Ku ndahen Trump dhe Europa?

Para disa ditësh, Nikki Haley, ambasadore e SHBA në OKB i dha opinionit botëror një përshtypje për atë se si mund ta trajtojnë Iranin në të ardhmen SHBA. Detajet vërtet që nuk janë përpunuar, por linjat e mëdha janë përcaktuar. Ato përfundojnë në konfrontim.
Jo më larg se tetori, Presidenti i SHBA, Donald Trump bëri të ditur se çfarë mendon për marrëveshjen atomike me Iranin. Tani Haley lexoi listën e mëkateve politike të Iranit.
Lista është e gjatë, ajo peshon rëndë dhe po bëhet më e gjatë, po të kesh parasysh Sirinë. Teherani, kështu u shpreh këto ditë një komentator izraelit, ndodhet në rrugën më të mirë për ta shndërruar Sirinë në një shtet kolonial iranian. Kjo diagnozë mund të jetë e tepruar, po në thelb është e argumentuar.

Marrëveshja atomike të shihet e izoluar
Po të gjitha këto nuk e justifikojnë që marrëveshja të vihet në pikëpyetje. Sepse aktivitetet rajonale të Iranit nuk janë objekt i marrëveshjes. Për një periudhë kohe shpresohej megjithatë që fryma e marrëveshjes të shtrihej edhe në fusha konvencionale të konfliktit në rajon dhe të ushtronte efekt moderues mbi to. Kjo shpresë – të paktën deri tani – nuk është plotësuar. Irani ndjek edhe më tej një politikë të jashtme agresive.
Po nëse SHBA do ta anulonin marrëveshjen, kjo do ta shtonte kaosin në rajon. Sepse një program i ri armatimi i Iranit do t’i nxiste shtetet e tjera që të bëjnë të njëjtën gjë. Veçanërisht armiku për vdekje i Iranit, Arabia Saudite mund të përpiqet që të ndjekë këtë strategji.

Spekulime të mundshme
Ç’pamje do të kishte politika e jashtme iraniane, po të mos kishte ekzistuar marrëveshja? A do të ishte ndoshta edhe më agresive? E sigurtë është që perspektiva e prishjes së marrëveshjes, do t’i jepte shkas Iranit që të mos përmbahej në asnjë formë ushtarakisht dhe diplomatikisht. Kjo edhe sepse SHBA po e armatosin rëndë Arabinë Saudite.

Vështrimi i çuditshëm i Trumpit drejt Lindjes së Afërt
Nuk duhet të preferosh skenat apokaliptike, që ta përfytyrosh situatën në Lindjen e Afërt më të errët pa marrëveshjen se sa është me të. Një luftë e re ose luftë e autorizuar midis Iranit dhe Arabisë Saudite mund të bënte të merrnin arratinë edhe më shumë njerëz – dhe ta shtonte presionin e migrimit ndaj Evropës. Kjo mund ta nxehte edhe më tej klimën politike, të acaruar edhe tani nga populistët në BE, edhe në Gjermani.
Prishjen e marrëveshjes do ta ndjente e para Evropa. SHBA nga ana tjetër, të mbrojtura nga një llogore me ujë me gjerësi prej mijëra kilometrash do të mbeteshin të paprekura nga pasojat e një katastrofe të tillë. Tendenca e Trumpit për të parë te Arabia Saudite një garante të paqes në Lindjen e Afërt dhe tek Irani nxitësin e vetëm të terrorizmit është absurde. Politikisht ajo është kaq e rrezikshme, sa Evropa nuk mund t’ia lejojë vetes që të mos e kundërshtojë.

Artikulli paraprakNëse Joseph Conradi do të kishte rrëfyer 11 shtatorin…
Artikulli tjetërTrump udhëheq vendin në ceremoninë e 11 shtatorit