Mjeku jep alarmin: Ndotja akustike po na dëmton dëgjimin

Problemet e dëgjimit janë një nga patologjitë më të shpeshta në shërbimin ORL, dhe një rol të rëndësishëm në këtë drejtim luan dhe ndotja akustike, lidhur kjo dhe me disa profesione veçanërisht të rrezikuara. Duke folur për gazetën “Shëndet +”, Ylli Kërçani,mjek ORL pranë Poliklinikës së Specialiteteve Nr.1 në Tiranë, thekson se për të pasur ulje ndjeshmërie në dëgjim, mjafton dhe të ecësh në një rrugë me trafik të rënduar, ku zhurma shkon 60-80 dB apo qëndrosh gjysmë ore në një pub.
Megjithëse shkalla e ndjeshmërisë varet dhe nga koha e ekspozimit në zhurmë, intensiteti i saj dhe ndjeshmëria individuale, simptomat janë të tilla ku pacienti fillimisht ndien ulje efektiviteti në punë, prishje humori, ngacmueshmëri nervore, dhimbje koke, marrje mendsh etj.
Doktor, çfarë është ndotja akustike dhe si ndikon ajo në problemet e dëgjimit?
Zhurma është një tingull i padëshiruar që krijon një mjedis të rënduar akustik dhe vjen nga shumë burime. Zhurmat me intensitete të ndryshm,e që ndikojnë mbi ambientin, mbi jetën e njerëzve, mbi organin e dëgjimit, përbëjnë atë që quhet ndotje akustike. Veshi i njeriut kap 20-2000 Hz. Të gjithë njerëzit në botë bashkëjetojnë me zhurmat, por rëndësi ka: a) cilat zhurma rrezikojnë dhe b) nga se varet shkalla e dëmtimit mbi organin e dëgjimit.
Cilat janë zhurmat që rrezikojnë më tepër dëgjimin tonë?
Mjafton të ecësh në rrugë në një trafik të rënduar, ku zhurma shkon 60-80 dB. Të shkosh në një disko, pub 110-120 dB, të punosh në industri, fabrika me mbi 85 dB. Në fillim do të ndiesh shqetësime, ndjesi jo të mira shëndetësore deri në humbje dëgjimi të shkallëve të ndryshme. Mjafton gjysmë ore në pub që të kesh ulje ndjeshmërie.

Nga se varet ulja e shkallës së dëgjimit dhe cilët janë faktorët e riskut?
Nga koha e ekspozimit në zhurmë;
intensiteti i zhurmës ;
zhurma e përsëritur ;
ndjeshmëria individuale.
Dëmtimi vjen nga zhurmat e përditshme, trafiku, diskot, PUB-et dhe çdo objekt që prodhon zhurmë. Mund të jenë të menjëhershëm si tek trauma akustike( qitje, fishekzjarrë, buçitje nga afër), graduale si trafiku, në industri etj., dhe zhurma të përziera si diskot, pubet etj.
Faktorë risku janë:
Mosha e madhe
Përdorimi i ototoksikëve
Pirja e duhanit, alkoolit
Sëmundjet sistemike, kardiovaskulare, kancerogjene, HIV-AIDS, turbekulozi etj.
Profesionet më të rrezikuara?
Zjarrfikësit
Policët
Punëtorët e fabrikave
Minatorët
Punëtorët e ndërtimit
Ushtarakët
Punëtorët e industrisë së rëndë
Punonjësit e pubeve
Punonjësit e call center (përdorimi i kufjeve)
Cilat janë shenjat?
Ulje efektiviteti në punë, prishje humori, ngacmueshmëri nervore, dobësi e përgjithshme, dhimbje koke, ulje dëgjimi dhe marrje mendsh.
Cili është niveli i normës dhe koha maksimale e ekspozimit që sjell probleme në dëgjim?
Që të japë dëmtim, një zhurmë 85 dB kërkon 8 orë ekspozim. Me rritjen e nivelit të zhurmës përgjysmohet koha që mjafton për të dhënë dëmtim. Nëse nga 85 dB shkon 88 dB, pra kemi një rritje me 3 dB, atëherë koha që na jep dëmtimin përgjysmohet në 4 orë.
Si mund të mbrohemi?
Kontrolli i burimit të zhurmës
Edukimi mbi pasojat e zhurmës
Ndërgjegjësimi
Legjislacioni efikas
Pas një qëndrimi në zhurmë të madhe duhet kaluar në një ambient larg zhurmave

Në industri:
Të ketë program mbrojtës ndaj zhurmës
Të përdorin tapa veshi, kufje gjatë punës
Të përcaktohen vendet e pushimit pa zhurmë
Izolimi i makinave që prodhojnë zhurmë
Ripërtëritja e teknologjisë në vazhdim
Disko e PUB-e:
Të përcaktohet legjislacioni për të drejtën e informimit të tyre.
Të zbatohen kriteret në ndërtim, larg qendrave të banuara, me amortizim të mirë me orare të përcaktuara.
Dhënia e lejes vetëm kur kushtet të jenë realizuar.
Për trafikun:
Përcaktimi i legjislacionit.
Sipërfaqja e rrugës të shtrohet me material që zbut rrugën (asfalt poroz)
Kontrolli për gazrat në makinat e amortizuara si CO (Oksid karboni) që në lidhje me zhurmën është faktor risku.
Si dhe grimcat e pluhurit në lidhje me zhurmën japin dëmtime më të rënda të organeve të dëgjimit.

Artikulli paraprak6 vendet e BE që janë pesimiste për hapjen e negociatave, Rama dhe Tahiri, barrierë
Artikulli tjetërDoshi i ndërpret fjalën e Ramës: Po ti a do ta bash vettingun?