë konsistonin vërtet udhëtimet në hapësirë: nuk qenë siç i kishin imagjinuar.

Nga mënyra sesi qenë paraqitur në kulturën popullore, udhëtimet në hapësirë dukeshin të lehta, të paktën për alienët hollywoodianë që donin të pushtonin planetin tonë, si tek “Ultimatum Tokës” (1951) dhe tek “Lufta e botëve” (1953) të prodhuara nga George Pal. Me “Njerëz në Hënë” (1950) Pal kishte tentuar që të bënte një përfaqësim më realist të një misioni hënor dhe, sinqerisht, nuk kishte funksionuar: ishte dukur i shtirur dhe i mërzitshëm si një mbledhje e drejtuesve të NASA-s. “Pushtimi i hapësirës” (1955) i tij, rrëfimi në technicolor i një fluturimi në Mars duke filluar nga një stacion hapësinor në formë rrote, kishte qenë një flop total sa që për më shumë se një dekadë regjisorët patën frikë që t’i tregonin udhëtimet hapësinore “siç qenë në të vërtetë” (vetëm më 1968, me “2001: Odise në hapësirë” të Stanley Kubrick, gjërat ndryshuan). Publiku preferonte fantazitë e stilit të vjetër alla Flash Gordon, si seritë shumë popullore “Space patrol” (1950 – 1955) dhe “Lost in space” (1965 – 1968). NASA kontribuoi me dëshirë në krijimin e këtij iluzioni. Akoma në vitet ’70, agjencia bënte publicitet duke përdorur stacionet hapësinore e rikrijuara nga skenografët, me shtëpizat prej druri të mbrojtura nga kupola prej xhami e çeliku, për të dhënë iluzionin se të jetuarit në hapësirë do të ishte si ai në shtëpi. U arrit deri që t’u lejohej prodhuesve të raketave që të reklaomin rolin që kishin luajtur në programin Apollo. Dhe, natyrisht, vënia në skenë e misioneve ishte e kuruar me kujdes për televizionet. Eksplorimi ishte një formë argëtimi, gjithçka ishte pjesë e ndërtimit të markës.

Edhe shkencëtarët kishin një vizion rosë të asaj që ishte atje përtej. E dinin se sipërfaqja e Hënës ishte një shkretëtirë shkëmbore, por në vitin 1940 astronomi britanik Harold Spencer kishte shkruar se ka mundësi që në Mars të kishte vehjetacion (dhe nuk përjashtonte forma të tjera të jetës). Kështu, hapësira ishte kufiri i ri që shpirti i pamposhtur amerikan duhej të eksploronte. Në fund të fundit, astronautët e programit Apollo nuk qenë aq të ndryshëm nga Meriwether Lewis dhe William Clark, amerikanët e parë që arritën bregun e Paqësorit nëpërmjet tokës. Pastaj kemi zbuluar të vërtetën. Dalja në hapësirë na ka bërë të kuptojmë se pse Toka është kaq speciale. Natyrisht, është i ftohti ekstrem, përveçse në Afërditë, sipërfaqja e së cilës valon në 460 gradë nën një shtresë reshë acidi sulfurik. Është boshllëku: Hëna praktikisht nuk ka atmosferë. Është mungesa e gravitetit që shkakton humbjen e lëndës kockore: përvoja në stacionet hapësinore demonstron se astronautët mund të humbasin 1% – 2% të masës së tyre kockore në muaj. Janë rrezatimet kancerogjente të rrezeve kozmike dhe të atyre të emetuara nga Dielli, me të cilat na ruan fushën magnetike të Tokës. Për sa u përket mjediseve të ngjashme me atë të planetit tonë, akoma nuk e dimë nëse në Hënë apo në Mars mund të krijohen habitate ku të jetohet gjatë me rezerva të disponueshme, pa furnizimet e vazhdueshme nga Toka. Është budallallëk të kërkohet të parashikohet se çfarë teknnologjishë të së ardhmes së largët mund ta bëjnë të mundshme, por prania jonë në një prej këtyre dy botëve – që aktualisht janë destinacionet e vetme realiste – do të ishte e trishtë dhe e rrezikshme. Teza e Hawking bazohet mbi refuzimin e zakonshëm të vjetër e shikimit të realitetit: nuk kemi gjetur akoma një mjedis ku do të kishin mundësinë minimale e krijimit të një alternative afatgjatë ndaj planetit tonë dhe në sistemin tonë diellor me siguri që nuk ka.

Paletë pa ngjyra

Ndërsa fitohej ndëgjegjësimi për mosmikpritshmërinë e hapësirës, rritej edhe sikleti ndaj sistemit të vlerave që përkufizonin programin hapësinor. Në fundin e viteve ’60, kritika ndaj kompleksit ushtarako – industrial që mbështeste udhëtimet hapësinore pasqyronte një konflikt themelor parimor: refuzimin e një shoqërie racionale dhe teknokratike. Edhe intelektualëve u kishte ardhur në grykë nga boshllëku shpirtëror që ishte në themelin e kësaj ndëmarrjeje. Kur Norman Mailer shkoi të vizitojë Manned Spacecraft Center e NASA-s në Houston që të mblidhte informacione për librin e tij “Një zjarr në Hënë” (1969), e gjeti “të rreptë, asketik” dhe pa shpirt. Për ata njerëz, mendoi, zbarkimi në Hënë kishte qenë një sukses teknik i pastër dhe i thjeshtë, i privuar nga shenjtërim. Fronti i betejës ndiqte vijën e kufirit të hequr nga lufta në Vietnam, nga Summer of Love e 1967 dhe nga kultura e seksit, drogës dhe rrokenrollit. Për tradicionalistët, astronautët qenë flamurmbajtësit e moralitetit që i kundërvihej dekadencës hippy. Siç shkroi “Evening Dispatch of Columbus” në Ohio, “janë të gjithë burra në pragun e moshës së mesme që i përkasin klasës së mesme.

Asnjëri prej tyre nuk tymos bar, i mbajnë flokët e krehur, shpërfill dyshimin ose vetëkënaqet”. Pas zbarkimit në Hënë, kur interesi i opinionit publik për hapësirën u rrit, mungesa e çfarëdolloj perspektive apo motivacioni që të shkonte përtej qëllimit të fitimit të garës u shfaq dhimbshëm qartë. Shumë komentatorë nisët të pyesin: çfarë kuptimi ka? Të gjithë kishin ndjesinë se ishte një gjë e rëndësishme – po bëhej historia – por askush nuk ishte në gjendje ta thoshte pse. Armstrong e quajti “një hap të madh për njerëzimin”, por në çfarë kuptimi? “Është në natyrën e qenies njerëzore që të ndeshet me sfidat”, do të thoshte më pas, për të shtuar me sintaksën e tij paksa të shkujdesur: “Është prej natyrës së shpirtit më të thellë të tij”. sot gjërat nuk kanë ecur shumë përpara, nëse për Hawking “përgjigja e natyrshme” ndaj pyetjes për pse-në e daljes në hapësirë ishte “sepse ekziston”.

Editorialet kushtuar zbarkimeve në Hënë që dilnin nëpër gazeta thoshin se këto ekspedita do të “revolucionarizonin fatin e njeriut” dhe do të shënonin fillimin e një ere të re. për shumë qenë “ulërima dhe furia se nuk nënkupton asgjë”, siç e përcjell historian Matthew D. Tribbe në librin e tij “No Requiem for the Space Age” (2014). Fizikani Max Born i quajti misionet Apollo “një triumf i intelektit, por një dështim tragjik i arsyes”, ndërsa “Wall Street Journal” pyeste: “Do të jetë vetëm i pari i një numri të papërcaktuar udhëtimesh në hapësirë, me dobishmëri shumë të paktë për njeriun, që ndërkaq sheh që t’i përkeqësohen kushtet e jetesës në Tokë?”. Akoma sot bëjmë të njëjtën pyetje. Është mallëngjyese të shikosh fanatikët e eksplorimit hapësinor që kërkojnë të paraqesin një tabllo e cila i apelohet shpirtit pa e kuptuar sesa banale është paleta e ngjyrave që disponojnë.

Siç e ka demonstruar Armstrong, njerëzit që prodhojnë raketa dhe i pilotojnë ati nuk janë në gjendje që të flasin në mënyrë elokuente dhe bindëse për motivet e tyre. Në romanin e 1979 “Rrobja e duhur” të Tom Wolfe, astronautët mishërojnë një vizion që po jepte shpirt të heroit amerikan: patriotik, kurajoz, baba i mirë, i gëzuar dhe i paaftë për analizë të vetëvetes. Për shumë komentatorë, si për politologun Victor Ferkiss, problemi ishte pikërisht ky: si mundeshin “njerëz konvencionalë, borgjezë dhe në thelb të mërzitshëm” të jenë “mbinjerëzit që raca ishte përpjekur të prodhonte prej miliona vitesh?”. Kjo është një gjë që Andy Weir e ka pasur parasysh kur ka shkruar “Marsianin”, bestsellerin e 2011 që është në bazën e një filmi me Matt Damon. Aventurieri Mark Watney, që arrin të mbijetojë pas një uljeje katastrofike në Mars, është hero me një zbrazëti të pabesueshme. Bisedat folklorike dhe sipërfaqësore midis teknikëve të kontrollit të misionit janë realiste.

Kur në fund Watney shpëtohet, pyet se cili kishte qenë kuptimi i asaj teknologjie mbresëlënëse dhe i atij misioni të rrezikshëm. “Pse të nisesh e të shkosh atje?”, pyet në fund Watney, për t’u përgjigjur më pas me një klishe shterpë dhe tautologjike: “Për progresin, shkencën dhe të ardhmen ndërplanetare që ëndërrojmë prej shekujsh”. Ky konkluzion shërben për të konfirmuar vetëm një gjë: ajo që kemi parë deri më tani është vetëm një grup fanatikësh të teknologjisë që e zgjidhin një problem të krijuar prej tyre për motive që nuk dinë t’i shpjegojnë. Pikërisht për këtë arsye “Marsiani” është një portret i dobishëm i fluturimeve hapësinore: një paraqitje e përkryer e boshllëkut shpirtëror që është prapa. Natyrisht, tragjedia është që Weir donte të arrinte rezultatin e kundërt. Edhe kjo e bën një metaforë të mirë të situatës së vështirë ku ndodhet NASA.

Fat vetmitar

Kontrasti midis optimizmit fillestar dhe zhgënjimit të lindur pas vitit 1969 pasqyrohej në kulturën popullore. Në vitin 1962 në klasifikimet e diaeve më të shitura ishte kënga “Telstar”, e shkruar nga Joe Meek për grupin Tornados në homazh të satelitit me të njëjtit emër për telekomunikacionet i lëshuar në hapësirë po atë vit. 10 vite më pas ishte “Rocket Man” i Elton John, ku hapësira ishte e pafundme dhe jomiqësore: “Ndjehesh i vetëm në hapësirë, në këtë fluturim të pafund. Është i ftohtë vdekjeprurës dhe nuk ndodhet asnjeri aty. Gjithë këtë shkencë nuk e kuptoj”. Si zakonisht, David Bowie kishte arritur i pari. Tek “Space Oddity”, e dalë 5 ditë përpara lëshimit të Apollo 11, Majori Tom ofron një vizion shqetësues të qenieve njerëzore në hapësirë. “Jam këtu i ulur në një shishe qumështi, lart, sipër botës, planeti Tokë është i kalët dhe nuk kam se çfarë t’i bëj”. Megjithatë, me këtë bindje aristokratike që tekstet e këngëve nuk janë të rëndësishme, BBC-ja zgjodhi pikërisht “Space Oddity” si kolonë zanore të zbarkimit të Hënë. “Me siguri që nuk i kanë dëgjuar fjalët”, do të thoshte më pas Bowie.

Pasi astronautët kishin vënë këmbën në Hënë, më së fundi BBC-ja e kuptoi dhe nuk e transmetoi më këtë këngë derikur ekuipazhi i Apollo 11 nuk u kthye në shtëpi shëndoshë e mirë. Megjithatë, dikush e konsideroi këtë këngë si një antidot ndaj optimizmit të tepruar, “në një periudhë ku”, siç shkroi Tony Palmer, kritiku i “The Observer”, “shikojmë më admirim të pakushtëzuar ndaj triumfit të heronjve tanë pa pyetur se pse ndodhen atje”. Natyrisht, kënga e Bowie frymëzohej nga “2001: Odise në hapësirë” e Kubrick, dalë në vitin 1968 dhe drejtuar një publiku të gatshëm që ta vlerësonte finale e tij psikedelike. Kubrick ishte konsultuar me teknikët e NASA-s dhe ishte bindur se agjencia hapësinore do t’ia pëlqente rezultatin. Edhe pse mesazhi i tij lidhur me eksplorimin e hapësirës ishte qartazi kriptik, filmi ka influencuar shumë mbi saktësinë e këtyre ndërmarrjeve për shkak të realizmit të tij. dhe në të njëjtën kohë ka ngritur stekën e standardeve të kinemasë së fantashkencës.

Fati vetmitar i Majorit Tom paraqitet në film nga vdekja e një anëtari të ekuipazhit, Frank Poole, kur kompjuteri Hal merr kontrollin e njërës prej kapsulave dhe e godet teksa ndodhet jashtë anijes. Shihet Poole që largohet me ngadalë në errësirën totale i veshur me kominoshet hapësinore, deri kur nuk zhduket nga shikimi, i dënuar në një vetmi që nuk ka fjalë ta përshkruajë. Po aq domethënëse është skena në të cilën David Bowman, tashmë i mbijetuari i vetëm i ekuipazhit, shpërthen derën e vogël të kapsulës së tij për të rihyrë në anijen kozmike. Kreshendoja e sinjaleve të alarmit dhe e dritave që ndizen e fiken përfundon me një pamje të anijes kozmike nga jashtë: shpërthimi ndodh në heshtjen më totale sepse në boshllëk zëri nuk transmetohet. Shpërthimet dhe shkëndijat që shohim kur Enterprise i Star Trek sulmon anijet e Klingon-ëve evokojnë betejat e vjetra detare, ku kapiteni jepte urdhëra ng ura dhe galerat godisnin armikun. Por Kubrick tregonte se hapësira nuk ka të bëjë aspak me atë që njihnim: Është thellësisht e huaj dhe e gatshme të na vrasë, pa dëgjuar asnjëri që të ulërasë. Duke filluar nga fundi i viteve ’60 filmat e fantashkencës kanë nisur të përfaqësojnë çorientimin, shpërbërjen, çmendurinë dhe vdekjen përpara shkretimit shtypës e të pamëshirshëm të hapësirës. Tek “2002: Odisea e dytë” (1972) i Douglas Trumbull, Bruce Dern bëhet vrasës në pëprjekjen për të shpëtuar bimët e ruajtura në anijen e tij hapësinore, “Valley Forge”, pas shkatërrimit të Tokës. Ky i tiji është një mesazh dëshpërues që edhe Hawking do ta pranonte: çfarë të ardhmeje mund të ketë për ne në një planet tjetër në rast se nuk jemi të aftë të mbarështojmë bahçen tonë këtu në Tokë?

Po atë vit del “Solaris” i Andrej Tarkovskij, një përshtatje e romanit të shkrimtarit polak Stanisław Lem. Rrëfimi i krizave emotive të ekuipazhit të një stacioni hapësinor na tregon se fluturimi hapësinor është padurueshmërisht i mërzitshëm. “Moon”, i konceptuar në 2009 nga Duncan Jones, djali i David Bowie, rimerr temën e izolimit, me Sam Rockëell që përfundon pre e haluçinacioneve dhe e paranojës, fajtor një sistem inteligjence artificiale e ngjashme me Hal me emrin Gerty. Pamëshirshmëria e mjedisit dhe stresi i ndarjes nga njerëzit e dashur dhe nga komuniteti ngrenë një seri pikëpyetjesh mbi mundësinë e një qëndrimi të gjatë të qenieve njerëzore në një botë tjetër.

Industria tjetër

Për një moment të shkurtër, në fundin e viteve ’60, kemi pezulluar gjykimin tonë mbi fluturimin hapësinor për shkak të madhështisë dhe fuqisë së teknologjisë së tij. Por pas zbarkimit në Hënë vizioni ynë për hapësirën është bërë domosdoshmërisht më i pjekur. Retorika e udhëtimeve hapësinore për të shpëtuar njerëzimin ka humbur sharmin e saj dhe tani duhet të jemi më të paduruar ndaj tij. Sipas Vonnegut, rrëfimi mitik i eksplorimit të hapësirës “ inkurajon shumë njerëz që të besojnë se mund ta përdorim këtë planeti dhe ta flakim tej si një shami prej letre, pasi do të shkojmë në planetë të tjerë të gjelbër dhe të pasur me ujë e ushqim… Hëm, nuk është kështu. Jemi të destinuar që të qëndrojmë në Tokë ciladoqoftë shifra që shpenzojmë për t’u larguar nga këtu”. Dhe shtonte: “Nëqoftëse shikojmë çdo libër me pamje të university ku tregohen distancat midis trupave qiellorë dhe atmosfera që është një disa planet, shohim se eksplorimi i hapësirës nuk është një ndërmarrje premtuese”. E kishte kuptuar edhe shkrimtari e fizikani C.P. Snow. Në mes të misioneve Apollo, thoshte: “Problemi është se sistemi diellor është tmerrësisht zhgënjyes. Shkencëtarët e dinë prej shumë kohësh dhe tani faktet, deri tejet konkretë, na e konfirmojnë. Është e kotë të imagjinohen horionte të pafundëm kur horizontet nuk mund të tregohen tjetër veçse shumë të kufizuar”. Për hir të së vërtetës, Snoë ishte paksa i padrejtë, pasi sistemi diellor është plot mrekulli.

Sondat tona janë ulur mbi një kometë, u janë ngjitur kodrinave të Marsit, kanë eksploruar liqenet e metanit të Titanit, një nga hënat e Saturnit, dhe malet me azot të akullt të Plutonit. Shumë shkencëtarë të NASA-s mendojnë se misionet me ekuipazh u heqin resurse projekteve si këto, që na mësojmë shumë më tepër gjëra lidhur me universin dhe na bëjnë që t’ia vlerësojmë pafundësinë spektakolare. Krahasimisht, astronautika e sotme është thuajse qesharake, me ekuipazhin e Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar që ka vështirësi në vënien në funksionim të banjove. Edhe aktivitetet e tij kanë kontribuar që të zbehet entuziazmi i opinionit publik: duket sikur nuk ka shumë për të bërë atje lart. Kollotumbat me gravitet zero filluan të duken të mërzitshme qysh nga fundi i misioneve Apollo, edhe pse nuk ishte arritur akoma vulgariteti i gjetjes publicitare të markës Pizza Hut, që në 2001 ka paguar 1 milion dollar për të dërguar një prej picave të saj në ISS. Sigurisht që ta shikosh eksplorimin hapëisnor të sponsorizuar nga një kompani fast food sigurisht që nuk e ka forcuar imazhin e ndërmarrjes fisnike dhe ambicioze që agjencitë hapësinore kërkojnë të promovojnë.

Sipas dikujt, ISS-i demonstron se vendet mund të bashkëpunojnë në vend që të bëjnë konkurrencë, një hap i mirë përpara respektivisht origjinave të tij të lidhura me Luftën e Ftohtë. Është e vërtetë, por është një bashkëpunim qëllim në vetvete, ndërsa shumë do të donin ta përdornin atë shpirt për të përballuar sfida si ndryshimi klimaterik apo mungesa e ujit në Tokë. Për Kinën dhe Indinë, eksplorimi i hapësirës është një formë e nacionalizmit; për Elon Musk, Richard Branson dhe të tjerët si ata është një mundësi për të fituar dhe bërë publicitet. Sikur fluturimi njerëzor në hapësirë do të arrinte ndonjëherë të bëhej aq i sigurtë sat ë konsiderohej normal, do të privohej nga ai aspekt mistik që është në bazën e sharmit të tij. do të bëhej një formë tjetër tregëtie. Nuk do të menaxhohej nga pionierë, por nga CEO. Në fund të fundit, hapësira nuk do të na lejojë që t’u shpëtojmë problemeve tona. Antropologu dhe filozofi amerikan Loren Eiseley ka thënë: “Fluturimi hapësinor është një ndërmarrje kurajoze, por mbi ato raketa që çajnë qiellin janë të projektuara të gjitha frikërat dhe dëshirat e arratisë së njerëzimit”. Në analizë të fundit, një grusht shkëmbinjsh hënore nuk na ka frymëzuar sa duhet dhe nuk ka zgjidhur asnjë prej problemeve tona, kështu që ka motive të mira se pse nuk jemi rikthyer në Hënë.

(Philip Ball për New Statesman)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakRaporti i OSBE/ODHIR goditje nukleare për narkoshtetin!
Artikulli tjetërSipërmarrësja populiste