Marrëveshja e 18 majit barrierë për cenimin e votës

Eleni QIRICI

A janë cenuar zgjedhjet mes përdorimit të administratës publike në Korçë, Pogradec, Kolonjë në vitet 2013, 2015, 2016?
Kronologji procesesh votimi, që para syve tanë, cenoheshin dhe dhunoheshin. Procese votimi ku kandidatët e opozitës, partitë e opozitës dhe votuesit e tyre përballeshin me blindin shtet dhe me helmetat e administratës publike. Votë e dhunuar, votë e vjedhur, votë e blerë, votë e joshur, votë e rrëmbyer, votë e panumëruar.
– Korçë, nëntor 2013, Partia Demokratike kandidon për zgjedhjet e parakohshme lokale, për kreun e Bashkisë së Korçës. Partia Demokratike kandidoi me një prej figurave më të mira dhe më të njohura të qytetit, kandidoi me një prej intelektualëve të spikatur, me një prej qytetarëve më profesionistë, më të ndershëm dhe të moralshëm, me një prej figurave më të mira të saj, z. Stratobërdha, edhe pse në kohët më të vështira, por e bindur që qytetaria e Korçës do të ishte përkrah kandidatit dhe forcës politike që solli ndryshimet politike në vend.
Fushata dhe procesi zgjedhor? Një ferr, njerëz në terror, votues të frikësuar dhe të stepur, teksa përballeshin me agresivitetin dhe ultimatumet e drejtuesve të lartë të administratës publike, nën drejtimin e ish-zv.kryeministrit z. Peleshi. Arsimtarë që na telefononin dhe na deklaronin që nuk do të mund të dilnin në zgjedhje, pasi rrezikohej vendi i tyre i punës. Infermierë dhe mjekë që na deklaronin të njëjtën trysni të ushtruar nga eprorët e tyre. E gjithë makineria shtetërore ishtë vënë në funksion të kandidatit të majtë, me burime humane dhe burime materiale, gjithçka ishte hedhur në fushatë.
Partia Socialiste nuk kurseu milionat e saj monetare për t’i përdorur në ditën e votimit. Historia e 20 mijë lekëshit është tashmë e njohur për të gjithë dhe e deklaruar publikisht edhe tek partnerët tanë europianë dhe amerikanë. E megjithatë në këto zgjedhje 6700 të majtë nuk dolën të votonin kandidatin e tyre para një figure intelektuale dhe qytetare zgjedhur për kandidim nga Partia Demokratike.
Zgjedhje të cenuara, të zhvilluara nën frikë dhe terror, me një opozitë që duhej të luftonte me shtetin dhe jo me strategjitë e saj për zhvillim social-ekonomik.
– Zgjedhje lokale, qershor 2015. “Spektakël” i spekulimit me procesin zgjedhor nga ana e shtetit dhe administratës publike. Punonjës të administratës në funksion të fushatave në Korçë, Devoll, Kolonjë, Maliq, Pogradec. Automjete dhe mjete në mbështetje të fushatës. OSHEE flamurtare e fushatës me konsumatorët, në favor të kandidatëve të majtë. Drejtoritë arsimore në shërbim të fushatës. Nxënësit mbushnin sheshet dhe rrugët ku buçiste propaganda e kandidatëve të majtë. Spitalet dhe ambulancat gjithashtu në shërbim të procesit zgjedhor. Edhe vetë ministra nga ambiente të spitaleve, siç ishte rasti i ministres së Integrimit, nga spitalet bënin fushatë të etur sërish për fitore plebishitare. Drejtoritë rajonale investitorë dhe suportues të fushatës, dhënës premtimesh dhe fondesh, në shërbim të marrjes dhe sigurimit të votës.
Sërish proces i dhunuar, tashmë haptazi i kontestuar dhe me vërejtje të panumërta edhe nga OSBE dhe monitoruesit e huaj.
Epilogun kronologjik, të këtyre proceseve zgjedhore në Qarkun e Korçës, e shkruan procesi për zgjedhjet e parakohshme lokale në Kolonjë, me një kandidat të shkëlqyer si z. Hajro i kandiduar nga Partia Agrare Ambientaliste dhe koalicioni i partive të djathta.
Edhe këtu, krimi ekonomik, task forca me mësymje në Kolonjë, mbillnin panik tek votuesit, duke ushtruar presion tek votuesit. OSHEE, Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shëndetësore, Drejtoria Rajonale e Punësimit, Spitali dhe Drejtoria e Arsimit, e gjithë makineria shtetërore, kishin zbarkuar në Kolonjë. Vetë ish-zv.kryeministri braktisi Tiranën dhe detyrat e tij dhe iu kushtua Kolonjës me mish dhe me shpirt. Ministra, njëri pas tjetrit vizitonin Kolonjën si të ishte qendra e botës. Terror që degradoi në Leskovik edhe në dhunë fizike, me të implikuar edhe individë, policia e shtetit dhe garda e shtetit.
Gjakftohtësia e kryetarit të PAA z. Duka bëri që procesi të mbyllej i paqtë dhe pa incidente, edhe pse ditën e votimeve në fshatrat e thellë të Kolonjës ndaheshin shuma monetare, cenoheshin qendra votimi, u ushtrohej presion komisionerëve.
A duhet të pranojmë më të tilla procese zgjedhore? Jo, kurrë më!
Ja pra, pse duhej një marrëveshje e tillë dhe ja pse nuk duhet të keqkomentohet dhe keqinterpretohet predispozicioni i hartimit të saj.
Ndaj dhe këtë marrëveshje politike, ofruar nga partnerët tanë strategjikë europianë dhe amerikanë dhe pasuruar pas diskutimesh të gjata të kryetarëve të partive më të mëdha politike, e shikoj padyshim si dritë jeshile për një proces të kontrolluar dhe më pranë të qenit proces i pakontestueshëm, në funksion të votës së lirë dhe të ndershme.
Është koha, të bëhemi të gjithë pjesë e mbarëvajtjes dhe implementimit me sukses të marrëveshjes së 18 majit, që pa hezitim them se është ndër gurët e parë në themelet e Republikës së re.

Artikulli paraprakRepublika e Re është proces jo paragraf i marrëveshjes
Artikulli tjetërBie kupola e mafias